Nëntë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, të arrestuar për abuzim me tenderin e uniformave të policisë, kërkojnë lirinë në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Seanca gjyqësore ka nisur mëngjesin e kësaj të premteje dhe po viujon me dyer të mbyllura.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg 8 prej tyre dhe vetëm 1 në arrest shtëpie për shkak se duhet të kujdesej për fëmijën e vogël.
Mes të arrestuarve që kanë kërkuar lirinë është edhe ish-drejtoresha Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, e cila u shkarkua nga kjo detyrë vetëm një javë para se të arrestohej.
Në burg janë: Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme;
Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara; anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri e Gëzim Mingaj. Ndërsa në arrest shtëpie është Anisa Bogdani, e cila duhet të kujdeset për fëmijën e mitur.
Të pandehurit kanë mohuar çdo akuzë, duke pretenduar se tenderimi i uniformave i është përmbajtur procedurave të prokurimit publik.
Por, ndërkohë, anëtarja e Njësisë së Prokurimit, Aurora Mullaj dëshmoi mbi skemën me anë të së cilës u favorizua kompania fituese e tenderit, me vlerë 2.8 miliardë lekë.
Procedurat e tenderimit nisën që në vitin 2019 dhe sipas dhe ligjeve në fuqi, ai duhet të ishte i ndarë në tre pjesë të ndryshme, duke filluar më uniformat, këpucët dhe shpërndarja.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Brendshme ka bërë bashkimin e të tre këtyre pjesëve në vetëm një të tillë, çfarë ka çuar deri në rritje të çmimit, ulje të sasisë së materialeve dhe reduktim të cilësisë.
Skandali u denoncua verën e kaluar nga opozita, por personi që nuk iu nda çështjes ishte deputeti Myslim Murrizi, i cili tha se kompania fituese e përzgjedhur, fitoi nga ku u llogarit se vetëm për këpucët, ishin futur zë më vete, 214 milionë lekë, ndërsa 612 milionë për uniformat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.