Edhe pse Kosova ndodhet në fushatë elektorale për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, partitë politike duket se janë më të shqetësuara për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Diskutimet se kush do të zëvendësojë Hashim Thacin pas dërgimit të tij në Hagë kanë mbizotëruar në debatin politik, pasi Vjosa Osmanin dhe Ramush Haradinaj që e kanë bërë të qartë se po garojnë në këto zgjedhje parlamentare vetëm për karrigen e presidentit.
Haradinaj e ftoi madje Osmanin të përballeshin në një “debat presidencial”, duke “harruar” se Kosova ndodhet në zgjedhje parlamentare.
Osmani, e cila vazhdon ta ushtrojë detyrën e presidentes së vendit, por edhe të kryeparlamentares duket se i dha një goditje të fortë ish-kryeministrit Haradinaj kur konfirmoi zyrtarisht në konferencën e përbashkët me Kurti, se do të garonin së bashku në zgjedhje. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy kundërshtarët e kthyer në aleatë bënë të ditur se Osmani do të jetë e nominuara e Vetëvendosjes për mandatin pesëvjeçar të presidentes.
Kurti ishte i pari që nisi betejën politike për presidentin, duke thënë se Kosova ka nevojë jo vetëm për kryeministër të ri, por edhe për presidente të re.
“Ne e kemi presidenten. Ajo e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe dinjitet duke bërë të mundur unitetin e popullit. Në këto zgjedhje që janë referendum për vendin, duhet ta legjitimojmë zgjedhjen e saj në krye të presidencës”, tha Kurti.
Vendimi i Kurtit dhe Osmanit duket se “hodhi në erë” aspiratën politike të Harandinajt, i cili shpresonte se do të mund të formonte një qeveri më Kurtin, duke marrë postin e presidentit. Kreu i aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ishte përplasur vazhdimisht edhe me koalicionin e qeverisë në detyrë, duke i vënë si kusht postin e presidentit. Madje edhe nëse qeveria e Avdullah Hotit nuk do të ishte shpallur anti-kushtetuese, mediat në Prishtinë raportuan se ajo mund të rrëzohej pasi LDK—ja nuk kishte pranuar të mbështeste kandidaturën e Haradinaj.
Ish-kryeministri ka shprehur këtë ambicie edhe kur Hashim Thaçi ishte ende në detyrë. Kur Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, Haradinaj bëri zyrtarisht publik qëllimin e tij për të ardhur në krye të shtetit.
Këshilli Drejtues i partisë së tij votoi unanimisht për ta nominuar Haradinajn për president. Kjo aspiratë e tij u kthye në një kërcënim i hapur dhe serioz për qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja, me Haradinaj që kërcënoi disa herë partnerin e koalicionit se nëse nuk i ofronte mbështetje politike për t’u zgjedhur president, ai do t’i bashkohej opozitës për të rrëzuar Qeverinë e për të shkuar në zgjedhje.
Haradinaj nuk hoqi dorë nga aspirata as pas rrëzimit të qeverisë, duke e kthyer kandidimin për president në moton kryesore të garës së partisë së tij në zgjedhjet presidenciale.
“AAK do të kontribuojë në parlament dhe qeveri dhe me mua si president ta bëjmë Kosovën një shtet me të cilën krenohemi të gjithë dhe të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së”, tha Haradinaj pas deklaratës së Kurtit dhe Osmani.
Ai e ka kthyer garën parlamentarë në në garë presidenciale duke e sulmuar Osmanin pas deklaratave për luftë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, duke deklaruar se ai ndjehet i fortë pasi Kosova ka një presidente të dobët në detyrë.
“Fqinji ynë agresiv po u kthehet kërcënimeve të tij të zakonshme kundër Shtetit tonë! Ai ndihet i fortë tani kur Kosova ka një Qeveri të shkarkuar dhe një President të dobët në detyrë. Ne kemi nevojë për një President të fortë dhe të denjë që të përballet me kundërshtarin agresiv. Ne krijuam ushtrinë në kohën sa isha Kryeministër, një punë që ishte kundër bindjes së fqinjit tonë dhe në mandatin tim si president, Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s, Ky është çelësi i sigurisë dhe i paqes në rajon dhe përgjigja më e mirë në deklaratat luftënxitëse të Vuçicit!”, deklaron Haradinaj.
Kësaj deklarate të Haradinajt iu kundërpërgjigj brenda pak orësh Faton Peci, shef i kabinetit të Vjosa Osmanit, duke tënë Haradinaj po e gjykon Osmanin nga fuqia fizike.
“Haradinaj, e kuptoj mendësinë e gjykimit tënd. Si një njeri që vjen nga ushtria, edhe politikën e kupton nga prizmi i fuqisë fizike .Në politikë nuk të bëjnë punë muskujt, por shkathtësia politike, të cilën ju nuk e keni demonstruar”, shkroi Peci, duke e kërkuar Haradinajt të presë radhën, duke thënë se Osmani “e ka hak të jetë në krye të vendit”.
Ndërsa vetë Osmani sot u shpreh e vetëdijshme se për t’u zgjedhur presidente do t’i duhen 2/3 e votave të deputetëve, 80 vota. Pra edhe nëse ajo dhe Kurti arrijnë të formojnë qeverinë, duke marrë 61 votat e nevojshme, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për t’u ulur në karrigen e presidentit.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për procedurat në Kuvendin e Kosovës, por një president që ka legjitimitet popullor, presidente në këtë rast, e ka rrugën e hapur nga populli”, tha Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.