Surinami u zbulua nga eksploruesit anglezë në shek. XVII, por ishin kolonizatorët holandezë që e kthyen shtetin e vogël në Karaibe në njërën prej kolonive të monarkisë holandeze. Është kombi më i vogël në kontinent dhe me një popullsi prej pak më shumë se gjysmë milioni. Ka përparësi në zhvillimin e ekonomisë agrikulturore që siguron pjesën më të madhe të të ardhurave në arkën e shtetit surinamez duke eksportuar drejt Europës sheqer, banane dhe oriz. Holandezët u mbështetën shumë te skllevërit Afrikanë për të korrur tokën dhe dërguar mallra përsëri në portin e Roterdamit, dhe përfundimisht – pasi u arrit një marrëveshje me Britaninë – e bënë Surinamin një përbërës të Mbretërisë së Hollandës.

Popullsia vendase pranoi regjimin e ri si dhe përdorimin e gjuhës holandeze si gjuhë zyrtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me shpërbërjen e shumë fuqive koloniale europiane si Anglia, Franca, Belgjika, Portugalia, Spanja edhe Holanda u bë pjesë e këtyre ndryshimeve madhore gjeopolitike. Shteti i ri duhej të jepte verdiktin për njohjen e pavarësisë territoreve të kolonizuara dhe Surinami në këtë mënyrë siguroi pavarësinë në 1975.
Eksportet më të mëdha, sidoqoftë, vijnë në formën e futbollistëve me të vërtetë të talentuar. Situata ekonomike e sociale i detyron shumë të rinj surinamezë të kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë atdheut drejt shteteve të Europës, kryesisht në Holandë ku ofrohen kushte më të mira jetesë dhe vende pune me të ardhura të larta. Megjithëse një emër shteti shumë pak i dëgjuar, për të mos thënë anonim në lajmet botërore, vendi nga zona e Karaibeve të Amerikës Qendrore ndonëse i bllokuar nga krizat e pandërprera politike të brendshme, varfëria ekonomike dhes shpopullimi në rritje prej emigracionit drejt kontinentit europian ka arritur të lërë gjurmën e tij të në Holandë, furnizimin e akademive të futbollit vendas me lojtarët më premtues përtej oqeanit Atlantik. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë riaktivizuar edhe një herë pas një periudhe të gjatë distancimi për shkak të së kaluarës.
Holanda njihet në mbarë botën si njëra prej superfuqive të futbollit. Emrat e mëdhenj që kanë veshur fanellën “tulipane” si Cruyff, Neeskens, Van Basten, Gullit, Rijkaard, Seedorf, Davids etj., por edhe influenca jetike në futbollin modern nëpërmjet filozofisë së “Futbollit total” i kanë siguruar një vend të veçantë shtetit holandez në muzeun historik të futbollit botëror. Siç vëren shkrimtari holandez Sander Ijtsma, e gjitha lavdia, trashëgimia në futbollin vendas dhe jashtë kufijve si dhe forcimi i klubeve më prestigjioze të Europës si Barcelona, Juventus, Inter e Milan me lojtarët më të spikatur dhe më të talentuar “portokalli” nuk do të kishin jetëgjatësi për shumë dekada nëse nuk do të pranohet publikisht dhe kontributi i një faktori shumë përcaktues: Surinami. Holanda është e njohur gjerësisht për shoqërinë e saj, megjithatë, dhe siç tregon historia, vala e parë e migrimit masiv nuk u prit me ngrohtësi nga të gjithë.

‘’Ti duhej të ishe të paktën dy herë më shumë i zoti se sa një lojtar i bardhë në të njëjtin pozicion. Shumë futbollistë tërhiqeshin nga loja sepse nuk u jepej shansi të provonin veten. Sot, sytë e njerëzve janë më të hapur, por në të kaluarën ishte një mundim i vërtetë”, – rrëfen Bogarde, ish-mbrojtësi i Ajaxit, Milanit, Barcelonës dhe Chelsea-t, duke treguar se çfarë niveli teknik e profesional në futbollin holandez duhet të siguronin surinamezët.
Në fund të viteve ’70, gjenerata pioniere e “futbollit total” e frymëzuar nga trajneri legjendar Rinus Michels dhe e interpretuar në melodinë klasike të mjeshtrit Johan Cruyff-it “uli perdet”. Dominimi i hekurt në Kupën Europiane (sot Liga e Kampioneve) me ekipin e Ajaxit nuk u kurorëzua me titull në arenën e futbollit ndërkombëtar ku dy finalet radhazi të Kupës së Botës të 1974 dhe 1978 nuk shpërblyen talentin e një brezi madhështor. Holanda nuk arriti të bënte një trofe të vetën njësoj si Brazili, Gjermania, Italia dhe Uruguai.

Por, duhej të mendohej se çfarë skuadre e re kombëtare do të ndërtohej për dekadën e re të viteve ’80-të. Për herë të parë futbollistët surinamezë fituan vëmendje në Eredivisie (kampionatin holandez) ku dyshja Ruud Gullit dhe Frank Rijkaard bashkë me Marco Van Basten do të mbanin në supe fatin dhe shpresat e një vendi të tërë. Të tre u bënë të njohur në vitet pasardhëse si “treshja fantastike e Milanit” që udhëhoqi e vetme futbollin italian dhe europian në fund të viteve ’80-të dhe fillim ’90-te.
Në 1988 Holanda i dha fund torturës që e mundonte prej vitesh për të fituar një trofe madhor në nivel ndërkombëtar. Skuadra që drejtohej sërish nga Rinus Michels i dha titullin e parë dhe të vetëm deri më sot Holandës kur fituan pastër në finale në Gjermaninë Perëndimore ndaj Bashkimit Sovjetik me golat e Gullit dhe eurogolin e Van Bastenit. Dy mesfushorët e Milanit Gullit e Rijkaard dhe qendërsulmuesi Van Basten ishin personazhet kryesore që patën fatin të kurorëzonin futbollin holandez me një trofe të merituar, një mision që brezi i viteve ’70-të nuk e përmbushi dot. Por dy miqtë prej një kohë të gjatë Gullit e Rijkaard, ndryshe nga Van Basten kanë kaluar mes pengesave të mundimshme për t’u kthyer në yjet më të mëdhenj të futbollit. Të dy lojtarët vijnë prej familjesh emigrantësh surinamezë që mbërritën në Holandë në vitet ’60-të.
Futbollistët me origjinë nga Surinami në vitet ’90-të fituan akoma më tepër hapësirë jo vetëm në ekipin e Ajaxit por dhe në kombëtaren e Holandës ku renditen emrat e Edgar Davids, Patrick Kluivert, Clarence Seedorf dhe Winston Bogarde, secili me një karrierë të pasur dhe të lakmuar. Edgar Davids, ish-mesfushori i tërhequr i Juventusit dhe Ajaxit të njohur që mposhti në 1995 në Ligën e Kampioneve Milanin e Fabio Capellos beson se avantazhi për të kontrolluar mjeshtërisht topin surinamezët e kanë huazuar nga mentaliteti brazilian i të luajturit. “Surinami ka shumë të përbashkëta me Braziiin. Ka shumë varfëri dhe shumë fëmijë në rrugë që nuk kanë para, vijnë nga shtëpi të shkatërruara dhe kanë shumë kohë të lirë. Ata luajnë futboll gjatë gjithë kohës dhe mësojnë të luajnë me këmbët e zbathura” -deklaron “Pitbulli”.

Por përshtatja me një ambient, ku kultura, niveli financiar dhe mentaliteti i të jetuarit krejtësisht të kundërta me tiparet sociale dhe ekonomike me vendin e origjinës së një personi, kalon mes sfidave më sprovuese.
Po përveç realiteteve të ndryshme midis Surinamit e Holandës, futbollistët surinamezë nuk i kanë shpëtuar dot dhe valëve të paragjykimit për shkak të ngjyrës, karakterit moskokëçarës dhe temperamentit agresiv, tipare që janë përforcuar nga jetesa e mundimshme në Surinam. Ndryshe nga futbollistët e bardhë që dalloheshin për disiplinën e hekurt, pragmatizmin e racionalitetin, surinamezët rivalizonin me ta duke i lënë dhe në hije falë aftësisë për të lëvizur dhe dribluar me top shumë më lehtësisht se pala tjetër.
Por të gjithë lojtarët që kanë prejardhje nga Surinami edhe pse e kanë të drejtën të zgjedhin se cilin vend do të përfaqësojnë në arenën e futbollit asnjëri nuk ka pranuar të veshë fanellën e Surinamit. Kjo buron nga fakti se në vendin që laget nga deti i Karaibeve, diktatura e egër ushtarake nuk i lejon emigrantët të kthehen në vendlindje ose vendin e origjinës. Për më tepër legjislacioni nuk u jep të drejtë futbollistëve surinamezë të përfaqësojnë Surinamin nëse kanë emigruar.

Skuadra tulipane vazhdon të përfitojë nga aftësitë e lojtarëve nga Surinami, ku brezi i të rinjve si: Virgil Van Dijk, Jeffrey Bruma, Michel Vorm dhe Georgino Wijnaldum po projektohet si bërthama e re që do të rinovojë skuadrën e plakur të Holandës. Sipas statistikave të FIFA-s në 2009, 150 futbollistë të kampionatit holandez deklarojnë se kanë prejardhje nga gadishulli i Amerikës së Jugut. Surinamezët bëjnë pjesë në këtë kategori. Ky influks lojtarësh të huaj është favorizuar edhe nga klima multikulturore në Holandë që nuk përjashton ardhjen dhe të drejtën e të punuarit e të jetuarit të qytetarëve jo-holandezë. Surinami “është bekuar me prodhimin e diamantëve të çmuar të futbollit”, një mekanizëm që mendohet se do të vazhdojë të njohë sukses e popullaritet për shumë vite.
Përgatiti: Mendrit Shehu
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




