Një gjetje e vetme nga raporti prej 22 faqesh i Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me sigurinë ushqimore tërheq më shumë vëmendjen nga të tjerat dhe mund të në sugjerojë se në çfarë niveli është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve shqiptarë nga ushqimet e skaduara, apo toksike.
“Nga auditimi i praktikave të inspektimit të produkteve me origjinë shtazore, në 12 raste është konstatuar se produkti i mishit, i cili është konfiskuar gjatë inspektimit të subjekteve, të cilat kanë qenë në shkelje të ligjit, nga inspektorët është dërguar në ambientet e subjekteve private në një kohë që këto subjekte janë vetë objekt inspektimi”, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Pra, është si “t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë” dhe të presësh që ai të mos i hajë. Është e njëjta gjë në këtë rast, ku AKU ka ruajtur në frigoriferët e privatëve në të paktën 12 raste të identifikuara nga KLSh mishin e sekuestruar.
Arsyetimi i dhënë është se vetë Autoriteti nuk ka ambientet frigoriferike për ruajtjen e tij në kushte frigoriferike deri në masën kur do të vendoset për asgjësimin, apo jo.
Por, në rastet e identifikuara nga KLSH thuhet se ruajtja e mishit te privatët është bërë krejtësisht jashtë çdo parashikimi ligjor, pa një kontratë formale qiraje dhe pa asnjë garanci tjetër se subjekti privat që ka marrë në ruajtje këtë produkt të sekuestruar e të vlerësuar si të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve nuk do ta rihedhë atë në treg me një logo të re.
Për këtë pjesë, KLSh rekomandon që brenda këtij viti, AKU të marrë masat e nevojshme, duke analizuar dhe vlerësuar mundësitë e investimit në blerjen e dhomave frigoriferike, ose marrjes me qira të tyre, me qëllim që produktet, të cilat bllokohen gjatë inspektimit dhe që do të asgjësohen, të ruhen në këto ambiente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.