Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin sërish në paradhomat e Bashkimit Europian për caktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Që të dyja vendet morën hapjen e negociatave në mars të vitit të kaluar, por që pas këtij vendimi nuk kanë marrë ende një datë për zhvillimin e konferencave përkatëse ndërqeveritare me Brukselin.
Zvarritja e procesit të vendimmarrjes për këtë çështje nga ana e Brukselit ka lënë në një pritje, që Kryeministri Edi Rama e cilëson absurde dhe që i kujton veprën e famshme të Samuel Beckett, “Duke pritur Godonë”.
“Pse këto ditë gjithnjë e më shumë në mendje më vjen kryevepra e Samuel Beckett kur ndjek këto deklaratat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?”, thotë Kryeministri në një postim të shpërndarë anglisht në Twitter.
Why I think so often nowdays about Samuel Beckett's masterpiece while following statements on Albania and North Macedonia?
— Edi Rama (@ediramaal) May 11, 2021
(Any resemblance to real events or persons, living or dead, is purely coincidental of course) #FutureofEurope pic.twitter.com/wTFgWDvzLN
Gjuha e përzgjedhur duket qartë se nuk i drejtohet publikut shqiptar, por me gjasë zyrtarëve dhe vendimmarrësve të Brukselit, nisur edhe nga shënimi pasues i vendosur në kllapa prej Ramës.
“Çdo ngjashmëri me ndodhi reale, persona të gjallë, apo të vdekur, sigurisht që është rastësi”, thotë Kryeministri.
E ashtu siç drama e famshme e shkrimtarit irlandez shpërfaq pafuqinë njerëzore dhe vendosjen e shpresave tek një fuqi mbinatyrore që “Godoja të vijë”, ashtu, sipas krahasimit të Ramës, edhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë të pafuqishme përballë fuqisë “mbinatyrore” të Bashkimit Europian për negociatat.
Drama e Beckett, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1969, më vonë do t’i jepte emër teatrit të absurdit. Absurditeti i “Duke pritur Godonë” fillon që në nisje veprës, ku vendi, njerëzit dhe koha janë të papërcaktuara. Personazhet, Estragoni dhe Vladimi janë në pritje të Godosë, por për Godonë nuk dinë gjë, nuk e njohin dhe as e dinë se kur do të vijë, por janë në pritje të vazhdueshme të ardhjes së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.