Ndërsa liderët botërorë mblidhen në Glasgow dhe “përgatiten” për të ngrënë ushqimet më të mira në COP26, teknologët e ushqimit duan urgjentisht që ata të kuptojnë rolin që proteinat alternative mund të luajnë në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Etja për qumësht pa qumësht është tashmë e madhe. Një në tre britanikë tani pi qumësht me bazë bimore rregullisht. Pra, ndoshta ngrënia e rregullt e mishit që nuk ka asnjë lidhje me fermat mund të jetë një hap logjik?
Ky nuk është thjesht një mendim. Në dhjetor 2020, Singapori u bë vendi i parë që miratoi shitjen e proteinave të rritura tërësisht në laborator.
Studiuesit në shumë vende janë në kërkim të alternativave ndaj mishit tradicional, sepse kafshët po ndihmojnë në rritjen e temperaturave globale.
Për këtë, shumë shkencëtarë kanë filluar të mbledhin qelizat e muskujve nga kafshët për t’i rritur në laboratorë.
Një market në San Francisko tani po shet copa pule të rritura në laborator në Singapor, një veprim që është pjesë e strategjisë afatgjatë të sigurisë të vendit.
Por, cilat janë pengesat që shumë vende të tjera të bëjnë të njëjtën gjë?
“Problemi i vërtetë për të gjithë këtë është marrja e një miratimi”, thotë Carsten Gerhardt, analist në sektorin e ushqimit dhe bujqësisë.
Në Evropë, Holanda është në krye të teknologjisë së mishit të rritur në laborator, ku analistët presin që prodhuesit Moas Meat dhe Meatable të shtyjnë miratimin rregullator të BE-së në vitet e ardhshme. Në SHBA, pritet që Memphis Meats dhe Neë Age Meats të mbështetur nga Bill Gates të bëjnë të njëjtën gjë.
Por miratimi nuk është pengesa e vetme për rritjen dhe zgjerimin e biznesit të mishit të kultivuar, pasi ulja e kostove të përbërësve do të jetë vendimtare.
Ka përbërës që duhet të krijohen tërësisht në laborator, pa marr asnjë përbërës nga kafshët dhe kjo ka shumë kosto dhe për produktin që do të dalë në treg.
Gjithashtu, kultivimi i mishit në laborator është një proces i ngadalshëm dhe intensiv me energji.
Dy studime të veçanta të kryera në fillim të këtij viti zbuluan se, me investime, kostoja e prodhimit të mishit të kultivuar mund të bjerë për të konkurruar me mishin konvencional deri në vitin 2030. Njëri studim tregoi se mishi i kultivuar gjithashtu parashikohet të përbëjë 35% të tregut global të mishit deri në vitin 2040.
Disa raporte kanë treguar se mishi i rritur në laborator mund të sjellë përfitime të mëdha mjedisore, emetime më të ulëta plus më pak përdorim të tokës dhe ujit. Megjithatë, një studim më i fundit amerikan paralajmëron se këto përfitime mund të vijnë në kurriz të përdorimit shumë më intensiv të energjisë pasi i gjithë procesi largohet nga bujqësia dhe industrializohet.
Cyrille Filott, strateg global për ushqimet e konsumit thotë se sa kohë dhe punë duhet që njerëzit të pranojnë risi të tilla dhe të përshtaten me këtë.
Filott shton se një moment historik i rëndësishëm do të jetë pranimi i produkteve hibride. Produktet hibride janë zëvendësues të mishit me bazë bimore që përmbajnë përbërës të rritur në laborator si yndyrnat. Nëse këto produkte pranohen nga konsumatori, ai thotë se zhvillimi i produkteve të rritura plotësisht në laborator mund të përshpejtohet.
Një pjesë e vogël e kompanive po punojnë tani për “printer 3D” që mund të ndërtojnë darkën ndërsa prisni, duke printuar mijëra shtresa të para-programuara, të holla, të grumbulluara njëra mbi tjetrën, që në fund bëjnë një hamburger.
Printerët që mund të dizajnojnë petulla, akullore dhe ëmbëlsira sipas porosisë janë tashmë të njohura në disa supermarkete të nivelit të lartë.

Kjo lloj teknologjie ka kaluar në tjetër nivel ku në shkurt, duke punuar me fakultetin e inxhinierisë biomjekësore në Institutin e Teknologjisë Technion-Izrael, firma në Izrael, Aleph Farms, krijoi biftekun e parë në botë të rritur në laborator në këtë mënyrë, duke përdorur printimin 3D.
Nanoteknologjia përmendet më shpesh në prodhimin e çipave për telefona, sesa për patate të skuqura. Megjithatë, ajo gjithashtu ka shumë lidhje edhe me sektorin e ushqimit. Duke përdorur nanomateriale të vogla, tani është e mundur të krijohet paketim që i mban produktet të ngrënshme për më gjatë.
Nanopack është një prototip i ngjashëm me frigoriferin ku eksperimentet treguan se parandaloi shfaqjen e mykut në bukë me tre javë dhe zgjati kohën e shitjes së qershive të freskëta dhe afatin e ruajtjes së djathit me 40% dhe 50%.
Supermarketi i së ardhmes mund të shkojë edhe më tej, duke përfshirë paketimin inteligjent të ushqimit me nanosensorë të vegjël, të cilët doktoresha Seda Erdem në Universitetin Stirling shton se mund të “raportojnë dhe përcjellin” informacione të përditësuara tek blerësi për përmbajtjen e tyre.
Po kur bëhet fjalë për manipulimin e vetë ushqimit? Hulumtimet nga disa vende tregojnë mundësi pothuajse të pafundme për të përmirësuar shijen dhe strukturën e ushqimeve, për të reduktuar përmbajtjen e yndyrës ose për të përmbledhur lëndët ushqyese si vitaminat për t’u siguruar që ato të mos degradohen gjatë afatit të përdorimit të produktit.
Megjithatë, në këtë fushë, rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar, Agjencia e Standardeve të Ushqimit në raportin e saj të fundit duket ende pak e shqetësuar, duke mbajtur një qëndrim shumë të kujdesshëm pasi mbetet e paqartë se cili mund të jetë ndikimi afatgjatë i ndërlikimit me këto blloqe të vogla ndërtimi në pjesën tjetër të zinxhirit ushqimor.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



