Trashëgimi

Grabitja i rrjetit elektrik në Kalanë e Rozafës, Margariti: Krim ndaj trashëgimisë

Rrjeti elektrik i ndriçimit të Kalasë së Rozafës bie pre e grabitjes. Projekti për ndriçimin e Kalasë së Rozafës ndërtuar gjatë shek.V-IV p.e.r nisi në muajin dhjetor nga Ministria e Kulturës dhe ndaj dëmtimi i rrjetit elektrik për ministren e Kulturës, Elva Margariti, është një krim.
Në një postim të saj, Margariti dënonte dëmtimin e rrjetit elektrik dhe ftonte shkodranët, që të ndihmojnë institucionet për vënien e përgjegjësve të këtij akti para drejtësisë. “E shokuar nga lajmi i dëmtimit të rrjetit elektrik të ndriçimit të Kalasë së Rozafës, në Shkodër! Ende pa iu gëzuar kësaj kurore të Shkodrës, që kurrë nuk ishte dukur më e bukur, individë të papërgjegjshëm kanë kryer një krim, duke dëmtuar pasurinë tonë të përbashkët. Ftoj çdo shkodran të ndershëm që jo vetëm të distancohet, por edhe të ndihmojë institucionet e drejtësisë, për vënien e përgjegjësve përpara ligjit!”, shprehej ministrja Elva Margariti në Facebook. Për dëmtimin e rrjetit elektrik të ndriçimit të Kalasë së Rozafës ka reaguar dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër. DRTK shprehej se dënon çdo dëmtim të trashëgimisë sonë kulturore. Në reagimin e saj DRTK Shkodër pohon se përtej dëmit ekonomik është dhe cënim i imazhit të siteve tona. “DRTK Shkodër dënon me forcë çdo akt dhe dëmtim të trashëgimisë kulturore dhe pronës publike. Për fat të keq pre e dëmtimit dhe vjedhjes, ka rënë këto ditë edhe rrjeti i ndriçimit të jashtëm në Kalanë Rozafa. Përtej dëmit ekonomik, ky është një cënim i rëndë i imazhit të siteve tona, trashëgimisë tonë kulturore në sytë e vizitorëve dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për rikthimin në normalitet të sezonit turistik, goditur rëndë nga pandemia globale”, thuhet në reagim. DRTK Shkodër bën me dije se i është drejtuar organeve të policisë qarkut Shkodër për vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo individi, që cënon apo dëmton simbolin e qytetit, Kalanë Rozafa. “Ky reagim le të shërbej si një thirrje dhe sensibilizim publik për të gjithë bashkëqytetarët, për ruajtjen, sinjalizimin, e çdo tentative për dëmtim. Trashëgimia kulturore është pronë e të gjithëve”, vijon DRTK Shkodër që ka publikuar dhe foto nga kalaja.

Kalaja e Shkodrës

Ministria e Kulturës me projektin e ndriçimit që u zbatua më parë parashikonte investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës. Falë këtij projekti u ndriçuan ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.
Kalaja mijëravjeçare që mban emrin Rozafa vijon t'i rezistojë fort kohës. Sipas specialistëve, gjendja e kësaj kështjelle është e mirë falë edhe tipologjisë së ndërtimit të saj, por vit pas viti ka nevojë për restaurime. Së fundmi në këtë monument kulture u zbatua një projekt për ringritjen e fragmentit të murit, në pjesën lindore të Kalasë, i cili rezultonte i dëmtuar që nga fillimi i shek. XX.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë