Shendet

Na kërcënon varianti Delta për masa shtrënguese në vjeshtë?

Prej një muaji tashmë edhe Europa është nën “kurthin” e variantit Delta të Covid-19 për të cilin ekspertët vendas dhe të huaj kanë thënë se është 60% më infektues.
Megjithëse numrat e të infektuarve në ditë numërohen me gishtat e njërës dorë, sërish ka pikëpyetje të forta se mos në vjeshtë ashtu siç ndodhi edhe vitin e kaluar pas një vere pa kufizime, rritet ndjeshëm numri i të infektuarve. Më nëntor të vitit të kaluar vendi ynë pa një rritje ekstreme të shifrave nga ajo çfarë ishim mësuar në verë. Qeveria deklaroi në një konferencë për shtyp se rastet me Covid-19 ishin dyfishuar. Pikërisht në datën 16 ato arritën në numrin rekord, 593 të infektuar.
Megjithëse tani kemi një shumicë të mirë popullsie të vaksinuar duke marrë parasysh se përballë nesh kemi një variant tepër më agresiv se sa varianti i parë pyetja 1 milion dollarë është: A mos do shkojmë në një tjetër derivat karantine.
Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti shpjegoi për Gazetasi.al se duket që varianti Delta do të bëhet dominant në të gjithë Europën që në Gusht.
“Përllogaritet 70% e rasteve me 1 gusht dhe 90% e rasteve me 31 gusht. Aktualisht në Angli 99% e rasteve janë me variantin Delta”, shpjegoi eksperti.
Duke u bazuar në të dhënat e ECDC, ai shpjegon se personat e infektuar më parë vazhdojnë të jenë të mbrojtur edhe nga varianti Delta. Gjithashtu, vaksinat Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca me dy doza vazhdojnë të jenë tejet efikase kundër variantit Delta.

Ilir Alimehmeti

“Duke e marrë në përgjithësi situatën, edhe pse është e vështirë të parashikohet që tani, vjeshta do të ketë shtime të rasteve por jo në nivelet e vjeshtës së kaluar”, shton eksperti.
Më tej Alimehmeti shpjegon se rruga që duhet të ndërmarrë është vaksinimi sa më i gjerë i popullatës me dy doza vaksina Pfizer dhe AstraZeneca e gjithashtu sekuencimi i gjerë gjenetik i rasteve të reja.
Në të njëjtin mendim është edhe mjeku epidemiolog në ISHP, Dritan Ulqinaku. Ai shpjegoi për Gazetasi.al se pritet një rritje e rasteve në vjeshtë sepse besohet që me kalimin e verës rastet do të vijnë duke u rritur, nisur dhe nga një eksperiencë e fituar tashmë.

Dritan Ulqinaku


“Ne gjykimin tim nuk besoj se do kthehen kufizimit sepse edhe ky variant ka treguar se ndikohet pozitivisht nga vaksinat që po bëhen me intensitet plus dhe pjesën e personave që e kanë kaluar”, shpjegon mjeku.
Në përgjithësi, dozat e Covid-19 janë më efektive kundër rezultateve më të rënda, të tilla si vdekja dhe më pak efektive kundrejt infektimit asimptomatik. Sipas të dhënave të fundit të Shëndetit Publik në Angli (PHE), dy javë pas dozës së dytë, ndryshimet në efektivitetin e vaksinës Pfizer / BioNTech që ofron 88% mbrojtje ndaj sëmundjes simptomatike kundrejt variantit Delta, ndërkaq për vaksinën Oxford / AstraZeneca, shifrat ishin përkatësisht 74%. Deri më tani nuk ka të dhëna për vaksinën kineze dhe ruse se sa efektive janë kundrejt varianteve të reja të Covid-19 që dihet se kanë sjellë shumë pasoja në popullata.
Megjithatë një shembull shqetësues vjen nga Izraeli ku edhe pse pjesa më e madhe e popullatës është vaksinuar me vaksinën Pfizer aty është parë rritje të rasteve të infektuara, saqë i detyroi autoritet që javën e kaluar të kthenin mbajtjes së maskës në ambientet e brendshme, 10 ditë pasi e kishte hequr atë.
Duke iu referuar situatës dhe asaj që nuk i dihet se si do të vijë në vjeshtë, eksperti Alimehmeti thotë se karantina dhe masat strikte do të merren vetëm në shtetet ku vaksinimi masiv do të ketë dështuar pasi do të jenë përdorur vaksina me efikasitet të ulët.
Nga ana tjetër, në vendin tonë deri më tani vetëm 396,139 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë