Ne rrjet

25 vjet përkujtime të Holokaustit në Bundestagun Gjerman

Prej vitit 1996, çdo vit në Bundestag përkujtohen krimet e nazizmit. Në fjalimet e tyre të mbijetuarit e Holokaustit ose kryetarët e shteteve të ftuar në parlamentin gjerman flasin edhe për rreziqet aktuale.

“Gjenocid” – a është ky term i përshtatshëm për të përshkruar shfarosjen sistematike të gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945)? Padyshim që jo. Në Izrael krimi më i madh kundër njerëzimit quhet “Shoah” dhe do të thotë “katastrofë” ose “fatkeqësi e madhe”. Jashtë shtetit izraelit, i cili u themelua në vitin 1948, quhet “Holokaust”. Ky term rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë “e djegur plotësisht”.

Përpjekja për ta përmbledhur në një term këtë prishje të qytetërimit nga ana e gjermanëve mbetet gjithmonë sfidë. Kjo pasqyrohet gjithashtu në emrin zyrtar të “Ditës së Përkujtimit të Viktimave të Nacional Socializmit” të prezantuar në vitin 1996 nga Presidenti i atëhershëm Federal, Roman Herzog. 27 janari është dita e përkujtimit të çlirimit të kampit të shfarosjes naziste Auschwitz nga ushtarët sovjetikë.

Dy vjet pas fjalimit të parë të presidentit të atëhershëm të Gjermanisë Roman Herzog, historiani izraelit, Yehuda Bauer, i lindur në Pragë, në vitin 1926, do të mbante një fjalim në Bundestagun Gjerman në Berlin. Ai kujtoi gjenocidet në Ruandë (1994), Kamboxhia (1975-79) dhe Armeni (1915/16). Të gjitha këto gjenocide ndodhën në territore të caktuara, edhe pse ishin territore të mëdha, tha studiuesi i Holokaustit. Ndërsa “vrasja e hebrenjve ishte universale, e shpërndarë në të gjithë botën”. Dhe ajo mund të përsëritet – sigurisht jo në të njëjtën formë, por ndoshta shumë ngjashëm, shtoi ai.

Ish kampi i përqendrimit në Auschwitz (sot Poloni) ishte një nga kampet më të mëdha të shfarosjes së nazistëve. Ai u çlirua më 27 janar 1945 nga Ushtria Sovjetike. Sot është muze.

Në vitin 2000, për herë të parë në Bundestag foli një i mbijetuar i Aushvicit: Elie Wiesel. Shpresojmë që ju ta besoni atë “që unë flas pa urrejtje dhe hidhërim”, tha shkrimtari amerikan i lindur në Rumani. “A do t’ju lëndojnë fjalët e mia?” Pyeti Wiesel. Ky nuk është qëllimi i tij, shtoi ai. “Si duhet ta kuptojë dikush kultin e urrejtjes dhe vdekjes që kaploi vendin tuaj?” Ai nuk beson në fajin kolektiv, ai i tregon audiencës së tij, kryesisht gjermane, në vendin e autorëve – dhe në të njëjtën kohë paralajmëron për rrezikun e tërheqjes së një vije. “Kush e lejon veten të errësojë kujtesën e viktimave, i vret ata për herë të dytë.”

Kur, në vitin 2002,  i mbijetuari i Holokaustit dhe ish-Ministri i Jashtëm polak, Bronislaw Geremek foli në ditën përkujtimore të viktimave të nacional-socializmit , disa muaj më parë bota ishte tronditur nga sulmet terroriste islamike më 11 shtator 2001 në SHBA. Historia bashkëkohore nuk e ka mbyllur “kapitullin e urrejtjes”, tha Geremek asokohe dhe bëri thirrje për “veprim të përbashkët ndërkombëtar”. Ai tërhoqi një vijë nga paralele mes nazistëve në gjenocideve pas vitit 1945. Bota nuk duhej të kishte qëndruar e pafuqishme kur u dogjën librat në Gjermani ose kur u shkatërruan monumentet e kulturës në Afganistan. “Pas tyre gjithnjë vijnë njerëzit”.

Elie Wiesel

Presidenti i Izraelit paralajmëron për kërcënimin bërthamor të Iranit

Në vitin 2010, në pultin e folësve në Bundestag doli për herë të parë një president i Izraelit: Shimon Peres. Në vitin 2020 do të pasohej nga Reuven Rivlin. Peres paralajmëroi për kërcënimet që i bëhen vendit të tij nga armët e shkatërrimit në masë “në duar irracionale” dhe nga njerëzit “që nuk janë të arsyeshëm”. Peres kishte parasysh Iranin. Në mënyrë që të parandalojmë një Shoah të dytë “na mbetet që t’i mësojmë fëmijët tanë të respektojnë jetën e njerëzve dhe të mbajnë paqen me vendet e tjera”.

Shimon Peres, në 27 janar 2017 në Parlamentin Gjerman.

Sinto Zoni Weisz ankohet për anticiganizmin në Evropë

Në vitin 2011, një vit pas Shimon Peresit, në Bundestag u ftua Zoni Weisz. I lindur në vitin 1937 në Hagë (Holandë), sintoja humbi pothuajse të gjithë familjen e tij në kampet e shfarosjes naziste. Gjenocidi ndaj Sinti dhe Romëve është një “Holokaust i harruar”, tha Weisz. Gjysmë milioni burra, gra dhe fëmijë janë shfarosur. Megjithatë, shoqëria nuk ka mësuar pothuajse asgjë prej kësaj, “ndryshe do të na trajtonte më me përgjegjësi sot”.

Krahas Italisë dhe Francës, ai akuzoi edhe vendet e Evropës Lindore si Rumania dhe Bullgaria për trajtimin “çnjerëzor” të pakicës së tij. Ekstremistë të djathtë endeshin në Hungari dhe sulmonin hebrenjtë, Sinti dhe Romët. “Ne jemi evropianë dhe duhet të kemi të njëjtat të drejta si çdo banor tjetër, me të njëjtat mundësi si çdo evropian tjetër.

Dy të mbijetuar të Holokaustit vlerësojnë hapjen e kufirit në vitin 2015

Që kur qindra mijëra refugjatë nga vendet e luftërave civile në Afrikë dhe Azi erdhën në Evropë, kjo temë ka luajtur gjithashtu një rol në fjalimet përkujtimore në Bundestag. Studiuesja austriake dhe e mbijetuara e Holokaustit, Ruth Klüger, e lavdëron hapjen e kufijve të Gjermanisë për rreth një milion refugjatë, në vitin 2015. Vendi që ishte përgjegjës për “krimet më të këqija të shekullit” fitoi “duartrokitjet e botës”. Ajo tha se ishte një nga shumë të huajt “që kanë kaluar nga habia në admirim”.

Çelistja gjermano-britanike, Anita Lasker-Wallfisch, do ta përmendte këtë ngjarje në vitin 2018. Për hebrenjtë, kufijtë u mbyllën hermetikisht gjatë epokës naziste dhe nuk u hapën si në Gjermani në vitin 2015, “në sajë të këtij gjesti tepër bujar, të guximshëm e njerëzor që u bë këtu”. Për dekada, muzikantja nga e ashtuquajtura orkestër vajzash në Aushvic nuk mund ta imagjinonte që do të fliste fjalë të tilla në vendin e vrasësve nazistë. Sepse ajo ishte betuar se “kurrë më nuk do të shkelte në tokën gjermane”. Por ajo tha se nuk pendohet për këtë ndryshim që ka pësuar. Sepse urrejtja është helm “dhe në fund e helmon veten”. (DW)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë