Analize

Ballkani në 2020-n: Mes kaosit politik dhe pandemisë

Në një vit në të cilin jeta jonë u kthye përmbys, Ballkani Perëndimor mund të ketë qenë një nga rajonet më kaotike që nga fillimi pandemisë, me qytetarët që janë kapur jo vetëm në mes të një krizë të jashtëzakonshme shëndetësore, por edhe një lufte politike të gjithanshme. Pavarësisht pandemisë, qeveritë në rajon janë ndërruar ose kanë marrë një mandat të dytë përmes zgjedhjeve më të pazakonta në historinë e tyre, duke e kthyer menaxhimin e koronavirusit në një cështje dytësore përballë ruajtjes së pushtetit,

Edhe pse koronavirusi i ri ka dominuar jetën politike të rajonit, në Ballkan duket se ka gjithmonë vend për të tjera razira. Ky vit solli rënien nga pushteti për herë të parë pas 30 vitesh të partisë së Milo Gjukanovicit në Mal të Zi, rënien dhe më pas marrjen e një tjetër mandati të kryeministrit Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut dhe votimin e një numri rekord deputetësh shqiptarë,  ndërrimin e dy qeverivë në Kosovë, protesta në Shqipëri dhe Serbi dhe një skandal masiv për fshehjen e numrit real të viktimave nga Beogradi.

Pandemia kthehet në luftë politike

Vitit 2020 tashmë i ka ardhur fundi, por do të kalojë shumë kohë përpara se njerëzit në rajon të fillojnë të mendojnë të ndjehen të sigurt nga Covid-19.

Kur pandemia e goditi Europën në fillim të marsit, shumë i kthyen sytë nga frika e asaj që mund të ndodhte në Ballkanin Perëndimor. Të shqetësuar se sistemet shëndetësore do të  ishin të pambrojtura, qeveritë në rajon zgjodhën një qasje konservatore ndaj izolimit. Edhe pse disa nga vendimet e tyre ishin të diskutueshme, rezultati përfundimtar ishte një numër i çuditërisht i ulët i rasteve dhe vdekjeve të lidhura me Covid-19. Për një moment dukej sikur “normalja e re” e të jetuarit me virusin do të sillte një unitet dhe shpresë dhe ndoshta të shkaktonte një ndryshim në drejtimin e duhur.

Por me fuqizimin e saj, pandemia solli rikthimin e politikës të frikësimit. Pothuajse njësoj si në pjesën tjetër të Europës, mesazhet e zyrtarëve kanë qenë kaotike. Në Ballkan ky kaos është ndërthurur me nivelin e ulët të besimit tek qeveria. 

Në Bosnje e Hercegovinë, analistët, shprehen se megjithëse spitalet janë ende në gjendje për të përballuar situatën e krijuar, skandalet e lidhura me prokurimet që kanë lidhje me pandeminë e Covid-19, kanë bërë që shumë qytetarë të besojnë se në një kohë që ata kanë qëndruar mbyllur, shteti ka fituar para prej pandemisë. Në muajin maj “Raspberry Silver”, një firmë e njohur për tregtimin e fruta perimeve, përfitoi një kontratë 5.8 milion dollarësh për furnizimin me aparaturat e frymëmarrjes.

Janë të shumtë ata që besojnë në teori konspiracioni, të cilat shpesh promovohen nga njerëz të ndryshëm, madje dhe të njohur, përfshirë dhe një ish ministër serb të shëndetësisë. Dhe klerikët kanë luajtur rolin e tyre. Në Malin e Zi infektimet kanë nisur të rriten me fillimin e pushimeve, si dhe pas një proteste të madhe kundër qeverisë që u organizua nga kisha ortodokse. Në të gjithë rajonin pandemia përkoi me festat ortodokse, katolike dhe myslimane të cilat bënë që familjet të mblidhen së bashku. Akoma më e keqe është situata në zonat e varfra të Europës ku presioni për t’u rikthyer në punë është shumë i madh, dhe kjo ndikon dhe më tepër në rritjen e infektimeve

Megjithatë, e gjitha kjo është e pakrahasueshme në krahasim me keqmenaxhimin e tmerrshëm të pandemisë Covid-19 në Serbi gjatë një muaji të kaluar. Gjithçka filloi me manipulimin e shifrave gjatë pandemisë. Siç raportoi “Balkan Insight” në qershor, të dhënat nga sistemi shtetëror i informacionit Covid-19 treguan se numri i atyre që kishin vdekur në Serbi pas testimit pozitiv ishte dyfishi i atyre të raportuara.

Por duke qënë se përceptimi publik ishte se izolimi e mbajti numrin e njerëzve të prekur nga Covid-19 të ulët, Partia Progresive Serbe dhe udhëheqësi i saj, Presidenti Aleksander Vuçiç, vendosën të përfitojnë nga atmosfera dhe rritja e mbështetjes për qeverinë duke mbajtur zgjedhjet parlamentare sa më shpejt të jetë e mundur.

Partitë madje u lejuan të zhvillojnë mitingje zgjedhore përkundër rekomandimeve për nevojën e mbajtjes së distancës sociale dhe mbajtjes së maskave. Skenari për rritjen e rasteve të reja, u bë i dukshëm pasi publikimit të pamjeve të Zëvendës Kryeministrit Rasim Ljajiç në një tubim të ngjeshur në Novi Pazar.  

U deshën rreth një javë që raportet e para në mediat sociale nga Novi Pazar të tregonin shtrirjen e katastrofës: thanë se spitali lokal tani ishte tejmbushur me pacientë, me disa njerëz që ishin madje edhe duke vdekur në korridore.

Njerëzit po varroseshin në kaseta prej kallaji, në kundërshtim me traditat fetare të këtij rajoni kryesisht mysliman. Familje të tëra u zhdukën. Ndërkohë, qeveria serbe dhe mediat kryesore fshehën shtrirjen e epidemisë.

Kryeministrija Ana Brnabic më pas vizitoi qytetin dhe rajonin e Sanxhakut. Por menjëherë para vizitës së saj, njoftimet e vdekjeve u hoqën për t’u siguruar që gjithçka dukej mirë në kamera.

Gjatë vizitës së saj në spitalin lokal, stafi i ktheu shpinën, ndërsa banorët organizuan protesta të zhveshura. Përgjigja e Brnabic ishte të politizonte ngjarjen, duke pretenduar se protestuesit ishin të gjithë “aktivistë politikë”. Ndërkohë, qytetarë nga vendet fqinje si Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova u organizuan për të mbledhur ndihmë për Sanxhakun. Elita politike serbe e trajtoi tërë episodin si një çështje politike dhe jo një krizë të madhe shëndetësore.

Mali i Zi rrëzon Gjukanoviçin

Për herë të parë pas 30 vitesh, Milo Gjukanoviç e ka gjetur veten jashtë tavolinës së pushtetit në Mal të Zi. Tri koalicionet opozitare në vendin fqinj kanë fituar shumicën, duke i dhënë një goditje të rëndë partisë në pushtet, Social-Demokratëve. Koalicioni “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazovic, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga 81, duke formuar një qeveri të re.

Ai nuk po garonte personalisht në zgjedhje, por ishte ende  fytyra e partisë së tij gjatë fushatës. Dhe ishte vendimi i tij për t’u futur në luftë me Kishën Ortodokse Serbe, i cili u dha kundërshtarëve të tij shansin për të deklaruar se ata kishin Zotin në anën e tyre.

Përfshirja e Kishës mund të ketë inkurajuar pjesëmarrjen e lartë prej më shumë se 75% te zgjedhësve në votime. Dhe shumë votues duket se i kanë dëgjuar këshillat e peshkopëve për të votuar për kundërshtarët e një qeverie e cila miratoi legjislacionin që bën të mundur që shteti të kërkojë pronën e Kishës.

Kjo ka hapur derën e mundësisë së parë të transferimit të pushtetit të Malit të Zi përmes votës. Sigurisht ishte e vështirë që partitë opozitare pro-ruse dhe pro- serbe të formojnë një koalicion qeverisës. Por një ndryshim i qeverisë pas gati 30 vjet i dërgoi botës një mesazh të fortë në lidhje me Malin e Zi.

Nxjerrja në opozitëe Gjukanovicit mbeti në dorën e shqiptarit Dritan Abazoviç, i cili ka zgjedhur partitë pro-serbe dhe pro-ruse dhe jo me atë të presidentit. Falë këtij vendimi Zdravko Krivokapiç, një konservator i moderuar, është kryeministri i parë në këtë kohë për të drejtuar një qeveri jo të dominuar nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS). Ai tha se vendi do të ruante orientimin e tij pro-perëndimor dhe se ai do të qeveriste me sundimin e ligjit dhe rritjen e ekonomisë do të kishte fokusin e tij kryesor.

“Është e qartë se Mali i Zi ka përjetuar një rilindje, një transformim të cilin qytetarët do ta mbrojnë,” tha Z. Krivokapiç nga kryeqyteti Podgorica.

Koalicioni i ri qeveritar ngrit mbi themelet e disa parimeve. Së pari, që qeveria e re të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare. 

Parimi i dytë ngarkon qeverinë e re që të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Europian sa më shpejt të jetë e mundur. 

Maqedonia e Veriut po ashtu në zgjedhje

Viti 2020 do të niste me ndryshime të mëdha politikë në Maqedoninë e Veriut.  Duke nisur nga tre janari, Zoran Zaev ishte më kryeministri i vendit fqinj, pasi dha dorëheqjen, duke i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme.

Duke deklaruar se do të mbante përgjegjësi për mos hapjen e negociatave, Zaev vendosi të bënte një hap pas në tetor të 2019-ës edhe pse ky vendim mund të sjellë në pushtet partinë nacionalistë të VMRO DPMNE-së.

Zoran Zaev

Të gjitha partitë në Shkup kanë arritur në fillim të 2020-ës një marrëveshje për formimin e qeverisë tranzitore, e cila do të kërkojë dorëheqjen e Zaevit dhe përfshirjen e deputetëve të opozitës në disa poste kyçe.  Zaev u përpoq të shtynte formimin e qeverisë teknike, por u detyra të dorëzohej përballë krizës së thellë politike. Partitë e opozitës ranë dakord që përpara çdo zgjedhje të përgjithshme, do të formohej qeveria teknike për të hequr dyshimet për manipulime dhe presione politike. Megjtihatë askush nuk e kishte parashikuar pandeminë. Qeveria teknike e ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve u detyrua të përqendrohej tek menaxhimi i pandemisë duke i shtyrë zgjedhjet për disa muaj.

Zgjedhjet e prillit u shtynë në korrik dhe kryeministri Zoran Zaev arriti të merrte një mandat të dytë vetëm pas bashkimit me partitë shqiotare BDI dhe Besa.  

Zaev është ulur për një mandat të dytë në karrigen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut me premtimin se stabilizimi i ekonomisë së goditur rëndë nga pandemia e Covid-19 dhe rritja e luftës kundër krimit dhe korrupsionit do të ishin përparësitë kryesore. “Kapërcimi i krizës së shkaktuar nga koronavirusi dhe kthimi në nivelet e mëparshme të rritjes ekonomike do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë,” tha Zaev.

Ndërsa kabineti i ri i përbërë nga partnerë të vjetër sjell relativisht pak ndryshime në drejtim të ministrave, një risi e dukshme është lënia e diplomacisë maqedonase në dorën e një shqiptari. Kjo u bë e mundur nëpërmjet një shkëmbimi midis ish-ministrit të jashtëm, Nikola Dimitrov dhe ish-zv / kryeministrit të ngarkuar me integrimin evropian, Bujar Osmani. Dimitrov tani ka marrë postin e Osmanit, duke lejuar që Osmani, nga BDI, të bëhet ministri i parë i jashtëm shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

Artan Grubi i BDI u emërua gjithashtu Zëvendës Kryeministër i Parë. Postimi është parë si rezultat i kompromisit midis partnerëve të aleancës gjatë bisedimeve qeveritare për të zbutur kërkesën fillestare të BDI që vendi fqinj të ketë një kryeministër shqiptar.

Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut duket se nuk ka qënë ish-kryeministri Zoran Zaev, apo opozita maqedonase, por shqiptarët. Këtë vit shqiptarët arritëb të kenë për herë të parë në historinë e vendit fqinj 33 deputetë, numër më i madh i përfaqësuesve që kanë marrë ndonjëherë partitë shqiptare, por që fatkeqësisht të ndarë në disa parti.

BDI ka fituar 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deputetë, E Majta 2 deputetë dhe PDSH 1 deputet. Po ashtu, brenda koalicionit LSDM dhe Lëvizjes Besa, janë 5 deputetë shqiptar.

Vuçiç i gjithpushtetshëm

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka shënuar një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të mbajtur në qershosh duke forcuar pozicionin e tij përpara negociatave të paqes me Kosovën.

Me mbajtjen e zgjedhjeve të 21 qershorit, Vuçiç “eliminoi” opozitën nga skena politike e Serbisë, duke fituar 61 për qind të votave, i ndjekur nga aleati i tij, Ivica Daçiç me rreth 10 për qind të votave.

Kritikët politikë në Serbi thonë se opozita nuk ekziston më. Socialistët e Daçiç, që dolën partia e dytë më e madhe në vend, janë bashkëlojtarë në lojë me Vuçiç. Presidenti dhe Daçiç, ish-ministër i Jashtëm dhe ish-kryeministër Serbisë, kanë formuar një bosht të fuqishëm politik që e ka udhëhequr Serbinë që pas rënies së Sllobodan Millosheviçit. Vuçiç e ka cilësuar shpesh Daçiç si mentorin e tij politik gjatë kohës që ishte ministër i Informacionet, në kohën e ish-Jugosllavisë. Mes shumë të tjerash, dy politikanët i bashkon edhe qasja e egër ndaj Kosovës.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (të fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo Kinës”.

Ai thekson se është gabim që rezultati historik i zgjedhjeve të interpretohet si dëshmi e besimit që i jepet presidentit. “Partia e tij nuk është forcë politike që mund të konkurrojë në një sistem pluralist, ku partitë konkurojnë me ide dhe argumente në favor të zgjedhësve. Ajo nuk është parti dokudo, por është Partia, një aparat shtetëror, siç ka qenë dikur Partia Komuniste”, shprehet Zeçeviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë