Shtetet e Bashkuara të enjten thanë se ishin gati të bisedonin me Iranin për rikthimin në marrëveshjen e vitit 2015 që synonte të parandalonte Teheranin nga prodhimi i armëve bërthamore, tre vjet pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja.
Irani reagoi me qetësi ndaj idesë së Shteteve të Bashkuara, të paraqitur nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë një takimi virtual me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë të mbledhur në Paris.
Blinken përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se administrata e Presidentit Joe Biden do të kthehej në marrëveshjen bërthamore nëse Irani do ta zbatonte atë plotësisht.
“Sekretari Blinken përsëriti se … nëse Irani kthehet tek marrëveshja duke e zbatuar atë plotësisht, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të njëjtën gjë dhe janë të përgatitura të përfshihen në diskutime me Iranin drejt arritjes së këtij qëllimi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga katër vendet.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni do t’i përgjigjej pozitivisht çdo ftese të Bashkimit Evropian për bisedime midis Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha që negociuan marrëveshjen origjinale: Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Ne jemi gati të marrim pjesë nëse një takim i tillë do të zhvillohej”, i tha zyrtari agjencisë së lajmeve Reuters, duke folur në kushte anonimiteti, pasi një zyrtar i lartë i BE-së tha se ishte i gatshëm të thërriste një takim të tillë midis palëve që ishin pjesë e marrëveshjes.
Londra, Parisi dhe Berlini mirëpritën synimin e Presidentit Biden për t’u kthyer në rrugën e diplomacisë me Iranin. Por Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, u përgjigj duke thënë se Uashingtonit duhej të bënte lëvizjen e parë.
Irani filloi shkeljen e marrëveshjes në 2019 pasi ish Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi përsëri sanksionet ekonomike ndaj regjimit iranian.
Teherani ka intensifikuar shkeljet e tij në muajt e fundit dhe hyri në një konflikt me administratën e Presidentit Biden mbi atë se kush duhet të lëvizte i pari për të shpëtuar marrëveshjen. (VOA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.