Biznes

Sindikata e Fermerëve letër qeverisë kundër paketës fiskale: Dëmi do të vazhdojë dhe në 2022

Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë të Fruta-Perimeve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe Sindikata e Fermerëve, kundërshtojnë propozimet e paketës fiskale 2022, në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Shoqatat pohojnë se këto ndryshime vijnë në një kohë kur mbjelljet e fermerëve janë 30% më të ulëta se vjet, për shkak të mospërballimit të kostove. Sipas tyre miratimi i ndryshimeve fiskale do të rëndonte situatën në prodhimet bujqësore.

Fermerët kërkojnë rritjen e jo vetëm shpenzimeve buxhetore, por edhe të ardhurat në buxhetin e shtetit minimalisht në raportin një me dy.

Shoqata e prodhuesëve dhe Sindikatës së Fermerëve kërkojnë subvencionim direkt për fermerët që kultivojnë perime të freskëta. Barazim në paketën fiskale 2022 të shkallës së TVSH në shitje me atë në blerje për sektorin e tregtimit dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtoralë, sepse heqja e TVSH-së në blerje dhe 20% TVSH në shitje do të thellojë informalitetin dhe për pasoje i detyron të furnizohen me produkte bujqësore nga importi dhe te braktisin produktin vendas.

“Konstatojmë me keqardhje se edhe Paketa Fiskale dhe P/Buxheti vitit 2022 nuk do të garantojnë frenimin e rënies në disa sektorë, si p.sh. tek Akuakultura, Blegtoria, Tregjet Agro Blegtorale, Agropërpunimi, Agroturizmi, Agropylltaria dhe Mjedisi ne zonat rurale. Gjithashtu nuk do të garantojë as qëndrueshmërinë dhe rritjen në disa sektorë të tjerë, që kanë performuar më mire se Frutat, Perimet, Peshkimi, Agrobiznesi, Bimët Mjekësorë dhe Aromatike, Bletaria si dhe Mikrofinanca”,-shkruajnë në letër.

“Në gjykimin tonë, disa tregues do të jenë edhe më negative në vitin 2022, pasi vërejmë 30% me pak mbjellje dhe rritje galopante të kostove të prodhimit, si pasojë e krizës globale të rritjes së çmimeve.

Nuk është e drejtë që sektori ynë që kontribuon me 20% të PBB dhe ku janë të punësuar 40% e forcës së aftë për punë, të përfitojë vetëm 2% të shpenzimeve të buxhetit”, vijojnë argumentin.

Ata kanë kërkuar që të rishikohet projektbuxheti dhe paketa e re fiskale 2022, të vlerësohet situata dhe të konsultohet me grupet e interesit.

Disa nga benefitet e kërkesave të fermerëve, sipas tyre mund të jenë, formalizimi i qarkullimit të produkteve bujqësore me faturë. Subvencioni rrit standardin dhe cilësinë. Shmang korrupsionin dhe burokracitë.  

“Ligji Nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” Neni 1 Objekti i ligjit 1. Ky ligj vendos tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH-në). 2. TVSH-ja është një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe behet e kërkueshme për t’u paguar pas zbritjes së TVSH-së që rendon drejtpërdrejt elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve”, shkruajnë më tej në letër.

Për këtë arsye, sipas tyre, tregu i brendshëm i fruta-perimeve është aktualisht 90% informal dhe shteti nuk vjel TVSH që konsumatori e paguan. "Edhe ne si eksportues dhe agropërpunues e kemi të nevojshme të dalim në tregun vendas, qofte me produktet që kanë standard eksporti, por edhe me produkte më pak cilësore që mund të përdoren në industrinë përpunuese, por që në këto kushte e kemi të pamundur, pasi na intereson më mirë ta asgjësojmë për shkak të tatimit që do paguanim", shuhet më tej në kërkesën e tyre.

Nisur nga fakti që këtë periudhe ka ngritje të çmimeve të imputeve bujqësore në masën 30-100% për shkak të krizës globale energjetike, ata kërkojmë shtyrjen në kohë të aplikimit të TVSH-së në shkallen 10% si kundër është paraqitur në projekt paketën fiskale për vitin 2022.”

Në letër, sindikata thotë dhe duan krijimin në MBZHR të një zyre apo agjencie për studimin e tregjeve dhe orientimin e fermerëve, në bashkëpunim me shërbimin e ekstensionit dhe specialistet e Drejtorive Rajonale të Bujqësisë. Garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore, ristrukturimin dhe rishikimin e bazës ligjore që rregullon veprimtarinë e AKU-së dhe ngritjen e Urdhërit të Agronomit.

Më tej, fermerët kërkojnë heqjen e Listës B të pesticideve dhe krijimin e një agjencie që të studiojë tregun e brendshëm e të jashtëm të produkteve bujqësorë, duke evidentuar asortimentet dhe sasitë qe absorbojnë këto tregje në periudha të caktuara të vitit dhe në bazë të këtyre të dhënave të bejë një orientim makro për fermerët shqiptare për çfarë dhe sa duhet të mbjellin, kështu zbuten ose shmangen krizat e forta të tregut.

Ky lloj shërbimi, sipas fermerëve do t’i ndihmonte ata për të qenë më të orientuar për vendimmarrjen e tyre në përzgjedhjen e kulturës, varietetit, afateve kohore, teknologjisë se aplikuar etj. Si model të shërbimit të ekstensionit propozojmë modelet e Italisë apo Greqisë, ku çdo agronom ka të kontraktuar një numër fermerësh që mbikëqyr dhe për të cilët mban përgjegjësi deri te firmosja e certifikatës fitosanitare që tek ne e firmos qorrazi një agronom, qe nuk ka lidhje me fermerët, por që thërritet nga grumbulluesi para nisjes se trajlerit për eksport.

“Kërkojmë nga qeveria të angazhohet të rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e palëve në këtë treg. Aktualisht fermerët janë të pambrojtur ne treg në aspektin e likuidimit të faturave të tyre nga grumbulluesit”,-thuhet në letër duke iu referuar modelit të zbatuar nga Maqedonia e Veriut, ku grumbulluesit dhe tregtarët e fruta-perimeve regjistrohen edhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe përveç standardeve të tjera mbyllin dhe një fond garancie, i cili garanton likuidimin e faturave të fermerëve brenda një afati 60 ditor të përcaktuar në ligj.

Ndërkohë, fermerët në qytetin e Lushnjes kanë protestuar dy ditë nëpër rrugët e qytetit kundër paketës fiskale dhe heqjes së TVSH-së së rimbursueshme me 6%, ku janë përplasur dhe me policinë. Paketa e Re Fiskale u miratua të hënën e 25 nëntorit në Kuvend bashkë me buxhetin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë