Analize

Harta e luftës së pasurive shqiptaro-serbe

“Nuk duhet të ngatërrojmë integritetin dhe paprekshmërinë e kufijve. Kufijtë janë të paprekshëm sipas të drejtës ndërkombëtare dhe nuk mund të kundërshtohen me forcë, por nuk janë të panegociueshëm: ato mund të lëvizin nëse arrihet një marrëveshje e kënaqshme ndërmjet palëve”.

I njohur në vitin 1975 në Konferencën e Helsinkit midis BRSS-së dhe Perëndimit dhe i përsëritur solemnisht në vitin 1999, ky parim çoi drejt ribashkimit të Gjermanisë pas rënies së Murit të Berlinit. Midis viteve 1989 dhe 1992, në Europë u krijuan njëzet e dy kufij të rinj, duke përfshirë edhe ato mes Ukrainës dhe Bjellorusinë.

Por shkëmbimet territoriale midis Kosovës dhe Serbisë do të ishin e kufijtë e parë në Europë që do ndryshoheshin sipas vijave etnike, duke tejkaluar kështu kufizimet e mëparshme administrative mes dy vendeve.

Hapja e një teze të tillë në një rajon ku konfliktet etnike kanë shkaktuar plagë të rendë, ka bërë që shumica e ekspertëve dhe fuqive europiane të jenë të kujdesshëm. Së fundmi përditshmja franceze “Le Monde” ka publikuar një hartë të Kosovës për të treguar sesi mund do të duken kufijtë e ri të vendit. Gazeta franceze thotë se projekti i ri-vendosjes së kufijve të Ballkanit Perëndimor paraqitet si një zgjidhje për stabilitetin pas 20 viteve konflikti, duke theksuar ndër të tjera se banorët e zonave të propozuara për shkëmbim kanë përsëri frikë nga një “spastrim etnik”. Sipas “Le Monde” mozaiku etnik, infrastruktura kyçe dhe ndërtesat kulturore përbëjnë barrierat për projektin e ripërcaktimit të kufirit.

Harta e gazetës franceze tregon sesi do të duken “kufijtë e rinj”. Pjesa veriore e Kosovës, komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës, do të kalonin në Serbi, ndërsa Prishtinës do t’i bashkoheshin e komunat së Medvegjës, Bujanocit dhe Lugina e Preshevës. Në hartë janë theksuar katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të cilat “Le Monde” thotë se janë “jashtë kontrollit, nuk janë të rregulluara me ligj dhe janë pre e grupeve mafioze”.Gazetarët franceze kanë veçuar Liqenin e  Ujmanit dhe minierën e Trepçes si dy pasuritë më të mëdha të Kosovës, që mund t’i kalojnë Serbisë. Eksperët në Kosovë kujtojnë se Trepça, Brezovica dhe Liqeni i Ujmanit janë tri pasuri të cilat Serbia është shprehur e gatshme t’i marrë me “luftë”.

Liqeni i Ujmanit

Liqeni i Ujmanit shtrihet mes dy shteteve dhe është një pikë e rëndësishme strategjike, si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën. Serbia nuk i ka fshehur ambiciet, duke kërkuar prej kohësh edhe pjesën shqiptare të liqenit.

Rezervuari i Gazivodës, siç i thonë serbët, është ndërtuar me fonde të intitucioneve ndërkombëtare dhe të buxhetit të Kosovës dhe vlerësohet si një ndër pasuritë më të mëdha të vendit. I pozicionuar në veri-perëndim të Kosovës, në Komunën e Zubin Potokut me shumicë serbe, liqeni është bërë prej kohësh një “mollë sherri” për Beogradin dhe Prishtinën. Me një sipërfaqe prej 11,9 km² dhe thellësi maksimale prej 105 metrash, ai është liqeni më i madh në Kosovë. Liqeni furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Kosovës dhe ujit 20 mijë hektarë tokë, duke ofruar gjithashtu mundësi për not dhe plazh. Beogradi pretendon prej kohësh se një pjesë e liqenit të Ujmanit i takon Serbisë, madje sipas kryeministrit serb, ata investuan në ndërtimin e tij në kohën e ish-Jugosllavisë. Ekspertët në Kosovë, thonë nga ana tjetër se Serbia ka një sërë arsyesh për të “shtënë në dorë” Ujmanin, por qëllimi kryesor është përftimi ekonomik në njërën anë dhe marrja nën kontroll e Veriut të Kosovës në anën tjetër.

Miniera e Trepçës

Serbët që banojnë në veri të Mitrovicës nuk janë i vetmi shqetësim e shkak i Beogradit që këmbëngul në rishikimin e kufijve me Prishtinën. Kjo pjesë e territorit të Kosovës ka një rëndësi strategjike jo vetëm si një nyje kalimi veri-jug dhe lindje-perëndim, por edhe për shkak të burimeve natyrore që mbart.

Më e rëndësishmja është miniera e Trepçës. E vendosur më pak se 10 kilometra larg qytetit të Mitrovicës, kjo minierë është më e madhja në Europë sa i takon rezervave të plumbit, zinkut dhe argjendit. Në kulmin e shfrytëzimit gjatë sundimit të Titos, në galeritë e kësaj miniere punonin mbi 20 mijë vetë. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, megjithë shfrytëzimin e saj që prej Perandorisë Romake, Trepça strehon ende 60.5 milionë tonë xehe, kryesisht plumb e zink, por ka edhe mesataren më të lartë në Europë për nxjerren e argjendit për ton, rreth 74 gram për ton.

Në vitin 1989 miniera u vendos në qendër të vëmendjes jo për pasuritë që nxirrte prej nëntokës, por për grevën e urisë të më shumë se 1300 minatorëve shqiptarë që u mbyllën për 8 ditë në kushte të vështira për të kundërshtuar vendimin e Sllobodan Millosheviç për heqjen e autonomisë së Kosovës.

Luftërat që pasuan hyrjen e viteve ’90 dhe deri në fund të luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, ashtu siç shkërmoqën të gjithë Jugosllavinë, shkërmoqën edhe funksionimin e minierës.

Në 2006, një marrëveshje e arritur me Serbinë nga komuniteti ndërkombëtar e përfshinte Trepçën në territorin e Kosovës. Për shqiptarët, në Jarinjë ishte kufiri ndarës mes dy shteteve, ndërsa për serbët në Kosovë e Beograd ishte dhe vazhdon të mbetet një “vijë ndarëse administrative”.

Presheva dhe Mitrovica 

Duke qenë se në Luginën e Preshevës shumica e banorëve janë shqiptarë, Serbia kontrollon rreptësisht territorin. Banorët e Luginës nuk kanë mundësi të rebelohen pa mbështetje të konsiderueshme nga Kosova, një skenar që nuk ka gjasa të ndodhë për shkak të qëllimeve të Prishtinës për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Edhe pse shumica e shqiptarëve mund të preferojnë të jetojnë nën udhëheqjen e Kosovës, atyre do t’u duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë paqësore me Serbinë për sa kohë që institucionet shtetërore të Beogradit mbeten të forta. Pavarësisht përpjekjeve të Vuçic për shkëmbim territoresh, për zyrtarët e tjerë në Beograd do të ishte e paimagjinueshme që kontrolli i këtij rajoni paqësor t’i dorëzohej Kosovës.

Por Mitrovica e Veriut, e cila shtrihet nga lumi Ibër deri në kufirin me Serbinë, është një tjetër histori. Ky territor me shumicë serbe dhe ka qenë në mënyrë efektive i pavarur nga Kosova që nga viti 1999. Megjithëse Marrëveshja e Brukselit për vitin 2013 solli marrjen e disa hapave për integrimin e rajonit në Kosovë, duke përfshirë edhe vendosjen e forcave të rajonit në mënyrë formale brenda forcave policore të Kosovës. Megjithatë rajoni vazhdon të jetë etnikisht i ndarë dhe funksionon në mënyrë autonome. Serbët ende kontrollojnë sigurinë e rajonit dhe sipas gazetës amerikane riintegrimi i asaj zone në Kosovë mund të bëhet vetëm me forcë.  Por nëse Prishtina zyrtare do të përpiqej ta kontrollonte ose të dëbonte forcat e sigurisë serbe, do të shkaktonte shpërthimin e dhunës dhe trazirave masive. Në rast konflikti, Serbia me siguri do të mbështesë ushtarakisht serbët e Mitrovicës. Ky skenar do të ishte i ngjashëm me aneksimin e Krimesë nga Rusia.


A duhet të ndryshohen kufijtë?

Pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, në vitin 1999, duke u shkëputur nga dhuna dhe shtypja e Beogradit, një sërë serbësh dhe shqiptarësh mbeten në anën  e gabuar të kufirit. Siç parashikohej edhe nga ekspertët e asaj kohe, dhuna e armatosur u rikthye sërish, dhe pikërisht në ato rajone ku ishin vendosur pakicat etnike. (Në vitet 2000-2001 shpërtheu dhuna në luginën e Preshevës dhe në vitin 2004 shpërthyen konfliktet në Mitrovicën e Veriut). Këto përplasje lanë dhjetëra të vrarë dhe dhjetëra mijëra të shpërngulur, ndërkohë që Beogradi nisi spastrimin etnik të shqiptarëve. Sipas ekspertëve perëndimorë, nëse kufijtë e Serbisë dhe Kosovës më vitin 1999 do të ishin bazuar tek demografia e grupeve etnike, mund të ishte shmangur dhuna vdekjeprurëse pas luftës.

Por kur vjen puna tek ndryshimi i menjëhershëm i kujfive të Kosovës, të gjithë marrin frymë thellë.  Hulumtimet e shumta mbi shpërthimin e dhunës, pak kohë pas ndarjes Gjeorgji- Moldavi sugjerojnë që konfliktet lindin në radhë të parë për shkak të kapacitetit të dobët të shtetit dhe jo nga urrejtja etnike. Qeverisja e dobët, varfëria dhe institucionet jo kompetente, janë tiparet kryesore të vendeve që janë goditur nga luftërat.

 Mitrovicë

 “Ndryshimi i kufijve mund të duket i papëlqyeshëm, por konsiderohet nga shumë persona si një zgjidhje praktike”, thotë James Ker-Lindsay, një specialist i Ballkanit në Shkollën Ekonomike të Londrës. “Një marrëveshje konsensuale mes dy palëve, do të hapte rrugën për një normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të lejonte që Kosova më në fund të bëhej anëtare e Kombeve të Bashkuara”, thotë ai.

Por Pedi Eshdaun, një analist ndërkombëtar që studioi pasojat e luftës së Bosnjës, i ka bërë thirrje publikisht Federika Mogerinit që të ndalojë shkëmbimin e territoreve. “Kalimi i kufijve të Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhë konfliktet, por t’i përkeqësojë edhe më tepër”, thotë ai. “Paqja mund të vijë vetëm kur mësojmë si të jetojmë në bashkësi multietnike dhe jo kur rishkruajmë kufijtë. Nuk ka asnjë politikë që ka më shumë gjasa të na çojë drejt luftës dhe konflikteve në Ballkan sesa ajo që po mbështesim tani.

Burimet: “Le Monde” , “New York Times” “Washington Post” 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë