Aksidenti ndodhur ditët e fundit në rrugën Fier-Vlorë, ku humbën jetën 4 anëtarët e një familje, ngriti debate dhe pikëpyetje për sigurinë rrugore, infrastrukturën dhe stereotipet.
Eksperti i Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, në një komunikim me gazetën "SI" tregoi se Shqipërisë i mungon një institucion që studion shkaqet e aksidenteve. Në bazë të të cilës do të merreshin masa tekniko-organizative dhe bashkërenduese me të gjitha dikasteret e sigurisë rrugore në vendin tonë. Mungesa e një strukture të tillë ka sjellë masa sipërfaqësore në bazë të perceptimit të policisë së shtetit, sipas ekspertit Hoxha.
" Ne e kemi ngritur disa herë këtë problem, por për fat të keq shoqëria civile nuk merret në konsideratë për mendimet që shtron dhe zgjidhjet e mundshme që propozon. Kështu, krijohet mendimi se çdo gjë regullohet vetëm me gjoba, megjithëse gjobat dhe masat e tjera shtrënguese janë rritur, aksidentet qendrojnë në të njëjtin nivel. Pra, asgjë nuk ka vlejtur për të shpëtuar jetë njerëzish", -u shpreh z.Hoxha.
Lidhur me tendencën rritëse të aksidenteve rrugiore gjatë sezonit të verës, eksperti tregoi se gjatë sezonit veror aksidentet shtohen dhe kjo tregon punen e dobët të policisë.
"Jo se ata nuk qëndrojnë në vapën përvëuese dhe nuk menaxhojnë trafikun, por mungojnë format e tjera bashkëvepruese brenda strukturave të policisë si dhe ato me shoqërinë civile. "
Një ndër detajet që ka bërë më së shumti zhurmë në shoqëri këto ditë dhe sidomos rrjetet sociale, ishte se i riu që shkaktoi aksidentin, ishte i biri i një biznesmeni dhe makina me të cilën po lëvizte 200km/orë ishte nën emrin e të atit. Kështu nisi një "luftë" midis dy palëve.
Për ekspertin Gëzim Hoxha, stereotipizimi i "të fortëve" është i vërtetë dhe dukshëm ata janë të paprekshëm nga policia.
"Kuptohet ata janë djemtë e shefave dhe biznesmenëve. Por më e keqja qëndron se këta tipa edhe pasi përfshihen në aksident apo qarkullojnë edhe me shpejtësi dhe bëhen të rrezikshëm për qytetarët se ata kalojnë në ndonjë gjobë formale dhe kaq. E kemi thënë disa herë që ata që përfshihen në aksident apo kategori të tjera duhet t'i nënshtrohen "testit të idiotit". Kjo do të nxirrte nga qarkullimi elementët e rrezikshëm, por do të jepet një mesazh edhe për të tjerët që të rrisin kujdesin dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor",-e mbylli fjalën e tij për gazetën "SI", eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.