Shqipëria është tashmë pjesë e një projekti të rëndësishëm rajonal, mbi zhvillimin e një klasteri për industrinë europiane të makinave, një bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit për krijmin apo integrimin e një industrie për prodhimin e automjeteve në rajon.
Projekti i iniciuar dhe nën përgjegjësinë e Dhomës së Forumit të Investimeve, WB6, dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, RCC, pritet të përfundohet brenda vitit 2022 dhe është konfirmuar dhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vendin tonë si autoritet ndërmjetësues.
Përfaqësues të MFE-së tregojnë për Gazetasi.al detajet e këtij projekti që shërben si një katalizator për integrim më të thellë ekonomik rajonal dhe një hap përpara drejt Tregut të Vetëm Europian.
Plani i një klasteri që do të orientojë Ballkanin drejt tregut industrial europian është nënshkruar 1 vit më parë, nga udhëheqësit e Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur më 10 nëntor 2020 në Sofje.
Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është rritja e konkurrencës dhe aftësisë së punës që vjen nga krijimi i lidhjeve me partnerët globalë të industrisë së automjeteve për të krijuar së bashku module specifike të trajnimit digjital mbi automjetet.
WB6 dhe RCC do të mbyllin hartimin e iniciativave të këtij plani brenda 2021-shit me kryerjen e takimeve dypalëshe të ekonomive në rajon dhe në 2022-shin nis puna për jetësimin e planit për të përfunduar brenda të njëjtit vit, me qëllimin e zhvillimit të mëtejshëm të industrisë së automjeteve në rajon.
Gjatë vitit që vjen do të mbahet Panairi Rajonal i Prodhimit të Automjeteve, që promovon potencialin ekzistues të kësaj industrie në rajon nga ku pritet të kryhet hyrja në tregjet globale, të forcohet industria rajonale dhe të nxitet inkurajimi i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë rajonal.
Përfaqësues nga Ministria tregojnë se janë 4 sektorë që do të bëhen pjesë e planit për zhvillimin rajon të industrisë, industria e lehtë (sistemet elektrike/elektronike, industria e automobilave (pajisjet dhe komponentët për industrinë e automobilave-plastikës, gomës, makinerive/pajisjeve), industria agroushqimore dhe ekonomia qarkulluese.
Momentalisht, plani ka nisur të zbatohet si nsimë pilot nga Forumi i Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF) vetëm në sektorin e automjeteve, që ka iniciuar me mbledhjen digjtale të databazës së të dhënave. Këto databaza përfshijnë informacione mbi tregjet, partnerët dhe vetë kompanitë e interesuara e do t’i ofrohen kompanive që operojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më specifikisht, të dhënat që kërkohen janë listat përshkruese të çdo produkti që importohet dhe eksportohet nga shtetet ballkanike. Llojet dhe vlerat e taksave për çdo vend të Ballkanit Perëndimor dhe për çdo kod produkti. Informacion për rregullat e origjinës për eksportuesit/importuesit brenda Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Informacionin e përgjithshëm dhe kërkesat specfike (vetëm për produkte të caktuara) për produkte të tregtuara brenda Ballkanit Perëndimor (sanitar, fitosanitar, veterinar, teknik.).
Kështu, sipas MFE-së, të dhënat e Inteligjencës së Tregut, do të mundësojnë vlerësimin e nivelit të konkurrencës në tregun ndërkombëtar, të analizojnë performancën aktuale të eksportit për të arritur nivelin e konkurrueshmërisë në një treg të caktuar eksporti.
Lind mundësia për të identifikuar tregje të reja të furnizuesve, për të shtuar një grup produktesh/shërbimesh të ngjashme në tregun në shqyrtim, për të vlerësuar performancën e tregtisë kombëtare dhe identifikimin në tregtinë dypalëshe ekzistuese dhe potenciale me çdo vend apo rajon partner.
Databaza do të mundësojë gjithashtu takime B2B dhe Platformën e Eventeve (duke përfshirë modulin B2B, modulin e menaxhimit të eventeve dhe modulin supply chain).
Plani i veprimit është pjesë e projektit “Tregu i Përbashkët Rajonal 2021-2024” ku përfshihet Zhvillimi Rajonal i Industrisë, Programi Rajonal Për Zhvillimin e Furnizuesve dhe Zinxhirët e Vlerës së Industrisë së Automjeteve.
Përveç tregut tradicional të shit-blerjes së makinave, Shqipëria ka qenë bërë pjesë e një tregu të tillë pa një marrëveshje. Kompani gjermane të industrisë së automjeteve, ndër më të famshmet “Forschner” kanë vite që operojnë në vendin tonë në ndërtimin e pjesëve përbërëse të automjeteve. Një ndër arsyet që e pranojnë dhe vetë punonjësit e kompanisë gjermane është niveli i ulët i pagave minimale apo mesatare në vendin tonë.
Një makinë shqiptare është ideuar për herë të parë në filmin amerikan “The Tartan Prancer” në vitin 2015 e quajtur “Albanian Honda”, por që në film kishte shumë probleme teknike dhe nuk ishte aspak funksionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.