Pas një pune të gjatë, arkeologët kanë arritur të zbulojnë një objekt të rrallë në Bylis, një cisternë pranë shkallëve të stadiumit, ndërtuar në shekullin III, Para Lindjes së Krishtit.
Historiani dhe studiuesi Neritan Ceka e cilëson cisternën antike më të vjetrën në Ballkan, që daton në shekullin e tretë para lindjes së Krishtit.
“Kjo është pamja e cisternës dhe ka 6 ndarje, në shekullin e tretë para Krishtit shërbenin për mbledhjen e ujit që çonin në cisternën e madhe, 50 m e gjatë, 8 metra e thellë dhe 4 m e gjerë, zinte miliona litra ujë të stadiumit gjatë dimrit dhe ishte në shërbim të popullsisë ose rrethimeve ushtarake. Në këtë shesh mblidheshin rreth 10 mijë vetë gjatë festave të Dionisit. Stera e ujit përbëhet nga gjashtë pjesë, ku është zbuluar vetëm njëra pjesë e saj”, është shprehur arkeologu Neritan Ceka.
Lidhur me funksionalitetin e kësaj cisterne, arkeologu Skënder Muçaj shprehet për Gazetasi.al se “funksionale nuk mund të bëhet, megjithatë nëse suvaja e baseneve ruhet në gjendje të mirë, në pjesën e poshtme do të mbledhë ujin e shirave”.
Ndërkohë, gjatë gërmimeve kanë dalë në dritë objekte interesante të periudhës romake, deklaron arkeologu Skënder Muçaj siç është një objekt prej bronzi, si dhe forma të përgatitjes së enëve të qelqit.
Arkeologu Muçaj është shprehur se zbulimi premton nxjerrjen e të tjerave objekteve në dritë, ndaj “po u qëndrohet punimeve mbi kokë në ndjekje të çdo gjurme apo objekti që shfaqet”.
Sipas arkeologut, Skënder Muçaj, synimi i projektit të zbulimit është kërkimi i periudhës romake. Ai kujton që zbulimet më të hershme që janë bërë në Bylis i përkasin periudhës helenistike dhe antikitetit të vonë.
“Kërkimet arkeologjike në Bylis, të cilat po bëhen me aplikimin e metodave gjeofizike kanë nisur nga njësia e re ‘ArkeoBylis’ e ngritur në Akademinë e Shkencave në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë”, shkruan Akademia e Shkencave në rrjetet sociale.
Ndërkohë, Akademia sqaron ndër të tjera se “puna do të vijojë deri në 20 tetor, mbi këtë vepër të periudhës 2300-vjeçare që mbetet më e madhja e Ballkanit antik të asaj periudhe”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.