Biznes

Zëra nga Pandemia – Buzëqeshja e hidhur e një biznesi

Nga Megi Iskurti – Gjatë karantinës në fillim të pranverës së vitit të kaluar, bizneset e vogla e mbajnë mend mirë se si u detyruan të shkurtonin stafet dhe sesi likuiditeti u rrudh.

Në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ndodhet një biznes i vogël që shet materiale elektrike dhe kryen instalime nëpër shtëpi.

Administratori i biznesit, M.ZH na tregoi që gjërat po shkonin shumë mirë për biznesin e tij deri në momentin kur goditi pandemia.

“Kam 13 vite që operoj në treg. Ka pasur periudha të caktuara që kisha vështirësi financiare por asnjëherë si në vitin 2020.

Nuk e kisha menduar që do arrija në pikën që duhet të shkurtoja stafin e punëtorëve dhe të ndërmerrja masa për të shmangur falimentimin.”- u shpreh ai.

Kur nisi karantina, M.ZH  kujton se sa shpejtë gjërat u rrokullisën tatëpjetë.

 “E gjeta biznesin tim në një cikël vicioz. Që të kryejmë punën ne duhet të blejmë materialet përkatëse nga furnitorët të cilët sigurisht duan që t’i paguash.

Mundësi për t’i paguar nuk kisha, materialet nuk i blija dot dhe në këtë situatë as nuk mund të punoja që ta nxirrja biznesin tim nga ky cikël.”- na tregoi administratori.

Ai u detyrua të shkurtonte nga vendi i punës 4 punëtorë ndërkohë që 6 të tjerë mbetën të papaguar.

Si zgjidhjen e parë në këtë situatë, pa të arsyeshme që të aplikonte për kredinë sovrane në fund të prillit,  e cila ofrohej që të ndihmonte bizneset të paguanin tatimet e tyre.

Interesi i saj rimbursohej nga shteti dhe ishte përkatësisht rreth 1 mijë lekë në muaj, gjë që nuk luante ndonjë peshë të madhe”-thotë M.

Kredia doli në fillim të korrikut dhe rimbursoi pagat e marsit për të gjithë punëtorët e biznesit  por kjo gjë nuk e ndryshoi shumë situatën.

“Edhe pasi mora kredinë gjendja financiare e biznesit tim vazhdonte të ishte e keqe. Punëtorët ishin të pakënaqur dhe po shkoja çdo ditë e më shumë drejt falimentimit të tij.

Doja me çdo kusht ta shmang atë kështu që u detyrova të nxjerr në shitje një pronë timen private. Nuk kisha ndonjë mundësi më të mirë.”- tregoi administratori.

Kjo situatë vijoi në të njëjtin ritëm deri në momentin kur prona e tij u shit dhe gjërat nisën t’i ktheheshin normalitetit.

“Pasi e shita pronën filluan likuidimet dhe dalëngadalë gjërat nisën të merrnin rrjedhën e mëparshme. Punëtorët i pagova dhe puna rinisi me ritmet e para karantinës.

Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do përballesha me aq vështirësi të mëdha por ja që bizneset janë një risk më vete dhe të mbetet ty në dorë nëse do rrezikosh apo jo”- mbylli bisedën ai.

Sipas të dhënave të QKB, gjatë 2020  janë çregjistruar 4.887  biznese dhe rreth 50 mijë vetë humbën punën e tyre. Ndërkohë që pas karantinës Ministria e Financave dhe Ekonomisë prezantoi 3 skema punësimi për rifutjen në treg të individëve që e humbën punën.

Tani në biznesin e materialeve elektrike në Don Bosko  është rikthyer në punë i gjithë stafi dhe xhiroja e biznesit është kthyer në të njëjtat nivele si para karantinës, por me një ndryshim : M. Zh  nuk e ka më pronën private për të cilën kishte punuar 13 vite për ta gëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë