Mjedis

Durrësi qyteti më i ndotur në 3 vitet e fundit

Nga Sorgena Leka- Karantina, si në çdo gjë tjetër, ndikoi dhe në nivelet e ndotjes së ajrit ku, sipas ekspertit të mjedisit, Rodi Gjoka, “mjaftuan 14 ditët e para në karantinë totale ku praktikisht shkarkimet në ajër ndaluan, e me tej kjo i dha mundësinë të reduktohej përqendrimi në ajër i ndotësve nën vlerat e lejuara nga standartet e Europës madje edhe OBSH”.

Ai tregon për Gazetasi.al se në datën 5 Prill ( vendi hyri në karantinë në 8 mars) për të parën herë në 2 dekadat e fundit  ndodhi që në Tiranë përqendrimet e ndotjes ranë edhe nën standardin e lejuar nga OBSH. Në të gjithë vendin PM2.5(Grimca të vogla me diametër 2.5 mikronë), ra me 31% në krahasim me mesataren e vitit 2019, PM10(grimca që gjenden në ajër duke përfshirë pluhurin, papastërtinë, tymin etj), ra me 42%  dhe NO2(Dioksidi i azotit), u reduktua me 193% (2-fish) në krahasim me mesataren e vitit 2019.

Rodion Gjoka, Ekspert mjedisi

“Nga qershori 2020 deri më sot, të gjithë komponentët e mësipërm kanë pësuar një përqendrim mbi standardet e lejuara në ajrin urban. Kjo vihet re si nga monitorimet pikësore edhe nga ato stacionare”, shpjegon Gjoka.

Por duke u bazuar në të dhëna cili është qyteti ku vihen re vlerat më të larta të ndotjes?

“Qyteti me ndotjen më të lartë në 3 vitet e fundit është Durrësi dhe kjo ndodh për disa arsye”, tregon Gjoka i cili shton se cilësia e ajrit urban në Durrës prek direkt shëndetin e qytetarëve për sasinë e saj.

Ai i tha Gazetasi.al se aktivitetet dhe shkarkimet në ajër nga ana portit më të madh në vend, i cili shtrihet në zemër të qytetit është problematika kryesore. Më tutje, Gjoka rendit ndërhyrjet në infrastrukturën publike, private me qëllim përmirësimin e saj apo zgjerimin ku “nuk respektohen as detyrimet më minimale për parandalimin e ndotjes në ajër”.

Gjithashtu, Gjoka shpjegon se ndër të tjerat që ka ky qytet është se përfshin edhe zonën e plazhit, njeh tjetërsimin më të ashpër të sipërfaqes natyrore në rang kombëtar. Ndërtimet dhe në vetvete koracimi (betonizimi) nuk sjellin Oksigjen apo Higjiene, duke bërë që ndotja të jetë detyrimisht më e lartë.  

“Shpenzimet në funksion të minimizimit të shkarkimeve në ajër, ujë e tokë nga sektori privat i ndërtimit janë 0 Lek/m2 apo m3. Kjo pasi ato para janë shpenzuar që në krye të herës kur është dorëzuar zarfi apo “kafja” për të marr lejen e zhvillimit/ndërtimit apo tenderin në fjalë. Ujrat e ndotura dhe mbetjet në Durrës nuk kanë marrë ende zgjidhje. Janë mbi 22 raste ku kemi regjistruar djegie të mbetjeve madje edhe për një kohe të gjatë. Po ashtu shkarkimi ujërave të ndotura nga banesat dhe bizneset shoqërohet jo vetëm me ndotje të ujërave sipërfaqësore por edhe me çlirime në ajër”, thotë Gjoka për Gazetasi.al.

Eksperti shtoi se pikërisht në Durrës, ndryshe nga Tirana, Elbasani e Shkodra ku ndotja vetëm mund të vihet re nga smogu e pluhrat, djegiet e mbetjeve, shkarkimet e ujërave të ndotura bëjnë të mundur që aty ndotja të ketë shije e sipas tij kjo është edhe ndotja me e rrezikshme për shëndetin publik.

Ndër arsyet që përmend eksperti janë edhe zonat industriale dhe autostrada ku biznese të mesme nga më të shumëllojshmet “ofrojnë një kompozim të shkarkimeve në ajër që është tërësisht i pakontrolluar fizikisht nga autoriteti Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Drejtorisë së Higjienës, Institutit të Shëndetit Publik, Ministrisë së Mjedisit apo Inspektoriateve. Po sipas ekspertit autoritete kanë mbi 5 vjet që kërkojnë raporte vetë-monitorimi nga kompanitë dhe nuk dalin të bëjnë një verifikim të vetëm.

“Normalisht nëse do i lihej në dorë ndotësit të raportoj ndotjen do tentoj ta minimizoj ose edhe ta zhduk, kjo nuk do as mënd as kalem. Të gjithë ato institucione, plot kompetenca plot “ekspert” e paralelisht kokë e këmbë të korruptuar që përpos se paguhen kot, lejojnë me vetëdije që qytetit më të vjetër në Shqipëri t’i kanosen kërcënime në raport me shëndetin publik”, shpjegon eksperti.

Së fundi, Gjoka thotë se një arsye tjetër madhore është procesi i Rindërtimit “i cili supozohej të ishte edhe pika e kthesës”.

Ai tregon për Gazetasi.al se të gjithë shembjet, menaxhimi i inerteve dhe rindërtimi ka shtuar me të paktën 17% ngarkesën e pluhurave në qytet. Gjoka shpjegon më tej se pandemia nuk i ka ndryshuar aspak vlerat e ndotjes së ajrit por thjesht “veprimtaria tani është përqendruar në orarin e lejuar dhe intensifikimi i saj ka rritur ndotjen në ato fasha orare.

*Kjo është një pjesë e një raporti i cili pritet të dalë për disa ditë dhe do të publikohet në Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë