Refzuohet për të tretën herë kërkesa për një masë më të butë sigurie ndaj ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ka pranuar ndryshim të masës së sigurisë për Hoxhën, e cila qëndron në burg prej 5 muajsh me akuzën për korrupsion.
Avokati ka paraqitur para gjykatës raportet psikologjike për fëmijën, raport rëndimi shëndetësor i djalit, si edhe raport mjekësor i babait të saj. Hoxha ka bërë deri më tani 7 kërkesa për masë më të butë sigurie, 4 në Shkallë të Parë dhe 3 në Apel.
Kërkesa është bërë me argumentin se nuk ka se kush të përkujdeset për fëmijët e saj të mitur, njëri prej të cilëve vuan nga problemet e shëndetit mendor.
Ndërsa vajza e mitur, nga eksperiza që i është bërë nga një mjek psikiatër, ka rezultuar se ka probleme të theksuara psikologjike pas arrestimit të së ëmës dhe ka nevojë për trajtim mjekësor. Megjithatë gjykata ka refuzuar kërkesën dhe ka vendosur kujdestar për dy të miturit.
Me urdhër të SPAK, Enkelejda Hoxha u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë më 11 shkurt me akuzën e korrupsionit në Gjykatën e Krujës.
Ata u akuzuan se kishin ngritur një skemë përmes të cilës ulnin dënimet ose lironin nga burgu të dënuar për vepra të rënda penale kundrejt parave.
Ishte Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ai që kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD-së ndaj saj, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e disa personave të dënuar me burg përjetë.
Sipas ILD-së, kanë qenë disa vendime të marra nga Hoxha në harkun kohor, nga maj 2017-shkurt 2019, të cilët dyshohet se kanë rezultuar me shkelje.
Në qershor të vitit të kaluar, emri i Hoxhës doli sërish në skenë pas vrasjes së Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit.
Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një vrasje të ndodhur në Angli, por 10 vite para përfundimit të dënimit, Hoxha i fali 5 vite Billës, ndërkohë që 5 vitet e fundit i konvertoi në shërbim prove, duke e nxjerrë atë menjëherë nga burgu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.