Biznes

Çfarë duhet të bësh që të kesh një fermë agroturistike?

Fermat Agroturistike në vendin tonë, vitet e fundit po rriten në numër si rrjedhojë e interesit të lartë të investitorëve apo edhe stimulit të qeverisë për të zhvilluar më shumë bizneset rurale.

Aktualisht, në Shqipëri janë 20 Agroturizme të certifikuara dhe 8 agroturizme të pajisur me certifikatë paraprake.

Ministria ka krijuar një aplikacion në ndihmë të Agroturizmit dhe vizitorëve nën emrin “AgroTime AL”. Në të janë mbi 90 pika turistike të llojit agro, bujtina, kantina, sofra dhe taverna.

Nëpërmjet skemës IPARD, qeveria mundëson lehtësira fiskale dhe fonde për subjektet që do të operojnë  si agroferma.  Ato përfitojnë taksim 5% për një periudhë 10-vjeçare për tatim fitimin.  TVSH 6% për furnizimin e shërbimit të akomodimit dhe restorantit (me përjashtim të pijeve). Përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për subjektet që zhvillojnë veprimtari pritëse si agroturizëm.

Përkrahë lehtësirave, për të ndërtuar një fermë Agroturistike në Shqipëri duhet të përmbushen kriteret që janë vendosur nga një Komision Vlerësues nga Ministria e Bujqësisë mbështetur në një Vendim të Këshillit të Ministrave, VKM Nr. 22, datë 12.1.2018 “Për miratimin e kritereve e të procedurave për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të tij”.

Ferma duhet të ofrojë fillimisht zotërimin e një strukture bujqësore/blegtorale, shërbimin e akomodimit, të ushqimit dhe të aktiviteteve rekreative.

Veprimtaria pritëse zhvillohet në këtë fermë, në të cilën ofrohen aktivite të lidhura me prodhimin bujqësor/blegtoral, por duke mos cenuar mjedisin. Përfshirja e vizitorëve në aktivitetet e lidhura me fermën duhet të jetë me qëllim argëtues, edukues apo veprimtari të tjera të lidhura me mjedisin përreth.

Pas kësaj, subjekti i interesuar për një biznes agroturistik merr certifikatën paraprake që lëshohet nga Ministria e Turizmit vlerësuar nga Komisioni. Kjo certifikatë lëshohet për të bërë të zbatueshëm legjislacionin në fuqi për taksën e ndikimit në infrastrukturë

Më pas subjekti merr certifkatën “Subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit” që vlerësohet si përfundimtare duke përmbushur kriteret e vendosura dhe duke u regjistruar pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Pas certifikimit këto subjekte kontrollohen nga Inspektoriati i Turizmit. Në rast se veprimtaria nuk përdoret për qëllime agroturizmi dhe subjekti ka përfituar lehtësira fiskale përjashtuese behet shfuqizimi i certifikates.

Kriteret fizike të një ferme Agroturizmi janë në varësi të llojit të saj.

Një fermë bujqësore duhet të ketë të paktën 1 ha tokë sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore.

Ferma blegtorale, të ketë të paktën, 10 krerë gjedhë ose 100 krerë dele/dhi ose 200 krerë shpendë.

Subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “agroturizëm”, pasi marrin emrin nga certifikimi i Ministrisë, duhet të ofrojnë të gjitha shërbimet si, akomodim, ushqim, pije, veprimtari argëtuese, çlodhëse të lidhura me fermën, struktura akomoduese me kapacitet 6 deri në 30 dhoma. Struktura/objekti ku ofrohet ushqim dhe pije duhet të ketë 6 deri në 60 tavolina. Ofrimi i ushqimit dhe i pijeve bëhet në ambiente të përshtatshme dhe duhet të plotësojë kriteret e për sigurinë e ushqimeve dhe kushtet higjienosanitare.

Për ndërtimin e strukturës së një agroferme lëshohet një leje nga njësia qeverisëse vendore, pas një verifikimi në terren nga bashkia dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT).

Në rastet kur toka kategorizohet “truall” ”, bashkia i propozon Ministrisë se Turizmit të vijojë procedurat për ndryshimin e kategorisë së resursit të sipërfaqes së tokës, objekt i lejes së ndërtimit.

Pas miratimit të kalimit të tokës në sipërfaqe ndërtimore, bashkia i dorëzon aplikuesit dokumentin e lejes dhe e boton atë në sistemin e-leje.

Subjektet që ushtrojnë veprimtarinë pritëse të agroturizmit, mund të ofrojnë edhe akomodim në formën e fushimit, me ambiente për vendosjen e çadrave apo të makinave të fushimit.

Mbi pjesën e shërbimit të ushqimit, fermat Agroturistike duhet të ofrojnë ushqime dhe pije me të paktën 30% përbërje me origjinë nga ferma, të paktën 40% me origjinë lokale nga zonat përreth dhe deri në 30% me origjinë tjetër.

Subjeket duhet t’u ofrojnë vizitorëve veprimtari përfshirëse në mbjellje/vjelje të produkteve bujqësore, aktivitete të lidhura me kafshët, peshkim artizanal, degustim të produkteve etj.) ose jashtë fermës (si, p.sh., por pa u kufizuar në hipizëm, alpinizëm, ecje në natyrë etj.)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë