Trashëgimi

Gërmimet arkeologjike “lëngojnë” nga mungesa e fondeve

Paratë shkojnë për shfaqje, por jo për gërmimet arkeologjike

Shqipëria është shquar që herët për pasurinë e saj arkeologjike, që pasqyron periudha të hershme të qytetërimeve. Nga Vermoshi në Konispol nuk mungojnë gjetjet apo informacionet për zona të pasura me objekte arkeologjike. Por ndryshe nga bota, në vendin tonë gërmimet arkeologjike për të nxjerrë në pah thesaret tona që i shërbejnë jo vetëm turizmit, por edhe historisë së vetë qendrave ku gërmohet, janë të pamjaftueshme.

Arkeologu i njohur, Skënder Muçaj, i mëshon fort faktit që gërmimet janë të pakta dhe kjo sipas tij vjen për dy arsye.

“Gërmimet arkeologjike varen nga sa personel ke dhe sa fonde monetare janë, të dyja këto janë përcaktuese. Kohët e fundit numri i arkeologëve është tkurrur shumë, pra arkeologët që punojnë tamam në sferën e arkeologjisë, se arkeologë ka shumë, por punojnë më shumë në pjesë që janë në zhvillim”, shprehet për Gazetasi.al arkeologu Skënder Muçaj.

Edhe arkeologia Lida Miraj është kritike lidhur me numrin e gërmimeve që bëhen.

Gërmime bëhen, por ata janë shumë të pakta. Duhen bërë shumë më tepër që të nxirren thesaret tona të pasura arkeologjike. Duhet evidentuar trashëgimia jonë kulturore që është një mrekulli”, thotë arkeologia Lida Miraj për Gazetasi.al.

Arkeologia Lida Miraj

Arkeologia Miraj nuk jep një arsye specifike për gërmimet e pakta që realizohen, por pohon në mënyrë kategorike që duhet të bëhen më shumë.

“Nuk e di arsyen se përse bëhen pak, por them që do të ishte mirë të bëheshin shumë më shumë. P.sh gërmimet në Koman të Etleva Nallbanit kanë nxjerrë në dritë fakte të mrekullueshme”, vijon Miraj.

Shkak për gërmimet e pakta sipas arkeologut Skënder Muçaj është mungesa e arkeologëve të kualifikuar.

“Kualifikimi më i mirë arrihet në gërmimet e vazhdueshme që bëhen në qendra të rëndësishme, kështu që arkeologët specializohen në periudha të ndryshme në kohë të ndryshme ose për një degë të caktuar të arkeologjisë. Kjo vitet e fundit nuk ka shkuar në drejtimin e duhur. Do duhet kohë për t’u krijuar një brez i ri tani edhe me perspektivë për të bërë të mundur dhe gërmimet”, thotë arkeologu, ndërsa shton se “pas viteve ’90, një pjesë e arkeologëve u largua nga vendi”.

Muçaj pohon se deri në vitet 2000 ka pasur edhe bashkëpunime me të huajt që rezultuan frytdhënëse, por shumë shpejt edhe ata u kthyen në ekspedita rutinë. 

Duke theksuar që numri i gërmimeve është kufizuar tashmë, dhe rezultati nuk është ai që pritet, ai thotë se duket se ka një përqendrim të gërmimeve arkeologjike vetëm në disa pika të territorit të vendit.

“Gërmimet janë përqendruar në pak qytete që janë tani në Antigone, ku punon Instituti i Arkeologjisë së bashku me një ekip italian, në Finiq po punohet fare pak, në Apoloni këtë vit nuk e di a kanë ardhur a s’kanë ardhur, punohet me francezë, por edhe aty ka vite të tëra që gërmimet janë të ngadalta dhe pa ndonjë rezultat shumë të dukshëm, konkret”.

Arkeologu Skënder Muçaj

Edhe pse këtë vit ka hyrë në lojë edhe Akademia e Shkencave me fondet e saj, që sipas arkeologut është një iniciativë e mirë, fondet janë sërish të pamjaftueshme.

“Ministria e Kulturës jep vetëm lejet, kurse fondet i kanë institucionet përkatëse vetë. Universitetet deri tani janë larg kësaj pune, megjithëse shumë universitete kanë degë të Arkeologjisë ose kanë lëndë arkeologjie, por puna që bëjnë ata është minimale. Praktikat mësimore që duhet të ishin patjetër të angazhuara nga universiteti, nuk realizohen”.

Arkeologu thotë se kohët e fundit ka pasur gërmime, që për “personelin që zotëron Ministria e Kulturës janë të mjaftueshme, por të pakta për territorin e Shqipërisë”.

“Ata kanë bërë disa gërmime si te Mozaiku i Tiranës, gërmuan një varrezë në Përmet”.

Një tjetër problem që arkeologu ngre është mungesa e vëmendjes nga pushteti lokal.

“Problemi është se nëse pushteti lokal, bashkitë nuk do të jenë të interesuara turizmin arkeologjik, edhe rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme. Njerëzit edhe në bregdet kur shkojnë, edhe duan të lëvizin të shikojnë kultura të ndryshme që janë zhvilluar në periudha të ndryshme të territorit tonë, mund të ketë muze të vegjël me karakter arkeologjik dhe këtë duhet ta bëjnë vetëm bashkitë. Deri më sot bashkitë janë jashtë loje”.

Ndër të tjera, Muçaj thotë se nuk kemi as fondacione që janë të interesuara për zhvillimin e arkeologjisë dhe kësaj pjese të kulturës në vendin tonë. “Kryesisht paratë shkojnë për show, por jo për këtë pjesë të kulturës, për trashëgiminë”.

Në fund, ai ka një apel për institucionet shqiptare.

“Le të ndjekim modelet që kanë edhe vendet e tjera, si Greqia, Italia, që janë të interesuara për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë