Irena Beqiraj

Dy histori dhe dy qasje të ndryshme për shfrytëzimin e burimeve natyrore

patos, nafte, fshatar, para

Nga Irena Beqiraj - Petronas është kompani shtetërore e naftës dhe gazit, e themeluar në Majlazi në vitin 1974. Sektori i naftës në Malajzi fillimisht u dominua nga kompanitë shumëkombëshe, të cilat kishin marrë me koncesion fushat e naftës. Fokusi i aktivitetit të tyre ishte nxjerrja edhe eksporti i burimeve të naftës në formën e lëndës së parë. Deri në atë kohë, kompanitë e huaja, ishin siguruesit kryesorë të teknologjisë në Malajzi. Në vitin 1974 me shpalljen e Aktit të Zhvillimit të Naftës (PDA) dhe Kontratat e Ndarjes së Prodhimit, qeveria e Malajzisë krijoi Petronas-in. Petronasi ishte mjeti me anë të cilit qeveria implementoi politikën e  industrializimit të këtij sektori. Objektivat e saj ishin të qarta, - kontrolli kombëtar i burimeve të naftës dhe sigurimi i lëndës së parë me çmime të përballueshme për tregun lokal të përpunimit, duke i dhënë këtij të fundit një mundësi reale zhvillimi. Petronas-i me anë të “Programit të Zhvillimit të Partnerëve” aftësoi kompanitë vendëse, duke u siguruar marrëdhënie tregtare të qëndrueshme brenda industrisë, por edhe duke investuar në kapacitetet e tyre marketuese dhe të ngritjes së cilësisë. Ishte Petronas-i kompania që drejtoi të gjitha kapacitetet e kërkim-zhvillimit në sektorin e naftës.

Rritja dhe suksesi i Petronas-it u shoqërua me rritjen e kompanive vendëse, të cilat në vitin 1995 (vetëm 20 vjet më vonë) përpunonin brenda vendit 74% e naftës së nxjerrë në Malajzi. Petronas sot është në listën e kompanive globale të Fortune 500 dhe operon në mbi 30 vende të botës.

Zyrat qendrore të kompanisë Petronas

Përballë historisë së suksesit të Petronasit dhe partnerëve të saj vendës, është historia jonë. Histori që gjatë periudhave të ekonomisë së tregut njeh vetëm dhënien e shpejtë për shfrytëzim të burimeve natyrore te kompanitë e huaja. Kultura e dhënies me koncesion të fushave naftëmbajtese, në Shqipëri ka lulëzuar 100 vjet më parë dhe fillon në vitin 1920. Qeveria shqiptare në 1920-n, dha me koncesion 33,642 hektarë për shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse të Beratit dhe Durrës te  D’Arcy Exploration & Co. Ltd, degë e Anglo-Persian Oil Co. Studiuesit mendojnë se në këmbim të këtij koncesioni Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve pikërisht në dhjetor të vitit 1920. Deri në vitin 1932, u dhanë nga qeveria edhe 4 koncesione të tjera. 47,213 hektarë iu dhanë kompanisë së Ferrovie dello Stato, në Vlorë dhe Berat. Ferrovie dello Stato shfrytëzonte ndërkohë, 116.825 hektarë të zonave naftëmbajtëse në Berat, Durrës dhe Vlorë. Tek SIMSA (Società Italiana Miniere di Selenizza), u dhanë për shfrytëzim 2,140 hektarë. SIMSA, e cila si fillim operonte në fushën e bitumit, ishte një ndër kompanitë objekt i lobimit diplomatik italian në kohën e negociatave të para me Zogun për ndihmën italiane të vitit 1925. Nuk mungoi as prania franceze përmes (Crédit Général du Pétrole), e cila shfrytëzonte një sipërfaqe prej 118,193 hektarë për kërkime. Mjaftoi vetëm një vit vështirësish ekonomike edhe politike, si viti 1933 dhe numri i koncesioneve në zonat naftë mbajtëse u rrit nga 5 me 15-të. Zonat naftëmbajtëse shqiptare u shfrytëzuan nga të huajt deri në vitin 1945.

Pus nafte ne Devoll

Me rivendosjen e ekonomisë së tregut, pas rënies së komunizmit, historia e koncesioneve u përsërit. Në vitin 1943, nga nëntoka shqiptare kompanitë e huaja ekstaktonin dhe eksportonin rreth 970 mijë ton naftë në vit, ndërsa sot kapacitetet e instaluara të ekstraktimit nga kompanitë̈ e huaja është më shumë se 2 milion tonë në vit.

Këto dy histori, qartazi tregojnë sesi dy vende në zhvillim, kanë ndjekur qasje të ndryshme për sa i përket menaxhimit të burimeve natyrore. Nga njëra anë, qasja jonë afatshkurtër, e shpejtë, dembele, e cila mjaftohet në të ardhurat e siguruara nga shitja e naftës bruto. Qasje, e cila mat suksesin e qeverive, me investimet e huaja, të cilat kryesisht kanë qenë në shfrytëzimin e burimeve natyrore. Qasje e falënderimit të përulur deri te gjunjët, për investitorin e huaj i cili shfrytëzon zonën më të pasur të vendit por "vë dorën në zemër" dhe investon 200 mijë dollarë për rrugën e ngushtë ku kalojnë banorët e zonës më të pasur të vendit. 

Nga ana tjetër është qasja e qeverisë majlaziane, e cila  45 vjet më parë ka implementuar zhvillimin e një politike industriale mbi burimet, politikë të cilën e ka ndjekur jo vetëm me naftën bruto, por edhe me burimet e tjera natyrore si vaji i palmës apo përpunimi i gomës. Një qasje e tillë shndërron lëndën e parë, në mallra të përpunuara përmes zhvillimit të industrisë përpunuese vendëse. Shndërron të ardhurat e ulëta pasive të shfrytëzimit apo shitjes së burimeve natyrore si lëndë e parë, në të ardhura më të larta të siguruara nga shitja e produkteve të përpunuara me vlerë më të lartë. Një qasje e tillë rrit produktivitetin, ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike, rritjen e punësimit, rritjen e konsumit, diversifikimin strukturor të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, ajo ule ekspozimin e ekonomisë ndaj paqëndrueshmërisë së çmimeve, pasi çmimet e eksporteve të lëndëve të para të papërpunuara janë shumë më të paqëndrueshme krahasuar me çmimin e produkteve të përpunuara. Për më tepër, në kushtet e një ekonomie globale një qasje e tillë karshi burimeve natyrore konsiderohet edhe më nevojshme sesa 20 vite më parë. Rritja e shpejtë e kërkesës globale për burime natyrore si bazë zhvillimin industrial gjatë dy dekadave të fundit, e stimuluar në një masë të madhe nga rritja e shpejtë ekonomike e Kinës, ka rezultuar në një ringjallje të interesit mbi zhvillimin e politikave industriale të bazuar në burime në gjithë botën.

Fotografi ilustruese: Protesta e naftetareve te Ballshit, per pagat e pamarra prej muajsh.

Edhe pse politkëbërësit shqiptarë e kanë thyer dhe përthyer “Besimin Publik”, e cili kërkon që shteti të sillet si administrues i besuar edhe i përgjegjshëm i burimeve të caktuara natyrore në emër edhe të brezave të ardhshëm, nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur. Hartimi i politikave së ri-industrializimit edhe përdorimit me eficencë të çdo burimi natyror është një domosdoshmëri nëse nuk kemi vendour qëllimisht t'i lëmë shqiptarët të varfër, duke u vrarë ndërveti për gardhin e oborrit.


Copyright © Gazeta “Si”