Politike

Mitsotakis: Jemi zotër të Jonit, tani të zgjerohemi edhe në Egje. Turqia: Akt lufte

“Greqia është tani zotëruesja e Jonit”. Kështu e nisi kryeministri Qiriakos Mitsotakis fjalimin e tij në parlament, duke njoftuar zgjerimin zyrtar të Greqisë me 12 milje detare në Detin Jon.

Ai ka mbajtur një fjalim të fortë drejtuar jo vetëm Shqipërisë, por edhe Turqisë, duke njoftuar se përvec Jonit, Greqia do të zgjerohej edhe në Egje, duke shtrirë më 12 millje ujërat territoriale në Kretë.

“Ne rezervojmë të drejtën për të zgjatur ujërat territoriale ku do që duam,” tha ai nga foltorja e Parlamentit. “Në jemi tani zotër, duke dominuar detin Jon. Për herë të parë që nga aneksimi i Dodekanezit në 1947, territori grek është zgjeruar me 10%. Sot në agimin e vitit 2021 ne hedhim hapin e dytë të madh. Vendi ynë shtrin dominimin e tij në Detin Jon në 12 milje. Unë kisha njoftuar zgjerimin e ujërave tona territoriale që nga gushti. 4 muaj më vonë detet tona dyfishohen. Një e drejtë plotësisht e përputhshme me të drejtën ndërkombëtare dhe vendin tonë mund të zgjerohet në zona të tjera dhe në Kretë dhe gjetkë, por në një kohë dhe mënyrë që ne do të zgjedhim,” tha kryeministri grek në atë po cilësohet si një fjalim triumfues.

Duke iu referuar çështjes së Shqipërisë, Mitsotakis ka përmendur edhe kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se edhe ai së fundit deklaroi qartë se është e drejtë e Greqisë të zgjerohet me 12 milje.

“Ministri i Jashtëm grek bashkëpunoi me homologun e tij shqiptar dhe tani çdo mosmarrëveshje me Tiranën do të adresohet në një gjykatë ndërkombëtare. Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në mënyrë të qartë se shtrirja në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme sovrane e Athinës, duke shtuar një argument tjetër në favor të pozicionit tonë se ujërat e Mesdheut mund të bashkohen në vend që të ndajnë popujt “, u shpreh Mitsotaqis.

Vendimi i Greqisë me Shqipërinë për të shkuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë  për të përcaktuar zonën e tyre detare është po ashtu një mesazh i qartë për Turqinë se edhe Ankaraja dhe Athina mund të duhet të shkojnë në Hagë.

“Fakti është se pas zgjerimit të zonës bregdetare greke në Jon, zona detare që duhet të ndahet midis Greqisë dhe Shqipërisë është shumë e vogël. Dhe Tirana tashmë ka rënë dakord me Athinën për ta referuar mosmarrëveshjen në Hagë. Duke pasur parasysh vendimin e Athinës për të referuar mosmarrëveshjen Greko-Turke në Hagë, marrëveshja e Greqisë me Shqipërinë për të apeluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një goditje e rëndë për Ankaranë”, shkruan gazeta greke.

Kryeministri grek foli për herë të parë hapur për planet strategjike të Greqisë, duke deklaruar se se zgjerimi në Perëndim i dërgon gjithashtu një mesazh Lindjes. Zgjerimi i Greqisë në Jon dhe vendimi për t’u zgjeruar me 12 milje edhe në Egje vjen vetëm nëntë ditë përpara nisjes së bisedimeve me Turqinë në Stamboll.

Pas muajsh të tërë tensionesh në Egje, Greqia dhe Turqia po rifillojnë në 25 janar bisedimet për të “testuar ujërat” nëse një dialog zyrtar mund të zhvillohet midis dy vendeve. Por vendimi i Athinës për të cuar në parlament zgjerimin me 12 milje pranë Kretës ka shkaktuar provokimë të jashtëzakonshme në Ankara, e cila ka ripërsëriur se kjo nuk do të ishte asgjë tjetër veçse kauzë për luftë.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtë gjerman të hënë, Çavuşoğlu tha, “Nëse Greqia këmbëngul të zgjerohet në Egje, atëherë përgjegjësia për çdo tension midis dy vendeve do të jetë mbi supet e Athinës”, duke lënë të kuptohet se kurdo që të ndodhte një incident Greqia do të ishte përgjegjëse.

Ai tha se parlamenti turk deklaroi 25 vjet më parë se çdo zgjatje e ujërave territoriale nga ana e Greqisë do të konsiderohet një casus belli (akt lufte) duke theksuar se Athina ishte e vetëdishme për pasoja e provokimeve të saj.

Përveç kësaj, Ankara njoftoi se do të mbajë stërvitje të reja ushtarake në Detin Egje, disa prej tyre pritet të zgjasin deri në fund të vitit.

Dy vite më parë, Greqia njoftoi po ashtu zgjerimin me 12 milje detare në të gjithë kufijtë  e saj detar, përfshirë edhe Jonin, por u tërhoq pikërisht pas ndërhyrjes së Turqisë. Pa kaluar ende një javë nga deklarata e ish-ministrit Nikos Kotzias, Greqia vendosi të pezullonte aksionin diplomatik për zgjerimin me 12 milje detare të kufirit detar me Shqipërinë dhe Turqinë, pas kërcënimeve të kësaj të fundit për luftë. Pyetja e vetme është a do të tërhiqet Greqia për zgjerimin në Egje edhe kësaj  radhe, duke qënë se zgjerimi në Jon është tanimë fakt i kryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë