Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin për shitjen e një obligacioni me vlerë 4.8 miliardë lek, ose rreth 39.2 milionë euro me afat maturimi 2-vjeçar. Ankandi u zhvillua në lek për llogari të qeverisë shqiptare, që e siguroi këtë borxh nga institucionet financiare, apo dhe individë e të tjerë.
Ankandi me numër 205 i Bankës së Shqipërisë është zhvilluar më 22 korrik dhe ka një kupon indikativ prej 1.8 për qind. Ky është ankandi i shtatë i obligacioneve me afat maturimi dyvjeccar i shpallur nga Banka e Shqipërisë brenda këtij vit për llogari huamarrjeje të Qeverisë.
Shumat e këtyre ankandeve të shpallura variojnë nga 3 deri në 6.9 miliardë lek.
Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm.
Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesëm dhe afatgjatë me maturitet 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçar. Interesi i përfituar në formën e kuponit, paguhet nga Qeveria çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit.
Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por, mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe një e marzhi fiks, që përcaktohet në ankand.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



