Trashëgimi

Si u “rivarrosën” objektet arkeologjike në Durrës

Gërmimet arkeologjike pranë sheshit “Pranvera” në Durrës u ndërprenë përfundimisht. Fadroma mbuloi gjithçka, duke groposur në këtë mënyrë të tjera dëshmi të historisë së qytetit antik, ndërsa arkeologët kanë nxituar të bëjnë dokumentimet e fundit të gjetjeve dhe t’i konservojnë ato në zemër të tokës. 

Ndërprerja e punimeve dhe mbulimi i këtyre objekteve arkeologjike erdhi pasi Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Myftinia e Durrësit, kërkoi nga autoritetet ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, duke qenë se lulishtja pranë filialit të postës rezulton në pronësi të tyre.

Por a duheshin betonizuar zbulimet arkeologjike?

Akademiku dhe studiuesi Emin Riza, thotë për Gazetën “Si” se objektet arkeologjike duheshin nxjerrë dhe mbrojtur nga shteti.

“Nëse janë zbuluar objekte arkeologjike, ata duhet të nxirreshin dhe në këtë rast, ata ruhen nga shteti. Pavarësisht se ajo tokë mund të jetë e privatit, objektet nuk mbulohen me dhe, por nxirren dhe mund të ruheshin për shembull te Muzeu i Durrësit”, thotë akademiku Riza për Gazetën Si.

Edhe arkeologia dhe arkitektja Lida Miraj thotë se zbulimet duheshin nxjerrë dhe ruajtur, pasi sheshi “Pranvera” në Durrës është zonë A dhe mbrohet me ligj.

“Pasuritë kulturore nuk janë të personave të caktuar. Ajo zonë është nëntokë muze, mbrohet nga shteti”, shprehet Miraj për Gazetën “Si, por shton se gjithmonë kur nisin gërmimet arkeologjike duhet të ketë edhe rakordanca ligjore.

Edhe pse Myftinia e Durrësit kërkoi ndërprerjen e punimeve dhe mbylljen e gërmimeve duke qenë se lulishtja rezulton në pronësi të tyre, ligji për trashëgiminë thotë se vlerat kulturore mbarten edhe kur janë në pronësi të bashkësive fetare dhe personave fizikë apo juridikë privatë.

Ligji për trashëgiminë kulturore

Gazeta Si u interesua edhe pranë Institutit të Arkeologjisë që është përgjegjës për veprimtarinë gjurmuese e kërkimore arkeologjike në gjithë Shqipërinë. Ata nuk kanë një përgjigje për mbulimin e këtyre objekteve me dhe, por thonë se pas zgjidhjes së këtij ngërçi që u krijua, do të nisin sërish gërmimet.

“Në dijeninë tonë, hapësira ku po kryheshin gërmimet në kuadër të projektit kërkimor-shkencor Dyrrhachium në Antikitetin e Vonë, të paktën që prej viteve 80' të shekullit të shkuar ka shërbyer si lulishte, pra hapësirë publike. Por duke qenë se kjo hapësirë figuron në pronësi private, në respektim të të drejtës së pronës, ne i mbyllëm gërmimet dhe zona u kthye në gjendjen e mëparshme. Ndërkohë do të hartojmë relacionet përkatëse mbi potencialin arkeologjik të zonës në fjalë, në mënyrë që, në bazë të ligjeve në fuqi, të merret në mbrojtje dhe t'i hapet udhë kërkimeve të programuara”, thotë për Gazetën “Si” Belisa Muka, drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë. 

“Ne i mbulojmë objektet e gjetura gjithmonë, për faktin se dëmtohen nga faktorë natyrorë, aq më tepër kur kemi të bëjmë me gërmime në përmasa të vogla të karakterit sondazh”, thotë drejtuesja e këtij projekti, Brikena Shkodra.

Lidhur me përplasjen për gërmimet arkeologjike në këtë zonë të mbrojtur në Durrës, akademiku Riza thotë se që të mos ndodhin veprime të tilla, duhet të ketë dhe një koordinim privat-shtet në çështjen e lejeve.

“Si fillim, Instituti që ka nisur gërmimet duhet të bënte një kërkesë te privati, pasi arkeologët që kanë nisur punimet nuk punojnë privatisht. Kjo do të shmangte dhe ndërprerjen e punës së arkeologëve dhe fatin e këtyre zbulimeve arkeologjike”, thotë akademiku Riza.

Për arkeologun Mariglen Meshini, problemi në këtë rast nuk qëndron te mosvijimi i gërmimeve apo nxjerrja e objekteve. Sipas tij, problemi qëndron te mosrakordimi i Institutit të Arkeologjisë me Komunitetin Mysliman.

“Nuk ka të bëjë me mbulimin e objekteve arkeologjike, më shumë ose me mosvijimin e gërmimeve, por ka të bëjë me mosrakordimin midis Insitiutit të Arkeologjisë që është autoriteti në këtë rast që ka planifikuar gërmimet dhe do të kryejë gërmimet dhe faktit që kemi të bëjmë me një pronë private të Komunitetit Mysliman Shqiptar, institucione të cilat duhet të ishin rakorduar më parë, para se të merrnin leje nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, pra të kishin bërë një marrëveshje për gërmimin në këtë zonë, e cila në fakt është me certifikatë është një pronë private, dhe më pas të vijonte gërmimi arkeologjik”, thotë Mariglen Meshini për Gazetën “Si”.

Ai shton se “Instituti i Arkeologjisë nuk është interesuar për këtë zonë për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me një zonë private apo me një hapësirë publike për të cilën mund të adresohej në bashki apo diku tjetër. Pra, për të vijuar gërmimet më pas dhe për të zbuluar objektet do të duhet një marrëveshje me Komunitetin Mysliman Shqiptar”.

Prej një muaji në qytetin e Durrësit, sondazhet po kryheshin në kuadër të projektit kërkimor shkencor ”Dyrrachiumi në Antikitetin e Vonë” të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Përgjatë historisë së tij, thuajse 3000-vjeçare,  nëntoka e Durrësit është shpallur nëntokë-muze dhe mbrohet me ligj nga shteti. Gjatë dekadave të fundit shkatërrimi i pasurisë së nëntokës dhe betonizimi i zbulimeve arkeologjike nuk është një praktikë e panjohur në vendin tonë, edhe pse arkeologët çdo ditë e më shumë i mëshojnë faktit në ruajtjen e rrënojave arkeologjike, si një aset i çmuar i trashëgimisë sonë kulturore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë