Editorial

Fituesi është i detyruar ta krijojë i vetëm qeverinë

Fushata elektorale nuk është më e qetë. Dhuna verbale është shtuar dhe së fundmi edhe është përgjakur me viktima militantësh.

Kjo ishte e pritshme. Gjuha e ashpër që  buron nga gurra politike, thirrjet për të vendosur drejtësinë e pretenduar në mënyrë individuale apo kolektive përtej kornizave të ligjit, nuk mund të prodhojnë paqe, por tension dhe krim.

Nga ana tjetër prezenca e  struktura paralele që po zëvendësojnë shtetin , të mbushur  me ish-ushtrak dhe ish-policë që kontrollojnë me dhunë, intimidojnë dhe mbajnë në stres qyetarët, duke kapërcyer ligjin dhe vendosur vetgjyqësinë, e ka rritur jo vetëm shkallën e tensionit, por edhe rrezikun.

Thirrjet e herë pas hershme nga kandidatë për të mos kursyer  asgjë  në emër të lirisë dhe mbrojtjes së demokracisë kanë krijuar tablo lufte, ku dikush, diku , duhet të sakrifikohet edhe më jetë.

Ndërkohë ekspozimi i njerëzve për lidhje të dyshuar me krimin në procesin elektoral  e ka bërë pis edhe imazhin e  takimeve eletorale të qeta, entuziaste, me ngjyra dhe distancim social, të përzgjedhura me kujdes nga stafet e marketingut të partive.

Tani njerëzit kanë të drejtë të jenë të shqetësuar dhe të turbullut. Kjo fushatë nuk është më e qetë.

Për të gjetur fajtorët duhen fakte. Sot nuk kemi asnjë hetim (përveç rastit të fundit të vrasjes në Elbasan), asnjë arrestim se votat po blihet, as se njerëzit po kërcënohen, pavarësisht se ka copëza dëshmish nga terreni se këto po  ndodhin siç ka edhe incidente të dhunës verbale dhe fizike.

Por fakt i dukshëm publik është që sot në këtë javë të fundit të  fushtës për zgjedhjet e 25 prillit ka  frymë ose më mirë shkulmë politikë që  thërret për  dhunë në emër të pushtetit.

Shqetësimi më i madh i qyetarëve në këto momente është: a mund të ndalet kjo spirale? Pse nuk vepron ligji? A mund të ndalet kjo frymë dhe sa shpejt?

Droja jonë është se dhe pas ditës së zgjedhjeve  ka gjasa që tensioni të vazhdoj dhe të jap efekte në disa drejtime,

Kemi disa arsye pse arrijmë në këtë përfundim.

Së pari, ky tension është projektuar që në fillim të herës kur nisën formalisht angazhimet për zgjedhjet. Koalicioni PD-An dhe LSI edhe pse do të garojnë veçmas, kanë ngritur që në krye të herës pretendimin se  edhe sikur PS të dal forca e parë  nëse ata të dy bashkë kanë më shumë, ju takon e drejta për qeverisjen e ardhshme me argumentin se ata kanë shumicën  e  shqiptarëve si një bazë morale edhe pse baza ligjore nuk e lejon. Ky është moment që prodhon tension, i cili mund të  projektoj  krizën politike.

Por edhe sikur PS të siguroj e vetme  një shumicë, që ia kalon të dyjave dhe PD dhe LSI-së, por diferenca  është shumë e vogël, procesi i numërimit dhe daljes së rezulatit do të hyjë në spirale tenikalitetesh, interpretimesh , ankimimesh dhe akuzash për çdo votë që do ta mbajë tensioni lartë. Pala e humbur nuk mund ta pranojë kur shikon se pak e ndan atë nga fitroja dhe do të kërkoj çdo formë tjetër për ta rritur atë. Kujtoni të paktën dy raste, votat e fshatit Ruzhdie në Fier kur PS e  humbur kërkonte hapjen e kutive dhe garën për kryetar bashkie në Tiranë mes Ramës dhe Bashës, kur ky i fundit e ktheu rezultatin përmes votave të pavlefshme. Tensioni dhe vonesa shkaktuan pasoja ekonomike dhe sociale. Në këtë moment të goditur nga pandemia këto doza sa do të vogla do t’i kenë efekte më të mëdha.

Siç mund ta kuptoni nga ky parashtrim skenarësh dhe ngjarjesh, ligji është një instrument që mund  dhe duhet të rivendos qetësinë, por ajo nuk garantohet nëse nuk mbyllet burimi që e shkakton. Kjo është frika nga rezultati i zgjedhjeve.

Nëse duhet që tw kthehemi sa më shpejt në qetësi, në kushtet kur palët agresivisht po “premtojnë” se do ta kenë vështirë të pranojnë humbjen, mbetet detyrimi që kushdo të  do të jetë fituesi,  ai duhe të dalë nga këto zgjedhje me shumicë të dukshme dhe të  distancuar  aq sa të jetë i aftë të krijojë i vetëm qeverisjen. Këtë mundësi e ka në dorë vetëm qytetari, i cili nuk duhet të jetë më në dyshime, por të shkoj të votoj.  Përndryshe  shumë kriza do të kemi përpara dhe do të mbetemi shumë mbrapa, Kush duhet të fitoj: ai që është më afër fitores..


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë