Treg

Shtrenjtimi i qumështit pluhur shqetëson industrinë e përpunimit, produktet e bulmetit mund të shtrenjtohen

Produktet e bulmetit rrezikojnë të pësojnë një shtrenjtim të çmimeve për shkak të taksimit me 100 lekë për kilogramë të qumështit pluhur që importohet dhe prodhohet në vend, gjë që është pritur me shqetësim nga industria e përpunimit të qumështit.

 Sipas shoqatës së agrobiznesit, ky shtrenjtim i qumështit pluhur do të shoqërohet me disa efekte në treg që do të dëmtojnë prodhuesit dhe konsumatorët si dhe do të ulë cilësinë.

“Efekti i parë i këtij vendimi do të jetë fakti që do të kemi më shumë produkte importi.

Efekti i dytë është që do të varemi nga konjukturat e tregut ndërkombëtar që nuk janë favorizuese për Shqipërinë por janë gjithmonë në rritje. Nuk do të jemi konkurrues në rajon përsa i përket politikës që po ndjekim për Ballkanin e Hapur dhe sigurisht që do të kemi kosto të larta të prodhimit vendas dhe një shpopullim të zonave rurale për shkak të mungesës së efektivitetit të veprimtarisë së fermerëve në të gjithë këtë proces.

Çmimi parashikohet të rritet 30 deri në 40% për të gjithë nënproduktet e qumështit dhe për qumështin e freskët në tregun e vendit. Ky është një parashikim që bëjnë fabrikat nga kontaktet që kemi me ta nga të cilat askush nuk e ka mirëpritur një gjë të tillë.”-thotë për Gazetasi.al Agim Rrapaj, drejtuesi i këshillit të agrobiznesit shqiptar.

Agim Rrapaj

Rrapaj shton se nuk kemi prodhues të qumështit pluhur që të favorizohen, nuk kemi asnjë dëm nga qumështi pluhur tek prodhuesit e qumështit të freskët, por problem është çështja e cilësisë së qumështit dhe enzimave që përdoren në këtë drejtim të cilat janë pjesë e parregullësive që duhen rregulluar.

Në paketën e re fiskale që iu është dërguar për konsultim grupeve të interesit qeveria parashikon gjithashtu heqjen e TVSH-së të rimbursueshme për blerjet nga 6% që është aktualisht si dhe përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë që është aktualisht.

Këto ndryshime kanë ngjallur shqetësime të operatorëve në treg që prej 3 vitesh vuajnë shtimin e kostove nga ndryshimet e skemës të rimbursueshme të TVSH-së.

“Qumështi pluhur nuk ndikon te prodhuesit e qumështit siç duan ta justifikojnë. Nuk ndikon për arsye se çmimi i qumështit pluhur cilësor krahasuar me qumështin e freskët është më i madh dhe kjo nuk nxit fabrikat e qumështit që të importojnë qumësht dhe të lënë qumështin e freskët pa grumbulluar.

Ne nuk është se na ka mbetur qumësht pa grumbulluar nga fabrikat apo nuk kemi kapacitete për të përpunuar qumështin e freskët por përkundrazi.

Dëmi që i shkaktohet procesit të përpunimit të qumështit është shumë i madh,natyrisht që 100 milionë lekë që parashikohen si të ardhura në buxhet ta ndikojnë dhe rëndojnë konsumatorin.

Me këtë situatë  do të rriten çmimet duke patur parasysh që vitin tjetër nuk do të jetë as rimbursimi i Tvsh-së, këtij 6 përqindëshi që është, plus edhe elementet e tjera të kostos që rriten siç është energjia elektrike dhe karburanti që ndikojnë gjithashtu tek çmimi i produktit.”-vijon më tej ai.

Rrapaj ashtu si dhe operatorët në treg e shohin heqjen e Tvsh-së si një veprim mjaft të gabuar për shkak se ajo ka qenë një instrument i suksesshëm i formalizimit të fermerëve.

“Ne sot kemi 82% të fermerëve të paformalizuar dhe përveç instrumentit të naftës që jepet falas, nuk kemi një instrument tjetër që të ndikojë dhe favorizojë këtë proces, pra heqja e Tvsh-së do të thotë heqja e një instrumenti që formalizon fermerët dhe që është një plagë e madhe informaliteti në këtë sektor.

Heqja e Tvsh-së do të ndikojë patjetër në kosto. Ashtu siç ndikoi heqja e tvsh-së 14% dhe reduktimi në 6% duke rritur importin e qumështit për arsye se një pjesë e mirë e fermerëve u larguan nga prodhimi i qumështit për arsye të çmimit dhe të kostos së lartë dhe për arsye se fabrikat hoqën dorë nga grumbullimi i fermerëve që kishin një tufë të vogël bagëtish të imëta.”

Sipas operatorëve të tregut, heqja e 6 përqindëshit do të favorizojë importuesit dhe meraku i tyre  është që qendrat e grumbullimit të cilat janë ndërtuar për të marrë prodhimet vendase mund të ndryshojnë destancionin dhe nga prodhues vendas t’i kthehen importit.

Ata e shohin këtë si një rrezik shumë të madh që është real sepse ashtu siç ndodhi me qumështin, mund të ndodhë edhe me produktet e tjera që  janë lëndë të para që prodhojnë prodhuesit shqiptarë.

“Kjo është një masë e pastudiuar. Në këto kushte heqja e Tvsh-së do jetë një veprim akoma më i gabuar dhe do ndikojë negativisht në ndryshimin e raporteve import-eksport.

Këtë duhet ta parandalojmë në të gjitha mënyrat dhe mjetet në mënyrë që të mos prishim ecurinë e mirë që kemi patur deri tani.

Po bie ndjeshëm aktiviteti blegtoral  i fermave tona. Blegtoria është një ndër zërat kryesore të aktivitetit. Nga 354 mijë fermerë, 292 mijë merren me blegtori dhe këtu duhet patjetër të ndryshojmë politikën e ndjekur deri tani të Tvsh-së.

Ajo duhet të reduktohet dhe të formalizohet 6% në shitje dhe 6% në blerje ose ta bëjnë 0% dhe për pagesat e tjera. Rimbursimi dhe unifikimi i saj është një domosdoshmëri.”-mbyll fjalinë Rrapaj për Gazetasi.al.

Ngërçi që shkaktoi skema e re e Tvsh-së së qumështit para dy vitesh u prit me ankesa, diskutime dhe bojkote nga kompanitë agropërpunuese, situatë nga e cila ata jo vetëm nuk janë rikuperuar ende por me ndryshimet e reja, mund të vazhdojnë të vuajnë akoma më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë