Analize

Serbia po kthehet në “vasalin” e Kinës

Presidenti Donald Trump tha se kishte shkruar historinë në shtator kur ai ndërmjetësoi një marrëveshje në Uashington për të normalizuar lidhjet ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës. Por ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u ulën me Trump për një fotografi në Shtëpinë e Bardhë, një vend që nuk ishte në këtë foto ishte Kina.

Analistët thonë se investimet e majme të qeverisë kineze në Serbi janë në fakt edhe faktori kryesor që nxit politikën e SHBA-së në rajonin e Ballkanit. Trump nuk përmendi Kinën në takimin e Shtëpisë së Bardhë, por marrëveshja përfshin një klauzolë që thotë se Serbia “do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuar nga shitës të pabesueshëm”. Ky është një formulim i përdorur nga Shtetet e Bashkuara për t’iu referuar gjigandit kinez të telekomunikacionit Huawei, të cilin Uashingtoni e ka etiketuar si një rrezik të sigurisë kombëtare.

Sidoqoftë, më pak se dy javë pasi Vuçiç u kthye nga SHBA-ja, kryeministrja Serbe Ana Brnabic mori pjesë në hapjen e një qendre inovacioni Huawei në kryeqytetin Beograd, në të cilën ajo tha se firma ishte një nga partnerët më të mirë dhe më të mëdhenj të Serbisë.

“Fjalimi i Brnabic ishte duke treguar se qeveria ishte në dijeni të implikimeve anti-kineze të marrëveshjes në Uashington”, tha Stefan Vladisavljev, koordinatori i programit të Forumit të Beogradit. “Por ajo mbajti anën e Kinës, pasi qeveria ka zbatuar projekte të shumta infrastrukturore, dhe ka miliarda dollarë borxh ndaj Kinës,” tha ai.

Pekini e sheh Serbinë si një nyje qendrore të projektit infrastrukturor global të njohur si “Një Rrip një Rrugë”. Serbia qëndron midis Greqisë,  ku Kina ka blerë kontrollin e shumicës së portit të Pireut, një nga më të mëdhenjtë në Europë, dhe Hungarisë. Kjo e bën vendin një korridor transporti për mallrat kineze në tregjet e Europës perëndimore.

Në kufi me katër vende anëtare të BE dhe më e madhe se shumë fqinjë të saj ballkanikë, Serbia është një pjesë e çmuar e strategjisë së Pekinit për hyrjen në tregun e BE, tha Heather Conley, eksperte në DASH për çështjet europiane dhe euroaziatike.

Vladisavljev thotë nga ana tjetër se niveli i angazhimit të Pekinit me Serbinë është shumë më i larë se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor. Që nga viti 2007, Kina ka derdhur 29 miliardë dollarë në projekte infrastrukturore në Europës Lindore dhe Serbia ka marrë pjesën më të madhe, me 10 miliardë dollarë, ndërkohë që Hungaria është e dyta me 4 miliardë dollarë.

Për më tepër, sondazhet e opinionit serb kanë sugjeruar një rritje të pikëpamjeve të favorshme ndaj Kinës, pjesërisht falë ndihmës mjekësore të marrë nga Pekini në mars për të luftuar shpërthimin e Covid-19.

Prodhuesi i saj më i madh i çelikut në Serbi, Smederevo, është një shembull i rolit të Kinës në mbështetjen e ekonomisë serbe. “US Steel” drejtonte më parë Smederevo, por ia shiti qeverisë në 2012 për një dollar, çmim simbolik pas rënies globale të çmimeve të çelikut. Grupi Kinez Hesteel, prodhuesi i dytë më i madh në botë i çelikut, ndërhyri dhe bleu kompaninë për 46 milion euro në 2016, duke kursyer 15,000 vende pune.

“Serbia dhe Kina janë të lidhura nga një miqësi e bërë prej çeliku,” tha Vuçiç gjatë bisedimeve me Xi në prill të vitit të kaluar. “Ne i detyrohemi mirënjohje të madhe personalisht juve dhe Kinës për gjithçka që keni bërë për Serbinë.”

Por me Serbinë që kërkon pranimin në BE, lidhjet e saj të thella me Kinën po ngrenë alarmin në Bruksel. Në vitin 2018, Johannes Hahn, ish-komisioneri i BE-së tha se blloku duhet të ruhej nga Kina që po e kthente Ballkanin Perëndimor në një kalë Troje. “Kombinimi i kapitalizmit dhe diktaturës politike” të Kinës mund t’u pëlqejë disa udhëheqësve të vendeve të rajonit, tha ai.

Kjo ishte një temë që bëri jehonë në shtator në një raport nga “CSIS” arriti në përfundimin se investimet kineze në Serbi po e shndërronin ngadalë Beogradin në një “shtet vasal” të varur nga Pekini.

Programi i njohur i politikës së jashtme tha se në kundërshtim me rrëfimin e Beogradit, huatë që Serbia po merrte nga Kina nuk ishin të lira, ndërsa firmat kineze që investonin në Serbi po punësonin kineze dhe jo serbë dhe nuk po fuqizonin industrinë.

“Aktivitetet ekonomike të Kinës kanë forcuar mbështetjen e Serbisë për politikat e jashtme të Pekinit, ndërsa minojnë integrimin në BE, tha raporti.

Një nga shembujt e përmendur ishte kur Vuçiç u nda nga BE-ja për çështje të tilla si vendimi i Kinës për të vendosur një ligj të sigurisë kombëtare në Hong Kong këtë vit. BE dënoi

 Vendimin si shkelje të parimit “një vend, dy sisteme” për qeverisjen e Hong Kongut, ndërsa Vuçiç i dërgoi një letër Xi duke thënë se mbështeste vendimin.

Dragan Pavlicevic, një profesor i asociuar në Universitetin “Xian Jiaotong” në Kinë, tha se Pekini ishte i vetëdijshëm për shqetësimet e BE, duke treguar si shembull të ashtuquajturën iniciativë 17 + 1 të ngritur nga Kina për të promovuar investimet dhe marrëdhëniet me 17 vendet qendrore dhe lindore europiane.

“Kina nuk është e interesuar të konsiderohet si një armik, si dikush që po përpiqet të hajë ëmbëlsirën e BE-së ose të mbjellë përçarje, kështu që nga ana e saj ajo po përpiqen të mbyllë këtë hendek, ata po përpiqen ta paraqesë veten si një partner sesa një kërcënim strategjik”, shprehet ai.

Por ndërmjetësimi i Trump për marrëveshjen Serbi-Kosovë ishte një shenjë se SHBA është vendosur të investojë më shumë në rajonin e Ballkanit. Stojanoviç tha se SHBA ishte e mirëpritur, duke shtuar se projektet e planifikuara nga SHBA-ja në Serbi kishin tashmë disa miliardë dollarë.

“Ne me të vërtetë duam të përmirësojmë marrëdhëniet me SHBA,” tha ai. “Ne nuk po zgjedhim anë, po përpiqemi të ngatërrohemi me sa më pak të jetë e mundur. Ne do të duhet të shohim se cili do të jetë niveli i pranisë së SHBA këtu në Serbi, por Kina është një dekadë përpara,” tha ai. “

Burimet: “CSCI”, “South China Morning Post”. Përgatiti Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë