“Dua të më japësh pesë tableta OKI dhe dy Codramol gjithashtu edhe dy pako me vitamina,” jep porosinë një djalë që nuk duhet të jetë më shumë se 24 vjeç në një farmaci pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”.
Në bisedë e sipër me farmacisten ai pohoi se është hera e tretë që blen vitamina që në fillim të pandemisë dhe të trija herët i ka blerë muajin e fundit pasi thotë se “i ka hyrë frika në palcë”.
“Çfarë nuk po dëgjojmë. Shokët e mi dhe prindërit e tyre e kanë kaluar shumë rëndë virusin dhe sa më kanë treguar, vetëm vitaminat i kanë mbajtur në këmbë. Jemi bërë me fiksime, po të na dhëmbë koka, direkt tek ilaçet,” thotë i riu.
Në një vëzhgim të fundit të Gazetës “Si”, kuptohet që të rinjtë kanë filluar të “tremben” nga pandemia e Covid-19 dhe gjithnjë e më shumë po dynden nëpër farmaci të kryeqytetit.
“Kanë filluar të marrin shumë ilaçe OTC (medikamente pa recetë mjeku) dhe vitamina. Shitjet për vitamina janë rritur dhe klientët janë më së shumti të rinj. Të rinj po na vijnë çdo ditë e më shumë”, tregon një farmaciste në Rrugën e Kavajës.
Të njëjtën gjë tregojnë edhe kolege të tjera të saj përgjatë kësaj rruge. Sipas saj, shitja e vitaminave është e njëjtë me fillimin e pandemisë kur njerëzit nuk kishin informacion për sëmundjen dhe kishte një panik të shtuar.
“Ajo çfarë më bën përshtypje është se vitaminat janë blerë më së shumti nga të rinjtë. Vitaminat që preferojnë më shumë janë ato 3 në 1, të cilat përmbajnë vitaminë C, D dhe Zinkun. Përshembull, përpara dy muajsh mund të shisja rreth 5 kuti në ditë, këto kohë kam shitur 20 kuti në ditë. Për të mos folur për vitaminat C 1000 mg, shitja e të cilave është shtuar edhe më shumë. Farmacistët thonë se edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare, shitjet e medikamenteve pa recetë dhe vitaminave, janë të njëjta sa në fillim të pandemisë, kur njerëzit nuk kishin këtë informacion që kanë sot për virusin.
Ndërkaq në depot farmaceutike ka pasur një rritje të medikamenteve OTC dhe vitaminave. Disa depo farmaceutike pohuan për gazetasi.al se gjatë kësaj periudhe shitjet janë shtuar gati dy fish se më përpara.
FarmaNova një prej depove farmaceutike me të cilat Gazeta “Si” bisedoi tha se duke bërë krahasimin me periudha të ndryshme, që prej fillimit të marsit shitja e këtyre dy medikamenteve është rritur me 70%.
Ndërkaq të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2020 preparatet dhe medikamente ishin rreth 4.2% të importeve totale. Sipas të dhënave gjatë vitit të kaluar produktet farmaceutike shënuan rritje vjetore me 2% në 2020-n.
“Sa më shumë është shtuar informacioni për virusin aq më shumë janë shtuar edhe kërkesat. Në fillim njerëzit pyesnin më shumë dhe përgjithësisht i merrnin medikamentet se kishin dëgjuar dhe lexuar, por tani janë të vetëdijshëm për efikasitetin e tyre madje të japin edhe ide se cilat duhet të kemi në farmaci,” shton një tjetër farmacist.
Më herët, Shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo ka shpjeguar se numri i shtrimeve është rritur me persona në moshë të re. Komiteti i Ekspertëve gjatë mbledhjes së fundit shpjegoi se personat më të prekur janë përgjithësisht të moshës 25-35, të cilët janë gjithnjë e më të drejtuar nga format e rënda të sëmundjes.
Një studim i fundit në Nju Jork tregon se personat e rinj po infektohen dhe ri-infektohen për shkak të mos kujdesit. Studiuesit shpjeguan se infeksionet e para dhe të dyta, ishin në të njëjtin tip të virusit dhe asnjë nga variantet e reja.
“Vetëm sepse keni antitrupa nga një infeksion i mëparshëm, nuk do të thotë se keni shpëtuar,” shkroi autori i studimit, Stjuart Silfon, profesor i neurologjisë në Shkollën e Mjekësisë në Mount Sinai në Nju Jork.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.