Shoqata e Investitorëve të Huaj (Foreign Investors Association of Albania – FIAA) i ka kërkuar partive politike në Shqipëri të shprehin qartë programet e tyre për përballimin e kushteve të krijuara në vend, politike dhe ekonomike.
Sipas FIAA-s pandemia e pengoi rrugën e arritjes së reformave të synuara në vendin tonë në zhvillimin ekonomik. Problemet e sistemit gjyqësor dhe siguria ligjore e investimeve, sidomos ato të huajat, janë të parat që duhet të rishkohen.
Shoqata e Investitorëve të Huaj parashtroi 10 kërkesa për partitë lidhur me investimet dhe biznesin në vend:
1- Nevojë për veprim të menjëhershëm në përmirësimin e sistemit gjyqësor shqiptar, në veçanti, fillimi efikas i Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur, plotësim me personelin e duhur të të gjitha gjykatave të tjera, veçanërisht për Gjykatën e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë me gjyqtarë që kanë kaluar vetingun dhe me gjyqtarë të rinj që sigurojnë pavarësi dhe paanësi. Të ndjekë në mënyrë të ashpër luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.
2- Nevojë për rregulla të përmirësuara procedurale tatimore, duke siguruar në veçanti, kuadër i detyrueshëm për marrjen e vendimeve paraprake për taksat, duke e bërë të detyrueshme që administrata tatimore të përgjigjet brenda një afati kohor të arsyeshëm ndaj kërkesave për vendime paraprake. Publikim i të gjitha vendimeve tatimore të lëshuara në mënyrë që tatimpaguesit e tjerë të ndjekin të njëjtin trajtim. Respektim i afateve për rimbursimin e TVSH-së për të lejuar një planifikim të besueshëm të gjendjes së likuiditetit për të gjitha bizneset, dhe detyrimin e Qeverisë të paguajë interes në rast pagese të vonuar interesi automatik të llogaritet nga sistemi i e-taksave pa nevojë për një kërkesë nga tatimpaguesi). Sigurim ndërveprimi ndërmjet agjencive qeveritare (ka pozicione kontradiktore midis ministrive ose agjencive, (p.sh. vendimet e AKBN-së sfidohen nga vendimet e taksave).
3- Përmirësim i procesit të lejeve duke pasqyruar nevojat e industrive specifike dhe zvogëlim për vonesat në marrjen e lejeve të ndërtimit, duke integruar procedurat e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit dhe të gjithë autoriteteve të tjera të qeverisjes vendore dhe lokale përgjegjëse për dhënien e lejeve të ndërtimit. Përkufizimi i afateve kohore të detyrueshme për dhënien e lejeve.
4- Sigurim i një koordinimi më të mirë midis autoriteteve lokale dhe qeverisë qendrore për të shmangur veprimet arbitrare kundër bizneseve të vendosura në zona të ndryshme administrative të Shqipërisë.
5- Përmirësim i dialogut me Biznesin dhe reagim i duhur i institucioneve përgjegjëse me të cilët investitorët e huaj dhe vendas punojnë në Shqipëri.
6- Mbështetje për dighitalizimin e mëtejshëm të administratës publike dhe veçanërisht, në drejtim të ndarjes së të dhënave me subjekte private për ofrim më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lartë të shërbimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë. Investim në kapacitetet e nënshkrimit elektronik, qoftë fizikisht në terma të infrastrukturës teknologjike publike, ose ligjërisht në drejtim të njohjes së tij nga gjykatat; Dixhitalizim, por gjithashtu optimizim: investoni në shpërndarjen më të shpejtë dhe më të sigurtë të certifikatave publike (tatime, prona, penale, etj), që janë dixhitalizuar tashmë, por jo ende mjaftueshëm efikase në shpërndarjen drejt përfituesit final; Mbështetje për shpërndarjen e shpejtë të ID-ve biometrike dixhitale, si një mjet për të ulur rreziqet në prag të rritjes së shpejtë të transaksioneve dixhitale, duke përfshirë edhe aktivizimin e opsioneve dixhitale që kjo ID përmban (kodi, leximi i të dhënave biometrike nga palë të treta etj); Investim në krijimin e një Byroje Private të të Dhënave të Kredive, duke rritur kështu aksesin në financë për popullatat dhe sipërmarrësit e vegjël, por dhe duke lejuar një kontroll të lartë dhe më të sigurt nga institucionet private të të dhënave të atyre bizneseve dhe individëve që janë më së shumti të ekspozuar ndaj risqeve financiare, por edhe rreziqeve të tjera si mashtrime, rreziqe kriminale ose rreziqe të tjera të paligjshme.
7- Krijimi i një “Fondi të fondeve” (Skemë e Garancisë) në mënyrë që të sigurohet një nivel më i lartë mbrojtjeje për bizneset në rastet e katastrofave mjedisore ose krizave të përhapura, të tilla si ajo që po jetojmë aktualisht nën pandeminë Covid 19. Në lidhje me rreziqet në mjedis dhe tërmetet, zgjerimi i mëtejshëm i produkteve të sigurimeve, për bizneset dhe fermerët, duket se është rruga e duhur përpara. Skema e garancisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e përgjithësuar dhe të mbulojë të gjithë ndërmjetësit financiarë, që shërbejnë në veçanti fermerët dhe bizneset e vogla më vulnerabël ndaj krizave.
8- Mbështetje për ekonomitë e shkallës duke kombinuar grante publike dhe fonde private në mënyrë që të arrihet më shumë ndikim, me një fokus të veçantë në ekonominë rurale/ bujqësi, duke marrë parasysh periudhën sfiduese që po kalon aktualisht ekonomia shqiptare.
9- Rritja e investimeve publike në arsimin profesional dhe me qëllim përhapjen e kulturës sipërmarrëse midis brezit të ri, duke rritur stimujt, skemat mbështetëse, instrumentet arsimore etj. Përtej spektrit të inovacionit, profesionalizmi, punësimi në shtëpi dhe sipërmarrja, duhet të promovohen si një alternativë e qartë ndaj fitimeve të paligjshme të shpejta dhe imigrimit.
10- T’i japë fokus të lartë konkurrencës për të nxitur investimet. Futja e dispozitave të qarta në ligj duke theksuar që projektet e reja të jepen përmes një procesi konkurrues, sesa nëpërmjet negociatave direkte me investitorin e ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.