Nga Xhuliana Toci - Ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor zakonisht konsiderohet si një nga idetë më të rrezikshme në politikën bashkëkohore europiane. Por pavarësisht se publikisht të gjithë liderët perëndimorë bien dakort se ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk është asgjë veçse hapja e kutisë të Pandorës, përgjatë tre viteve të fundit, ky rajon është tronditur nga një sërë propozimesh për lëvizjen e kufijve.
Prej kohësh, sapo hidhet poshtë një ide, del një draft tjetër edhe më i rrezikshëm, dukë bërë që një sërë ekspertësh dhe politikanësh të ngrenë alarmin se fuqitë e mëdha po luajnë me zjarrin në Ballkan dhe mund të çojnë drejt një lufte që vështirë se do ti dihej fundi. Ajo që është më tronditëse është se këto propozime nuk janë anonime, por mbajnë emrat e fuqive më të mëdha botërore: SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës.
I gjendur përballë bllokimit të procesit të integrimit, krizave demografike, ekonomike, por edhe demokratike, rrethe të caktuara duken të bindura se pas rënies së ish-Jugosllavisë, rajoni ka nevojë për një tjetër ndryshim të madh, për të dalë nga status-quoja ku ndodhet. Për këto qarqe, zgjidhja e vetme duket se është ndryshimi i kufijve. Dhe kushdo që mbështet këto teza, duket se po përpiqet të shtyjë rajonin drejt ndryshimit të kufijve me të gjitha mjetet e mundshme.
Përgjatë viteve të fundit, në rajon nuk ka qarkulluar një, por katër propozime të ndryshme për rivizatimin e kufijve dhe të gjitha kanë në qendër Kosovën. Teza e parë kërkonte shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovën, por që atëherë, propozimet kanë ardhur duke u ashpërsuar dhe i fundit, i hartuar sipas raporteve nga Franca, propozonte që Kosova të hiqte dorë nga Veriu në këmbim të njohjes nga Greqia. Një tjetër, me origjinë nga Sllovenia, hidhte idenë e Shqipërisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe, duke alarmuar shumë vende anëtare të BE-së, të cilat thanë se kjo do të ishte receta perfektë për ta zhytur të gjithë Europën në luftë.
Arsyeja themelore e këtyre ideve të rrezikshme, disa prej të cilave është raportuar se kanë marrë edhe mbështetjen e SHBA-së, është se Ballkani Perëndimor është një tokë strategjike që gjendet në dorë askujt për një çerek shekulli. Mënyra më e mirë për uljen e tensioneve brenda rajonit do të ishte pranimi i të gjashtë vendeve në BE. Por ky projekt, gjoja një objektiv i palëkundur i Bashkimit Europian, po ecën kaq ngadalë sa po bëhet gjithnjë e më i parëndësishëm si një përgjigje ndaj problemeve të rajonit.
Si rezultat, pasiguria mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor po intensifikon ëndrrat naciolaniste të fuqive rajonale dhe po lë hapësirë për fuqitë e tjera për të shtrirë ndikimin e tyre në oborrin e pasëm të BE-së. Deri më tani, ndryshmet e kufijve janë hedhur poshtë nga BE, SHBA-ja dhe liderët rajonalë, por ekspertët thonë se ideja nuk ka vdekur dhe se do të ketë akoma mbështetës të saj në të ardhmen.
Shkëmbimi i territoreve
Loja e rrezikshme e kufijve nisi në verën e vitit 2018, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç hodhën për herë të parë në tavolinë tezat për shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve mes dy vendeve fqinje. Plani dukej se gëzonte mbështetjen e SHBA-së dhe veçanërisht atë të administratës Trump, por kundështohej fuqimisht nga Gjermania.
Presidenti Vuçiç ishe i pari që sugjeroi se Mitrovica e Veriut, një trevë e pasur, e populluar kryesisht nga serbët, mund t’i rikthehet sërish Beogradit. Në këmbim, Lugina e Preshevës, e banuar kryesisht nga shqiptarët, mund t’i rikthehet sërish Kosovës.
Vuçiç deklaroi hapur ndër të tjetra se Serbia do të përpiqet të rifitojë sa më shumë territor që të jetë e mundur. "Është më mirë të fitojmë diçka, sesa asgjë" tha presidenti serb. Ky propozim u mbështet fuqimisht nga Thaçi dhe ishte zhvillimi më madh i bisedimeve shumë vjeçare midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk kanë arritur ende normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht ndërmjetësimit të Bashkimit Europian dhe SHBA-së.
Po a do të ishte shkëmbimi i territoreve zgjidhja më e mirë për dy armiqtë e vjetër të rajonit? Dhe a do të hapte kjo marrëveshje plagët e vjetra të Ballkanit?
“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës gjithmonë do të jetë i papranueshëm, por në kuadër të korrigjimit të kufijve duhet të shtrohet edhe kërkesa e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës.” Mjaftoi kjo deklaratë në Facebook dhe një intervistë konfuze për “The Associated Press” që Presidenti Hashim Thaçi ta gjente veten në atë kohë në qendër të kritikave të zjarrta nga opozita në Prishtinë. Për herë të parë një zyrtar i lartë shqiptar në Kosovë akuzohej se po negocionte ndarjen.
Teza për t’i dhënë Kosovës zonat me shumicë shqiptare në Serbinë Jugore, me kusht që Beogradi të marrë zonat me shumicë serbe në Kosovën e Veriut, është ngritur herë pas here nga politikanë dhe qarqe të ndryshme mediatike. Por Thaçi ishte i pari që konfirmoi zyrtarisht se kjo çështje do të përfshihej në dialogun zyrtar Prishtinë-Beograd. Presidenti u kthye në nismëtarin kryesor të idesë së shkëmbimit të territoreve, pavarësisht se opozita dhe një sërë përfaqësuesish politike dhe akademikë i dolën kundër. Edhe pse e ka përmendur ketë marrëveshje, pothuajse në të gjitha daljet publike të asaj kohe, duket se askush në Kosovë nuk e kishte të qartë se çfarë ishte duke “gatuar” Presidenti.
Por kjo tezë u bë edhe më reale, pas raporteve se Ivica Daçiç, në atë kohë ministri i Jashtëm i Serbisë, kur foli për ndarjen dhe ndryshimin e kufijve me Kosovën, me dhëndrin e Presidentit Donald Trump, gjatë vizitës së tij në SHBA. Në këto kushte ndryshimi i kufijve” ishte kryefjala edhe e vitit 2019 në Ballkan.
Një sërë ekspertësh druheshin se nëse Serbia dhe Kosova do ta çonin deri në fund marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, një efekt “domino” do të hapte sërish “portat e ferrit” në mbarë Ballkanin. Në kohën kur rajoni po punonte fort për të ardhmen europiane dhe zgjidhjen e konflikteve ndër-entike, siç ishte ajo e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndryshimi i kufijve të Ballkanit nuk do të zgjidhte rrëmujën e shkaktuar vite më parë, përkundrazi do ta fuste rajonin drejt një rrugë pa kthim. Ka serbë që jetojnë në Kosovë. Në Bosnjë Hercegovinë ata kanë republikën e tyre (Republika Srpska). Ka boshnjakë (myslimanë) që jetojnë në Serbi, po ashtu shqiptarë që jetojnë në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi.
Por pas presionit të Gjermanisë, zgjedhjes së disa të dërguarve specialë për rajonin dhe përplasjes së forta mes Berlinit dhe Uashingtonit, administrata Trump u tërhoq, duke këmbëngulur më së shumti për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Por ky hap nuk do të ishte asgjë veçse fillimi i “lojës së rrezikshme” me kufijtë në Ballkan.
Propozimi slloven për Shqipërinë e Madhe
Edhe pse u desh shumë për të shuar zjarrin e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, Bashkimi Europian duket se ia doli të "varroste" këtë ide, të paktën për pak kohë, megjithatë, mes vonesave në procesin e anëtarësimit, vëmendjes që kapi pandemia e Covid-19, rajoni u trondit në shkurt të vitit 2021 nga një tjetër propozim për ndryshmin e kufijve, i cili përfshinte kësaj radhe te gjithë Ballkanin.
Gjithçka nisi me spekulimet nëse Kryeministri Janez Jansa dërgoi vërtet një dokument diplomatik jozyrtar në Bruksel, i cili flet për një ndryshim të kufijve në rajon, për formimin e Shqipërisë së Madhe, Serbisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe.
Për më tepër, dokumenti duket se është bërë me porosi nga qarqet nacionaliste serbe dhe kroate, të cilat kanë punuar për të copëtuar Bosnje dhe Herzegovinën për tre dekada.
Në pjesën kryesore të dokumentit, jepen "zgjidhjet" e propozuara për problemet e përshkruara më sipër. Autorët e dokumentit theksuan se Serbia, Kroacia dhe Shqipëria aktualisht kanë qeveri të qëndrueshme dhe se politikanët e tyre të zgjedhur janë të aftë të marrin vendime strategjike. Atëherë, çfarë sugjerojnë ata?
- 1) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. "Në Kosovë, 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Veriu i Kosovës do të ketë status special duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut ", thuhet në dokument. Tiroli i Jugut është një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë është flasin gjermanisht.
- 2) Bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të Republika Srpska me Serbinë. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të bjerë dakord për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
- 3) "Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet duke bashkuar kantonet me shumicë kroate të Bosnjës me Kroacinë ose duke i dhënë status të veçantë pjesës kroate të Bosnjës (duke përdorur modelin e Tirolit të Jugut)."
- 4) "Kjo do t'u jepte boshnjakëve një shtet të pavarur që funksionon dhe do të merrte përgjegjësinë e plotë për të. Në një referendum, njerëzit do të vendosnin nëse do të bashkoheshin me BE ose për një të ardhme jashtë BE (duke ndjekur shembullin e Turqisë. Tani për tani, një shumicë dërrmuese e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE-së dhe një rritje e mprehtë e ndikimit turk dhe islamik radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë drastike gjatë dekadës tjetër ".
Dokumenti nuk parashikon aneksimin e pjesës perëndimore të Maqedonisë Veriore dhe zonës së Preshevës dhe Bujanovcit në Shqipëri, duke bërë kështu që komunat me shumicë shqiptare dhe malazeze të mos “preken”.
Propozimi franko-gjerman
Edhe pse Bashkimi Europian ka hedhrur poshtë ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor pas propozimit nga Sllovenia, një tjetër letër tronditi sërish rajonin vetëm një javë më vonë.
Në redaksinë e gazetës “Koha Ditore” mbërritur një dokument jo zyrtar i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Edhe pse Ambasada Gjermane ka hedhur poshtë lajmin, sipas diplomatëve këto përpjekje janë të mbështetura nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berlini dhe Parisi mbështetin sipas këtij dokumenti zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës sipas modelit të Bosnjës, duke krijuar një republikë të ngjashme me Republikës Srpska në Veriun e Kosovës me 170 fshatra dhe komuna. Kjo zgjidhje mbështetët fuqimisht nga Serbia, e cila po kërkon si hap paraprak krijimin e asociacion të Komunave Serbeve në Veri të Kosovës, nëpërmjet të cilit do të ushtronte ndjeshëm ndikimin mbi Prishtinën zyrtare.
Në këtë letër thuhet se Bashkimi Europian do të vazhdojë të lehtësojë procesin që do të çojë tek nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht obliguese mes të dyja palëve.
Palët do të duhej të pajtoheshin edhe për vendosjen e një “distrikti autonom të Kosovës veriore” si një “njësi e veçante administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në bazë rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, gjyqësorit, shërbimit policor, zhvillimit urban dhe bashkëpunimit evropian, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisjen lokale”.
Sipas këtij plani, vërtetësia e të cilit nuk ka mundur të konfirmohet nga gazeta, “Distrikti autonom i Kosovës veriore” do të përfshinte territorin e qyteteve Zveçanin me 35 fshatra, Leposaviqin me 72 fshatra, Mitrovicën e veriut, dhe zonën kadastrale të qytetit të Zubin-Potokut me 63 fshatra”.
Dokumenti propozon edhe një status të veçantë për kishat ortodokse serbe në Kosovë për të siguruar atë që quhet “veprimtari e papenguar” e tyre.
Propozimi i Francës
Mediat serbe kanë bërë publik një propozim të hartuar sipas tyre nga Franca për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Beograd-Prishtinë, i cili nuk përfshin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Sipas këtij propozimi, që mediat thonë se ka mbështetjen e Bashkimit Europian, Kosova do të duhet të hiqte dorë nga komunat e Veriut, të cilat do të formonin një republike autonome, të ngjashme me Republikën Srpska në Bosnjë, e cila kontrollohet në mënyrë de facto nga shteti serb.
Kjo strategji, për të cilën ambasada franceze në Kosovë dhe Serbi nuk ka komentuar ende, propozon si "shpërblim" se Kosova do të njihet si shtet i pavarur nga Greqia dhe do të marrë liberalizimin e vizave. Ai nuk përmend në asnjë moment njohjen e Kosovës nga Serbia, apo nga katër vendet e tjera anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë dhe as anëtarësimin e saj në OKB. Nga ky propozim, siç thonë ekspertët në Kosovë fiton vetëm Serbia.
Propozim i Francës, u bë fillimisht i ditur nga Këshilltari politik i ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se, në dijeninë e tij, Parisi kishte propozuar një marrëveshje të përkohshme midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo marrëveshje, siç shpjegoi Artan Behrami, nuk bazohet në një parim të njohjes reciproke dhe i është dërguar si propozim konkret Beogradit, Brukselit dhe Prishtinës.
"Sipas informacionit tim, Gjermania nuk është në lojë, për shkak të zgjedhjeve të këtij viti për kancelarin e ri, ndërsa Shtetet e Bashkuara i dorëzuan autorizimin Brukselit për dialog. Ekziston një ide e udhëhequr nga Franca dhe e mbështetur nga Brukseli, për të arritur një marrëveshje të përkohshme, por është e dëmshme për Kosovën, sepse flet për autonominë e veriut, të drejtat më të mëdha të kishës në këmbim të njohjes nga Greqia dhe liberalizimin e vizave ", tha Behrami në një intervistë televizive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.