Kosova

Turqia dhe BE-ja paralajmërojnë Kosovën të mos hapë ambasadën në Jeruzalem

Lajmi për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, pas normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin ka shkaktuar reagimet e para të ashpra nga dy aleatë të rëndësishëm të Prishtinës zyrtare: Bashkimi Europian dhe  Turqia.

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, kur Kosova është zotuar se do të hapë ambasasën e saj në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem. Por analistët paralajmërojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime të forta ndërkombëtare.

Prishtina dhe Tel Avivi  formalizuan marrëdhëniet në një ceremoni virtuale, gjatë të cilës ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla dhe kryediplomati izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan një dokument të përbashkët.

Mes të tjerash, ministri izraelit tha se ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem, duke sinjalizuar kështu se ndryshe nga Beogradi, Prishtina nuk do të tërhiqet nga marrëveshja e Uashingtonit, ku zotohej për çështjen e ambasadës.

Por ashtu siç edhe pritej, ky vendim nuk ëshë pritur mirë nga Turqia, e cila tha se ky veprim shkel rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.

“Zotimi në fjalë i Kosovës është shkelje e ligjit ndërkombëtar, veçanërisht i rezolutave të OKB-së të miratuara për këtë çështje”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy. Ai shtoi se hapi i bërë nga Kosova nuk do t’i shërbejë kauzës palestineze dhe do ta dëmtojë vizionin për zgjidhjen me dy shtete.

Të njëjtin qëndrim duket se ka mbajtur edhe Bashkimi Europian , i cili e ka paralajmëruar haptazi  Kosovën të mos hapë ambasadën e saj në Jerusalem.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë që qëndrimi i unionit  është që ambasada e ardhshme e Kosovës të vendoset në Tel Aviv.

“Pozicioni i BE-së për vendosjen e ambasadave në Jerusalem është i qartë, pra në përputhje me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1980, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e shteteve anëtare të BE-së si dhe delegacionin e BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”,  ka thënë ai.

Reagimi i parë nga Prishtina erdhi nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër këtë qëndrimi të BE-së duke e cilësuar hipokrit dhe të padrejtë.

“Hipokrizia ka emër.  Kosova nuk ka Ambasadë në Madrid, Bratislavë, Athinë, Bukuresht, Nikozia. Kosova nuk ka Ambasadë as pranë BE. Brukseli, para se të na japë leksione për Ambasadën në Jerusalem, të flasë pak për mungesën e misionit të Kosovës pranë BE”, thotë diplomatja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë