Biznes

Më shumë se në çdo vend të rajonit, bizneset shqiptare i marrin të ardhurat nga tenderat publikë

Shqipëria ka përqindjen më të madhe të bizneseve në rajon që sigurojnë 75-100% të të ardhurave vjetore nga kontratat që kanë me qeverinë për punë dhe shërbime.

Sipas rezultateve të Anketës nga Barometri i Ballkanit, e cila u publikua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në Shqipëri, 17% e bizneseve të anketuara i sigurojnë të ardhurat nga tenderat publikë ndërsa në rajon ka shumë pak biznese që janë të varur tërësisht në kontratat publike.

Në Bosnjë vetëm 6% e kompanive të anketuara sigurojnë 75-100% të të ardhurave nga kontratat publike, në Kosovë vetëm 1%, në Maqedoni 2%, në Malin e Zi 5% dhe në Serbi 6%.

Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në Shqipëri ndikimi i sektorit publik në të ardhurat e kompanive është më e lartë se në rajon ndonëse Shqipëria ka buxhetin publik më të ulëtin në Rajon në % të PBB-së.

Pas Kosovës, Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave në rajon, në rreth 26-27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 35-40% e PBB-së që është mesatarja e vendeve të tjera të rajonit.

Në këtë mënyrë,qeveria është e detyruar të shpenzojnë për administratën, punë publike, subvencionet e pensioneve, pagesat e borxheve  maksimumi 29-30% të PBB-së, në mënyrë që të ruajë parametrat e deficitit buxhetor.

Varësia më e lartë ndaj fondeve të shtetit, u ka dhënë bizneseve më shumë garanci për aktivitetin e tyre gjatë vitit pandemik.

 I njëjti indeks tregoi se në vitin e pandemisë, rënia e besimit të kompanive shqiptare ishte më e moderuar dhe mbeti në nivelin e mesatares rajonale.

Më pesimistët ishin subjektet nga Kosova besimi i të cilëve u përgjysmua dhe ata nga Mali i Zi. Të dy këto vende shënuan dhe nivelin më të ulët të indeksit, në 44.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë