Përplasja me Fatos Nanon e largoi Ilir Metën dhe mbështetësit e tij nga Partia Socialiste në vitin 2004. Ish-kryetari i FRESSH-it dhe ish-Kryeministër i vendit, më 6 shtator të 2004-s themelon Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Një vit më vonë mbaheshin zgjedhjet parlamentare dhe Ilir Meta me të tijtë rezultuan vendimtarë në nxjerrjen në opozitë të socialistëve dhe rikthimin në pushtet pas 8 vjetësh të Sali Berishës. Humbja pati edhe një kosto të madhe për Nanon, që u largua dhe në krye të PS-së erdhi Edi Rama.
Meta-Rama kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin, në kohën kur i pari ishte Kryeministër dhe i dyti kryetar i Bashkisë së Tiranës. Bashkpunimi ishte përforcuar nga mbështetja që Ilir Meta i dha Edi Ramës në disa aksione të ndërmarra prej tij për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë.
Tashmë që të dy kishin përballë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, një kundërshtar i përbashkët dhe sinjalet e para që u dhanë ishin ato të bashkëpunimit. Kështu ndodhi dhe testi i parë i aleancës së re ishte në zgjedhjet vendore të 2007.
Por, jetëgjatësia e kësaj aleance përfundoi një vit më vonë. Edi Rama dhe Sali Berisha u dakortësuan së bashku duke ndërhyrë në Kushtetutë dhe ndryshuar sistemin zgjedhor, që kalonte nga ai mazhoritor në proporcional rajonal. Ky sistem kundërshtohej nga partitë e vogla, të cilat penalizoheshin nga mënyra e re e zgjedhjes së ligjvënësve.
Greva e Ilir Metës dhe deputetëve të LSI-së në Parlament nuk ndryshoi konsensusin e dy të mëdhave dhe ndryshimet hynë në fuqi. Me këtë sistem u organizuan zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009. LSI ja doli mbanë që të marrë katër deputetë. Numri ishte më pak nga ambicia e kësaj force politike, por i mjaftueshëm që të përcaktonte qeverisjen e vendit.
PD doli parti e parë dhe PS u rendit si forcë e dytë. Por, asnjëra prej tyre nuk kishte numrat për të qeverisur më vete. Në korrik të 2009, Sali Berisha del në një konferencë për mediat dhe fton publikisht kundërshtarin Ilir Meta për bashkëqeverisje. Ftesën e argumentonte me “afërsinë e programit të LSI-së me atë të PD-së”.
“I bëj ftesë LSI që të jetë pjesë e qeverisë së re, që do të mund ta quajmë qeveri e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Siç deklarova dy ditë më parë, sovrani na dhuroi fitore, por diktoi koalicion nga partitë me të cilat programet janë më afër dhe që është LSI, që në programin e saj ka yll polar integrimin e Shqipërisë në BE dhe punësimin si kryefjalë të reformave dhe përpjekjeve të saj. LSI të vlerësojë sinqerisht ftesën”, deklaronte ai.
Ftesa u shqyrtua me apo pa sinqeritet, pak rëndësi ka, por në përfundim të saj u tha “Po”.
“E pranoj ftesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha për të formuar së bashku koalicionin qeverisës. Vendimi ynë vjen pas konsultimeve të gjëra me eksponentët vendas dhe ndërkombëtarë të cilët kërkojnë përshpejtimin e reformave dhe stabilitetin e vendit. Ne pranojmë me përgjegjësi historike ftesën për të nisur negociatat me z.Berisha për të realizuar programin e integrimit evropian”, përgjigjej Meta.
“Torta” e pushtetit u nda dhe qeveria e re nisi punën, ndërsa socialistët e mbetur pa LSI-në më në opozitë nisën një protestë, pasi akuzonin se procesi zgjedhor ishte manipuluar. Slogani i protestës ishte “Hap kutitë, ose largohu”.
Protesta u përshkallëzua deri në grevë urie, por nuk ja arriti qëllimit që të largonte Sali Berishën e Ilir Metën dhe u mbyll. Në ditët e para të 2011, i ndjeri Dritan Prifti, që e nisi në koalicionin me Berishën si ministër i Ekonomisë, shpërndan për mediat videon e një bisede me Ilir Metën dhe e akuzon atë për afera korruptive.
Videoja u shfrytëzua Partia Socialiste dhe Edi Rama për të akuzuar qeverinë për afera korruptive të përmasave të mëdha dhe të thërriste një protestë. Protesta u mbajt të premten e 21 janarit 2011 dhe u mbyll po atë ditë me bilancin tragjik të katër të vrarëve.
Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha mbrojti partnerin e tij në koalicion dhe videon e quajti “trukim të qëllimshëm dhe diletantesk”, duke akuzuar Edi Ramën se qëndron pas saj. Berisha ftoi organet e drejtësisë që të hetojnë plotësisht dhe premtoi se qeveria e tij do të jetë bashkëpunuese në këtë drejtim.
Edhe vetë Ilir Meta reagoi duke kërkuar nga drejtësia që të hetojë dhe të gjykojë. Dosja u hetua nga Gjykata e Lartë, Kolegji Penal i së cilës votoi unanimisht 5-0 për pafajësinë në vitin 2012. 2012 u mbyll e qetë, të paktën publikisht, ndërsa nën rrogoz po përgatitej një ndryshim i madh.
Në pranverën e 2013, Sali Berisha kërkonte të dilte në koalicion me LSI-në në zgjedhjet parlamentare që po afroheshin dhe në 1 prill 2011, mori përgjigjen mohuese përfundimtare, kur Meta dhe Rama njoftonin dakortësinë për të dalë në koalicion në zgjedhje. Koalicioni u firmos pak ditë më vonë në Shkodër dhe u quajt “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, që bashkonte socialistët progresistë me mision anëtarësimin e vendit në BE.
Zgjedhjet u fituan dhe Meta qëndroi në pushtet, por këtë herë me partner qeverisës Ramën. Të dy përballë kishin Lulzim Bashën, e zgjedhur kryetar të PD-së pas dorëheqjes së Sali Berishës. Në dy vitet e para, dy partnerët e vjetër të bashkuar rishtazi qeverisën të qetë dhe pa përplasje të forta mes tyre. Krisja e parë do të mbërrinte në zgjedhjet e 2015. Dy partitë vendosën që të dalin me kandidatë të përbashkët në këto zgjedhje. U ra dakort që një pjesë e bashkive t’i lihej LSI-së dhe pjesa tjetër PS. Mes atyre ku u vendosën kandidatë nga LSI ishte edhe Pogradeci dhe Vorë.
Në të dyja këto bashki, fitues u shpallën kandidatët e Partisë Demokratike dhe për këto humbje, LSI gishtin e fajit e drejtonte nga kolegët socialiste, që i akuzonte për mungesë impenjimi, sabotim dhe bojkotim gjatë fushatës.
Qëndrimi i drejtuesve të LSI-së reflektonte në fakt përplasjen që po vlonte gjithnjë e më shumë në bazë mes mbështetësve të LSI-së dhe atyre të PS-së. Rama e Meta arritën që ta tejkalojnë këtë, por qeverisja në koalicion nuk do të ishte më si më parë.
Në vjeshtën e atij viti, një shkrim në rrjetin e gazetarëve investigativë ballkanikë, BIRN trazon edhe më fort raportin brenda mazhorancës. Në shkrim thuhej se Ilir Meta akuzohet se ka marrë rryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhjeje borxhi, që paditi OSHEE-në në Gjykatën e Arbitrazhit të Vjenës.
BIRN thotë se zyra ligjore e OSHEE-së në këtë proces, Clifford Chance pretendon se Ilir Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh nga kompania e mbledhjes së borxheve në vitet 2010-2011.
Kur publikoheshin këto akuza, Ilir Meta ishte kryetar i Kuvendit. Të gjithë lajmin e quajti të rremë, një skemë mafioze dhe tha se emri i tij nuk përmendet asnjëherë në dosjen hetimore.
“Jemi dëshmitarë të një operacioni mafioz, politik dhe financiar të fabrikuar nga politika në studiot e disa mediave. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë, por gjithë operacioni është i mjerë, sepse bazohet në falsifikime”, ka deklaruar Meta.
Ai nuk përmendi emra, por la të kuptohej se “skema” buronte nga ministrat socialistë të kabinetit bashkqeverisës. Disa media spekuluan duke përmendur emrat e Damian Gjiknurit, ministër i Energjitikës dhe Arben Ahmetajt, ministër i Financave si autorë të kësaj “skeme”.
Kjo krizë brenda koalicionit pasohet nga një tjetër, që lidhej me reformën në drejtësi. Ilir Meta këmbëngulte që reforma të ishte konsensuale, ndërsa Edi Rama ngulmonte që të vazhdohej përpara, edhe nëse nuk merrej miratimi i Partisë Demokratike.
“Miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush”, deklaronte Ilir Meta më 17 korrik të 2016.
Një javë më vonë në Kuvend kalon me konsesus të plotë prej 140 votash paketa e ndryshimeve kushtetuese dhe edhe kjo krizë brenda mazhorancës u kalua.
Sezoni i ri politik nis në shtator me tensionet që shpërfaqen gjithnjë e më shumë. Zëri më kritik ndaj Edi Ramës ishte anëtar i qeverisë së tij. Ai ishte Ylli Manjani, i cili u largua në janar të 2017 duke u zëvendësuar nga Petrit Vasili.
Ndryshimet nuk “ngrohën” raportet dhe zgjedhjet e reja po trokisnin. Ilir Meta vetë u zgjodh President i Republikës, duke lënë në krye të LSI-së përkohësisht Petrit Vasilin. Marrëveshja Rama-Basha e 17 majit i hapi rrugën mbajtjes së zgjedhjeve më 25 qershor, ndërsa Meta, tashmë si President i Zgjedhur udhëhoqi fushatën e LSI-së.
Fushata u karakterizua nga slogani “LSI forcë e parë”. Por, rezultati e la sërish forcë të tretë LSI-në, që pas 25 qershori zgjodhi si kryetare Monika Kryemadhi. Në korrik, rruga e Ilir Metës me LSI-në ndahet përfundimisht. Ai betohet si President, ndërsa Monika Kryemadhi merr përsipër detyrën e vështirë të opozitarizmit së bashku me Lulzim Bashën.
Tani, në kulmin e akuzave ndaj Qeverisë “Rama”, LSI feston 14-vjetorin e saj, 8 prej të cilave i ka kalur në pushtet dhe 6 në opozitë. Kryemadhi bën një bilanc.
“Në vitin 2009 ne bashkëpunuam në qeverisje me PD-në, një bashkëpunim dhe një bashkëqeverisje, që do ta vlerësoja në vija të përgjithshme si të frytshëm, në reforma, në luftën kundër krimit të organizuar, në liberalizimin e vizave dhe në konsolidimin e detyrave të shtruara pas anëtarësimit në NATO”, shkruan kryetarja e LSI-së në Facebook.
Por, nëse bashkëqeverisjen me Sali Berishën e vlerëson me nota pozitive, për 4 vitet në pushtet me Edi Ramën ka një tjetër qëndrim.
“Nuk mund të them se arritëm rezultate të ngjashme pozitive me Rilindjen e Edi Ramës, që ishte një farsë, një fasadë dhe një maskë, për nënshtruar Partinë Socialiste dhe pastaj të gjithë shqiptarët. PS-ja nën drejtimin e Ramës dhe të rilindasve, u bë edhe më arrogante dhe në vend që të qeveriste, mbushi vendin me drogë dhe vazhdimisht ideoi e organizoi vetëm kurthe, intriga dhe fushata të maskuara mediatike kundër LSI-së”, thotë ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.