Shkalla e papunësisë gjatë vitit 2020 u ul me 0.2% krahasuar me vitin 2019 dhe grupmosha më e prekur rezulton +15 vjeç. Në vitin 2020, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 27.9 % të të rinjve gjithsej. Pjesa tjetër, janë jashtë tregut të punës për arsye se janë
ose të dekurajuar 15.2%, ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare 16.6%, ose për
arsye të tjera 33.1%.
Nga të dhënat e INSTAT numri i personave në marrëdhënie pune në Shqipëri gjatë vitit 2020 ishte 1.407.934, nga të cilat 55.4% janë meshkuj dhe 44.6% femra. Të punësuar janë 1.243.345 individë, nga të cilët përsëri pjesa më e madhe janë meshkuj. Të papunë vlerësohen 164.613 individë.
Grupmosha 15-69 vjeç zë 69.1% të të gjithë të punësuarëve. Sektori i shërbimeve dhe sektori i bujqësisë kanë në to pjesën më të madhe të individëve në marrëdhënie pune.
Në vitin 2020, rezulton se 46.1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33.3 % janë të vetë-punësuar dhe 20.6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Për vitin 2020, qarku me nivelin më të lartë të punësimit është Gjirokastra me 69% të popullatës së punësuar. Me nivelin më të ulët është Lezha me vetëm 22.2% të punësuar.
Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 53.662 lekë. Krahasuar me vitin 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 2.4%. Paga minimale në vitin 2020 vlerësohej në 26.000 lekë, vlerë me të cilën është paguar pjesa më e madhe e të punësuarëve, 26.2% e tyre.
Në vitin 2020, grup-profesionet më të paguara janë: Ligjvënësit, nëpunësit e lartë të administratës shtetërore dhe drejtorët ekzekutivë; Specialistët me arsim të lartë (profesionistë); dhe Teknikët dhe specialistët në zbatim. Ndërsa grup-profesionet me pagë nën nivelin mesatar janë: Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit; punëtorët e profesioneve elementare; dhe zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.