Kosova

Lëvizja e fundit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kërkohet të refuzohet kërkesa e Hashim Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar nga gjyqtari paraprak, Nicolas Guillou, që të refuzojë kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi për certifikim për të apeluar vendimin mbi mocionet që sfidojnë legalitetin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe ZPS-së, si dhe për pretendimet e shkeljet e disa të drejtave kushtetuese të akuzuarit, raporton “Zëri”.

Sipas ZPS-së, kërkesa duhet të refuzohet sepse nuk i plotëson kushtet për leje për ankim në bazë të nenit 45 të ligjit dhe rregullës 77 të rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata kanë pretenduar se Thaçi nuk e ka mbajtur përgjegjësinë e tij për të dëshmuar se cilado nga 8 çështjet qe i ngriti ai, meritojnë të apelohen ne këtë faze te procesit gjyqësor.

Ndryshe, certifikimi për apelim nga mbrojtja e Thaçit është kërkuar për tetë (8) çështje, ashtu siç bëhet e ditur në shkresën e publikuar në faqen zyrtare të gjykatës.

Në paraqitjet e tyre të para më 9 nëntor, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë