Ngjarje

Beteja për Vjosën: Si po shuhet e fundmit “Zemër e Kaltër” në Ballkan 

17 shtatori hap siparin e të trembëdhjetit edicion të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – IHRFFA, i cili këtë vit është i fokusuar në filmat me tematikë mbi kërcënimin e së vërtetës, ku mes 3 mijë e 400 aplikimeve  janë përzgjedhur 43 produksione, që do të ekranizohen për publikun kryeqytetas, deri më 22 shtator në mjedise si Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në’ Europe House’ tek Pallati i Kongreseve, në Akademinë e Sigurisë,  në Destil, si edhe në instalacionin Reja, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve dhe COD.

Mes këtyre produksioneve të përzgjedhura vjen edhe filmi “Zemra e Kaltër”, një film i cili dokumenton betejën për Vjosën, në Shqipëri, lumi më i madh pa digë në Europë, dhe situata të ngjashme në Ballkan.Ky film dokumentar prej 92 minutash, një bashkëprodhim amerikan, shqiptar, boshnjak  dhe maqedonas , i realizuar më 2018-ën, me regji të Britton Caillouette,  rrëfen sesi gadishulli i Ballkanit është streha e fundit e lumenjve të egër në Europë, por që vërshimi  me ndërtime hidrocentralesh kërcënon të shkatërrojë kulturën dhe ekologjinë e këtij rajoni të harruar. Mesazhi që përcjellin autorët e këtij dokumentari është se nëse kundërshtimet e ashpra lokale nuk kanë sukses, përrenjtë vezullues, degëzimet e tërbuar e të shpejtë të lumenjve, rrymat e ndërthurura të pellgjeve të fundit të pambrojtura në kontinent do t’u pritet rrjedha nga më shumë se 3 mijë diga të propozuara.

https://www.youtube.com/watch?v=fe510MewjCI

Aktivistë, të cilët shtrihen në hapësirat e brigjeve të këtyre lumenjve në gjashtë vende, dhe  organizata jo qeveritare  europiane si Riverwatch –drejtuar  nga aktivisti gjerman Ulrich Eichelmann –po  luftojnë kundër korrupsionit të thellë të qeverisë dhe shumave të mëdha të parave nga jashtë.Prej dy vitesh janë organizuar një sërë koncertesh-protestë nga një grup aktivistësh dhe muzikantësh, me thirrjen “Mos ma prek Valbonën” dhe “Mos ma prek Vjosën” me qëllim ndërgjegjësimin dhe ndalimit të ndërtimit të hidrocentraleve në këta lumenj që do të dëmtonin përgjithnjë natyrën dhe ekosistemin. Këngëtare si Eda Zari dhe Elina Duni kanë qenë shpesh të pranishme në të tillë koncerte organizuar si në luginën e Valbonës ashtu edhe në kryeqytet.

“Beteja nuk ka marrë fund. Së shpejti do të kemi edhe një himn për Valbonën dhe Vjosën” – ka shkruar në Facebook-un e saj këngëtarja Elina Duni, ndërsa ka bërë të ditur se në këtë nismë do i bashkohen aktivistë dhe muzikantë si   Eda Zari, Sokol Çunga, Gert Kapo, Kleidi Eski, Emiljan Dhimo, Shpat Deda, Linda Rukaj, Mikaela Minga, Shoq Selimaj, etj.

Eda Zari dhe Elina Duni, në koncertim-protestë "Mos ma Prek Valbonën", tetor 2016

Prej ditës kur u gjendën të dyja në Valbonë, Eda Zari dhe Elina Duni parapëlqejnë ta shohin veten si shtojzovallet, e sic kanë lajmëruar do të mblidhen sërish në të mirë të lumenjve. Më 29 shtator, Eda Zari  do të jetë në Sarajevë  në një koncert për të gjithë lumenjtë e rrezikuar të Ballkanit, të cilët  filmi “Zemra e kaltër” i prek. Do të ngjiten në skenë së bashku me një sërë artistësh të tjerë të njohur nga rajoni, në mbështetje të kauzës “Të shpëtojmë zemrën blu të Europës”. “Lum lumi i lirë!!” – uron Zari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë