Politike

Vuçiç bllokon dialogun, tërhiqet nga takimi me Thaçin

Një lëvizje e fundit e palës serbe ka bërë që takimi mes Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi të anulohet. Lajmin e dha për gazetarët nga Brukseli, Marko Gjuriç, shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe.

Arsyet e refuzimit për t’u takuar, sipas Gjuriç janë gjuha dhe kërcënimet e mbërritura nga Prishtina për vizitën e Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës. Ai nuk përmendi emra, por dukshëm reagimi i referohej deklaratës së kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nuk e di nëse Vuçiç do të vijë në Kosovë. Ne e kemi dhënë lejen, por nëse kërcënohet stabiliteti i Kosovës leje mund të anulohet. Së dyti, nuk ka nevojë Vuçiç të shkojë në Liqenin e Ujmanit”, deklaroi gjatë të premtes ai.

Marko Gjuriç

Njoftimi i Gjuriç u bë pas takimit mes Vuçiçit me Federica Mogherinin. Ai fajësoi edhe Bashkimin Europian për qëndrimin pasiv, sipas tij, ndaj deklaratave të papërgjegjshme të politikanëve shqiptarë në Prishtinë.

Si reagim të parë ndaj kësaj deklarate dhe para se të nisjes për në Bruksel, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar policinë, ushtrinë dhe shërbimet e inteligjencës serbe që të ndërpresin të gjitha kanalet e komunikimit me autoritetet ndërkombëtare dhe ato shqiptare në Kosovë.

Kanalet e komunikimit, sipas Tanjug, janë ndërprerë edhe me Policinë e Kosovës, në një kohë që pikërisht në këto ditë komunikimi duhej të ishte më i shpeshtë për shkak se në fundjavë ai parashikon që të vizitojë pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas Tanjug, deklarata e Veselit ka vënë në pikëpyetje zhvillimin e vizitës dhe thuhet se Presidenti serb do të marrë një vendim përfundimtar për realizimin, ose jo të saj mbrëmjen e së premtes.

Mediat në Beograd thonë se dështimi i takimit të kësaj të premteje vë në pikëpyetje të madhe mbi të gjithë procesin e dialogut, ndërsa në Prishtinë interpretohet më shumë si pretekste të palës serbe për të braktisur tryezën e bisedimeve.

Para se të takohej me Federica Mogherinin, vetë Hashim Thaçi u shpreh optimist për mediat dhe besimplotë se kishte mbështetjen e të gjitha institucioneve kosovare për të dialoguar me Serbinë

“Kosova është unike dhe në favor të dialogut. Të gjithë, institucioni i Presidentit, Parlamenti, Qeveria, partitë politikë, shoqëria civile, mediat, janë në favor të negociatave, janë në favor të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që nënkupton njohjen reciproke. Janë në favor të të demarkimit të kufirit të 430 kilometrave në mes të Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton përfshirjen e kësaj pjese”, tha ai për gazetarët.

Thaçi përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të popullsisë mes dy vendeve, e po ashtu edhe mundësinë që një marrëveshje e mundshme të shkaktojë trazira, konflikt apo krizë refugjatësh.

“Qytetarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, dhe nuk do të ketë as luftë, e as refugjatë ashtu siç po thuhet, apo lëvizjet e njerëzve nga kjo pjesë në atë pjesë. Ata do të vazhdojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre”, shtoi ai.

Për të, marrëveshja finale do të ketë vlerë vetëm me njohjen reciproke nga ana e Serbisë.

Por, në këtë dialog Hashim Thaçi duket se nuk ka mbështetjen e Kuvendit. Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj u përpoq që të miratonte një grup negociator në Parlament, ndërsa opozita kalimin e një rezolute që ja ndalonte Presidentit bisedimet për çështjen e kufirit me Serbinë.

As e para dhe as e dyta nuk kaloi, ndërsa veç opozitës kundër idesë së Thaçit për ndryshime kufijsh ka dalë edhe Kryeministri Haradinaj.

“Kufijtë në Ballkan janë vendosur me luftë dhe veç me luftë ndryshojnë”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë