Shendet

Infertiliteti në Shqipëri në rritje, probleme në 25 përqind të çifteve

Meri është afër të 40-ave. Prej një viti e gjysmë, pas bashkëjetesës disa vjeçare me partnerin aktual, ajo po tenton të mbetet shtatzënë dhe të ketë më në fund fëmijën e saj. Por së fundi, mjeku u tha se ata nuk munden të kenë një fëmijë në mënyrë natyrale.

Por historia e Merit dhe partnerit të saj nuk është e rrallë në realitetin e sotëm. Në Shqipëri, vitet e fundit është shënuar një rritje e numrit të çifteve, të cilët nuk munden të lindin fëmijë, gjë që shihet nga një numër në rritje i grave që kryejnë fekondim artificial.

Infertiliteti është paaftësia e arritjes së një shtatzënie klinike pas kryerjes së marrëdhënieve seksuale të rregullta, të pambrojtura në një çift seksualisht aktiv për më shumë se 12 muaj (kur nuk ka arsye të tjera si ushqyerja me gji ose amenorrhea pas lindjes).

Në dokumentin strategjik dhe planin e veprimit për shëndetin seksual dhe riprodhues (2017-2021) të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë vërehet se në Shqipëri, ashtu si dhe në nivel global vihet re rritje e prevalencës së infertilitetit primar dhe sekondar.

Kjo prevalencë vjen në rritje dhe mendohet se do të vazhdojë të ketë një trend të tillë rritjeje për shkak të shtimit të faktorëve që veprojnë mbi të. Infertiliteti është i lidhur edhe me faktorë të stilit të jetesës si pesha trupore, duhanpirja dhe stresi.

“Në Shqipëri, për shkak të mungesës së një database të sëmundshmërisë, kemi vështirësi për përcaktimin e qartë të prevalencës së infertilitetit. Duke studiuar vendet e rajonit, shohim që incidenca e infertilitetit primar është 2-5%, kurse e atij sekondar është 18%. Në vendet me zhvillim të ulët ekonomiko-social, apo në ato raste kur faktorët etiologjik apo ato predispozues veprojnë në mënyrë të gjerë, incidenca e infertilitetit mund të shkojë deri në 25%.”, – vërehet në dokumentin në fjalë.

Sa përfitojnë çiftet shqiptare nga teknologjia e riprodhimit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se 168 milionë çifte në periudhën e riprodhimit me probleme të infertilitetit primar dhe/ose sekondar, kryesisht në vendet në zhvillim.

 OBSH-ja thekson se impakti psiko-social dhe socio-ekonomik i mospasjes së një fëmije është më i madh tek individët, çiftet dhe komunitetet, ku është më e vështirë diagnoza dhe trajtimi për shkaqe ekonomike.

Terapia konservative e trajtimit të infertilitetit bashkëshortor është një terapi e zgjatur dhe e kushtueshme. Njohja e protokolleve të përdorimit të medikamenteve, llojet e medikamenteve dhe doza e tyre nga personeli mjekësor është domosdoshmëri dhe nevojë urgjente, por shpeshherë kostoja është e papërballueshme nga të gjitha çiftet.

“Në botë, pas një periudhe aplikimi prej 30 vitesh të IVF-së dhe 15 vitesh të ICSI-së (injektimi intracitoplazmik i spermës), duhet të pranojmë që vetëm një pjesë e vogël e popullësisë botërore, ashtu edhe asaj në vendin tonë, përfiton nga teknologjitë e reja të riprodhimit. Kostoja e menaxhimit të infertilitetit përcaktohet nga përqindja e pacientëve që kërkojnë trajtim për infertilitet (në vend dhe jashtë), impakti i tij në popullatë dhe cilësia e trajtimit (kostoja totale e shoqërisë, shtatzënitë multiple, efektet anësore dhe shëndeti i fëmijës).”,- vërehet në Dokumentin Strategjik për Shëndetin Seksual, ndërkohë që merren referenca edhe nga raporte krahasuese në lidhje me infertilitetin në vendet në zhvillim të hartuara nga OBSH-ja.

Specialistët theksojnë se IST-të dhe infeksionet e traktit të riprodhimit janë një nga shkaqet kryesore të shkaktimit të infertilitetit bashkëshortor primar apo sekondar, prandaj lind nevoja e parandalimit dhe trajtimit të tyre.

“Kryerja jo e sigurt e lindjeve apo e ndërprerjeve vullnetare të shtatzënisë për sa i përket kushteve të asepsisë, është një hallkë e rëndësishme problematike e infertilitetit bashkëshortor. Nuk kemi raste të raportuara të ndonjë rasti të tillë që është komplikuar me infertilitetin primar apo sekondar së fundmi, megjithatë nevojitet kontroll i rreptë mbi këto procedura, rritje e nivelit të kontrollit apo investimeve mbi sterilitetin e instrumenteve dhe ambienteve ku kryhen këto procedura.”, – vërehet në dokumentin e hartuar nga specialistë të shëndetit publik dhe atij riprodhues.

Problemet lidhur me infertilitetin

 Aktualisht mungojnë të dhënat dhe shërbimet e standardizuara për infertilitetin. Rekomandimet e OBSH-së theksojnë identifikimin e veçantë të nevojës për akses universal të trajtimeve që mjekojnë infertilitetin në vendet në zhvillim, si dhe rëndësinë e një baze të dhënash të rasteve mjekësore të çifteve të trajtuara në mënyrë konservative, apo me anë të teknikave të riprodhimit të asistuar për mjekimin e infertilitetit.

“Mungojnë ndërhyrje parandaluese lidhur me infertilitetin. Infertiliteti bashkëshortor është një bashkim sëmundjesh dhe si i tillë mjekimi është i kushtueshëm, prandaj lind nevoja e vendosjes së theksit mbi parandalimin. Parandalimi është çelësi i suksesit, si në të gjitha sëmundjet mjekësore, edhe në rastin e infertilitetit bashkëshortor. Këshillimi i adoleshentëve, njohja me problemet e infertilitetit në moshë të hershme, njohja e të rinjve me traktin e tyre genital-riprodhues, IST-të, mbrojtja dhe edukimi, janë një hap i rëndësishëm për parandalimin e infertilitetit. Edukimi i çifteve për të njohur infertilitetin primar dhe sekondar, drejtimi i tyre drejt mjekut, heqja e frikës për diagnozën apo stigmën, janë disa nga hapat e parandalimit dhe trajtimit të tij.”, vërejnë specialistët.

Ata theksojnë se ende personeli i kujdesit shëndetësor, duke filluar nga KSHP-ja, nuk ka njohuri të plota dhe aftësi për këshillimin lidhur me infertilitetin, shkaqet dhe parandalimin e tij, veçanërisht për moshat e reja.

“Mungon njohja e mirë e problematikave të infertilitetit bashkëshortor nga ana e personelit mjekësor, si dhe mosnjohja e terapive të fundit apo teknikave të riprodhimit të asistuar nga ana e tyre. Ka mangësi në trajnime dhe certifikim të personelit mjekësor të përfshira në edukimin në vazhdim. Sistemi i referimit lidhur me trajtimin e infertilitetit nuk është evidentuar qartë. Mungon një database mbi sëmundshmërinë në Shqipëri në përgjithësi, si dhe i rasteve me infertilitet bashkëshortor primar apo sekondar, që bën që rastet të mos raportohen dhe terapia e marrë të mos evidentohet.”, – vijohet më tej në dokumentin strategjik për shëndetin riprodhues.

Mes shumë problematikave të tjera vërehet edhe nuk evidentohen rastet që i janë nënshtruar teknikave të riprodhimit të asistuar, se mungojnë vlerësime, studime mbi pengesat në aksesimin e kujdesit dhe trajtimeve të infertilitetit, si dhe raportimi i komplikacioneve të hasura në këtë rrugë. Ndërkohë nënvizohet edhe se jo të gjitha qendrat e trajtimit të infertilitetit janë të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare, gjë që sjell pasiguri për cilësinë e trajtimit të çifteve në këto qendra, si dhe mungesë kontrolli tëaftësive dhe performancës së tyre. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë