Politike

Kufiri detar Shqipëri-Greqi/ Turqia: Zgjidhja e konfliktit tonë në Egje jo si tuaja në detin Jon

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në fillim të muajit Janar në Turqi i çoi marrëdhëniet mes dy vendeve në një tjetër nivel.

Marrëveshja e bashkëpunimit strategjik e firmosur mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Tayp Erdogan pritet të zhvillohet në fushën ekonomike,  politike, por edhe atë ushtarake.

Për të gjitha sa më sipër foli Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë, Mustafa Sentop.  

Gjatë një interviste të dhënë për Radio Televizionin Shqiptar, z.Sentop tha ndër të tjera se, Turqia ka arritur suksese të mëdha në fushën e industrisë ushtarake dhe  se këtë eksperiencë do ta ndajë edhe me Shqipërinë.

Lidhur me daljen në detin Jon të Greqisë me 12 milje dhe faktin se si i shikon Ankaraja përpjekiet greko-shqiptare për delitimimin detar, Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë sqaroi pas një shpjegimi të gjatë, një qëndrim thelbësor se, “çdo vend ka specifikat e veta në këtë drejtim dhe se këto zgjidhen me marrëveshje”.

“Sigurisht që deti Jon është det tjetër, deti me ishuj është tjetër. Nuk ka rregulla të përbashkëta, të vetme për të gjitha detet në botë. Aspektet ligjore përcaktohen në varësi të natyrës së tyre, përcaktohen kufijtë, marrëveshjet bëhen mbi bazë të këtyre veçorive.

Përsa i takon detit me ishuj problemi nuk është deti, por copat e tokës brenda detit. Prandaj bëhet fjalë për pranimin e një aspekti juridik duke parë veçoritë e detit me ishuj. Prandaj është e pamundur të mendojmë që rregullat juridike që zbatohen për detin Jon të jenë të përshtatshme edhe për detin me ishuj. Këtë e them bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Kryetari i Asamblesë së Madhe të Turqisë shtoi se, edhe në detin e Mesdheut Lindor dhe në detet e tjera Turqia ka bërë të ditur se nuk synon të marrë, apo të vjedhë ujërat territoriale që u përkasin të tjerëve.

“Turqia është vendi që respekton rregullat ndërkombëtare dhe respekton të drejtat e vendeve të tjera në bazë të të drejtës ndërkombëtare.

Por Turqia nuk është vend që do të heqë dorë nga të drejtat juridike bazuar në rregullat ndërkombëtare sepse disa vende bërtasin. Ky është parimi i Turqisë. Sipas të drejtës ndërkombëtare, ne duam të drejtat tona me çdo kusht dhe me çdo çmim. Dhe këtë ne e mbrojmë deri ne fund. Ne nuk i kemi sytë tek të drejtat e të tjerëve”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë