Shendet

Fëmijët me autizëm ende i përjetojnë pasojat e izolimit dhe pandemisë


Nga Anxhela Çelanji – “Problemi më i madh është se nuk arrin të përshtatet më si më para, qan, grindet, kundërshton çdo gjë dhe këto ndryshimet e shpeshta e kanë bërë edhe më konfuz,” tregoi Lola, nëna e Aiden, një djalosh 4 –vjeçar që ka pak më shumë se një vit që është identifikuar nga ekspertët si një fëmijë me autizëm. Lola, nëna e vogëlushit tregoi se epidemia ishte shumë e vështirë për familjen e saj. Ajo i tha Gazetasi.al se Aiden bëhet shpesh nervoz dhe nuk arrin ta kontrollojmë.
“Kanë ndikuar shumë terapitë sepse një herë nga kompjuteri, një herë fizikisht me terapisten dhe bëhet lëmsh, nuk arrin të kuptojë shumë mësimet. Madje shpesh herë nuk do që të pikturojë, gjë që më përpara e bënte vazhdimisht”, tregoi Lola.
Epidemia e Covid-19, nuk ka qenë e lehtë për askënd, por për fëmijët me autizëm ka qenë edhe më e vështirë se për të tjerët. Izolimi fillestar, më pas hapja e ngadaltë dhe tashmë rikthimi në shkollë dhe në shoqëri, por me orare të kufizuar, mbajtja e maskës dhe higjiena ka bërë që ata të përjetojnë më shumë situatën.

Silvana Gjoni logopediste dhe terapiste ABA i tha Gazetasi.al se në kontekstin ku ndodhemi pandemia nuk ka përfunduar ende dhe vështirësitë janë akoma prezente.
“Pjesa më e madhe e fëmijëve janë kthyer në terapi fizike. Rikthimi ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i vështirë, pavarësisht përpjekjeve që terapistët dhe prindërit kanë bërë për të mos humbur ritmin e terapisë. Fëmijët janë kthyer me regres në zhvillimin global, por sidomos atë social, të paktën pjesa më e madhe e tyre. Pavarësisht lejes së posaçme që fëmijët me autizëm kanë pasur për të dalë gjatë karantinës, asgjë nuk e zëvendëson socializmin”, shpjegoi Gjoni.
Lola tregoi se ka qenë shumë e vështirë për Aiden të socializohet, pavarësisht punës së madhe që i është dashur të bëjë. Ajo i tha Gazetasi.al se “hallakatja” siç e quan ajo, nuk ka ndikuar mirë në mirëqenien e tij psikologjike.
“Shpesh herë i ngatërrohen gjërat dhe ndonjëherë kur i flet dikush, i duket sikur do t’i bëje keq dhe struket, fshihet, trembet”, shpjegoi Lola.

Ndërkaq Gjoni tregoi se terapistët nga ana e tyre kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë një punë kolosale, që rikthimi i këtyre fëmijëve në terapi të mos jetë traumatik. Sipas saj një sfidë e madhe është edhe adaptimi me mësimin online, pasi ka ndikuar në mirëqenien e tyre psikologjike dhe po vijon të ndikojë.

Logopedistja Terapiste ABA Silvana Gjoni

“Duke qenë se një pjesë e mirë e fëmijëve dhe adoleshentëve me çrregullime neurozhvillimore, duhet të ndjekin mësimin online, gjendja paraqitet e vështirë. Prezenca fizike nuk zëvendësohet dot nga Zoom! Për pasojë, duke ditur edhe problematikat e tyre zhvillimore, shtimi i prezencës së një pajisjeje elektronike dhe marrja e komandave nëpërmjet saj, ul ndjeshëm nivelin e suksesit”, shpjegoi Gjoni për Gazetasi.al.
Terapistja tregoi më tej se edhe kalimi nga mësimi online tek mësimi në shkollë dhe shoqërimi me terapistët dhe shokët ka qenë i vështirë. Gjoni tregoi se ka hasur kundërshti, refuzime, të qara, regres dhe pavarësisht se terapistët dhe prindërit janë munduar shumë, është shumë e vështirë. Terapistja shpjegoi se për fëmijët me autizëm aktualisht janë në fazën e përshtatjes së vonë.
“Ndryshimet nuk kanë lënë shije të mirë, sepse edhe aftësia e tyre për të kuptuar çdo lloj ndryshimi dhe shkak-pasojën është e vështirë. Sot, ata që janë adoleshentë duhet të mbajnë një maskë. Më parë, edhe fëmijët nxiteshin të mbanin maskë. Pra, ishin këto ndryshime që ndodhnin një pas një, që e bënë edhe më të vështirë përshtatjen e fëmijëve. Gjithashtu, distancimi fizik është një pikë shumë e diskutueshme sesa një fëmijë apo adoleshent me autizëm mund ta mbajë. Përpara nesh, paraqiten goxha vështirësi, që të gjithëve ne na ndikojnë, por jo më shumë se sa për personat me çrregullime neurozhvillimore”, shpjegoi terapistja Gjoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë