Shendet

Rëndësia e dozës së tretë dhe pikëpyetjet e Irmës

Doza e tretë e vaksinimit në vendin tonë ka krijuar shumë debate. Duke nisur nga rekomandimet se për kë duhet të bëhet vaksina e deri tek kombinimi i dozave. Irma Spaho një lexuese e Gazetasi.al ka ngritur shqetësimin se “çfarë vaksine duhet të bëjë kur ka bërë dy doza të vaksinës Sinovac”. Në një nga komentet e saja qytetarja shkruan se është invalide dhe me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Gazetasi.al e ka trajtuar edhe më herët këtë çështje duke u bazuar në mendimet e ekspertëve për sa i përket dozave të treta që duhet të marrin qytetarët. Qysh prej fillimeve të debateve për aplikimin e dozës së tretë në vend Gazetasi.al ka kontaktuar me ekspertët për të ditur më shumë rreth këtij procesi.
Mjeku Epidemiolog Ilir Alimehmeti në një intervistë për Gazetasi.al ka thënë se një element i rëndësishëm që nxit kërkesën për dozën e tretë është fakti se vaksinat për sëmundjet respiratorë duhen bërë përpara vjeshtës. Eksperti i shpjegoi Gazetasi.al se qytetaret që morën vaksinën Sinovac duhet të merrnin si dozë të tretë vaksinën Pfizer ose AstraZeneca, pasi efektshmëria e kësaj vaksine ka nevojë për “rifreskim”.

Alimehmeti ka shpjeguar se vaksina Coronavac ka qenë që në orgjinë më pak efektive se vaksinat e tjera.
“Efikasiteti për çdo lloj vaksine ka rënë nga varianti Delta. Për pjesën e sëmundjes së rëndë dhe hospitalizimit, studimet tregojnë që AstraZeneca ka 92% dhe Pfizer e ka 96% efikasitet (të dhëna nga Anglia), ndërsa vaksinat e tjera nuk e kanë këtë të dhënë dhe kjo është ajo që na intereson më shumë”, ka shpjeguar Alimehmeti duke rekomanduar dozën e tretë.
Komiteti Teknik i Ekspertëve përpara dy javësh këshilloi vaksinimin me dozën e tretë tek personat +60 vjeç dhe ata me probleme imunitare. Sipas burimeve të Gazetasi.al nga ISHP deri më tani si “dozë e tretë” më së shumti është përdorur Pfizer. Deri më tani në vendin tonë e kanë marrë dozën e tretë të vaksinës më shumë se 18.000 persona të kategorive të përcaktuara. Ndërkaq një tjetër metodë që nuk duhet nën vlerësuar sipas ekspertëve është edhe trajtimi me medikamente. Në një nga mbledhjet e Akademisë së Shkencave ekspertët kanë këshilluar mundësinë e trajtimeve me antitrupat monoklonalë për të shmangur sëmundshmërinë e rëndë.

Ndërkohë një tjetër këshillë e Ministrisë së Shëndetësisë në Itali thotë se personat që nuk kanë marrë një vaksinë të autorizuar nga EMA ose FDA mund të marrin një dozë përforcuese me vaksinën mRNA një muaj pasi kanë marrë vaksinën (Sinopharm, Sinovac, Sputnik V), ndërsa nëse kanë kaluar gjashtë muaj nga vaksinimi me vaksinat e mësipërme duhet të marrin dy doza mRNA.
Kompania Pfizer ka deklaruar se nga të dhënat e një prove të fazës së tretë ka demonstroi efikasitet të lartë të një doze përforcuese të vaksinës së tyre Covid-19 kundër virusit , përfshirë variantin Delta.
Kompania tha se studimi me 10,000 pjesëmarrës të moshës 16 vjeç e lart tregoi 95.6% efektivitet kundër virusit. Studimi gjithashtu zbuloi se doza përforcuese kishte një profil të favorshëm sigurie.
Pfizer kishte thënë se efikasiteti i vaksinës me dy doza bie me kalimin e kohës, duke cituar një studim që tregoi 84% efektivitet.
"Këto rezultate ofrojnë dëshmi të mëtejshme për përfitimet e dozave përforcuese pasi ne synojmë që njerëzit të kenë një mbrojtje të mirë nga kjo sëmundje", tha CEO i Pfizer, Albert Bourla në një deklaratë.
Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 53 vjeç, me 55.5% të pjesëmarrësve midis 16 dhe 55 vjeç, dhe 23.3% në 65 vjeç ose më të vjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë