Bota

Bota në 2021- Sjelljet e reja teknologjike do ta tejkalojnë pandeminë

Mirë se vini në  të ardhmen – jo 2021, siç mund të prisnit, por 2025   apo edhe 2030, në varësi se kë pyesni. Përvetësimi i sjelljeve të reja teknologjike në përgjigje të pandemisë, nga video-konferenca te blerjet në internet, do të thotë që përdorimi tashmë ka arritur nivele që nuk priteshin për shumë vite.

“Të dhënat e fundit tregojnë se ne kemi shkuar pesë vjet përpara në adoptimin dixhital të konsumatorit dhe biznesit në një  hark  prej rreth tetë javësh”, deklaroi McKinsey, një konsulent, në maj të vitit 2020. Dhe për blerjet online në Amerikë, përparimi ishte edhe më i shpejtë: “dhjetë vjet rritje,  në tre muaj ”. Netcomm, një konsorcium italian i shitjeve me pakicë, thotë se blerjet në atë vend, të ngathët në tregtinë elektronike, kanë dëshmuar një  “hap evolucionar të dhjetë viteve” drejt dixhitalit. Në sektorin bankar, ekspertët e vlerësuar nga The Economist mendojnë se pjesa e transaksioneve pa para në dorë,  në të gjithë botën,  është rritur në nivelet që ata prisnin të shihnin për dy deri në pesë vjet. Në mjekësi, një mjek britanik i tha New York Times se Shërbimi Kombëtar i Shëndetit kishte pësuar një dekadë ndryshimi brenda një jave, pasi mjekët kaluan në konsulta të largëta.

Quajeni atë tekno-përshpejtim. Në të gjitha këto raste dhe në shumë të tjera, pandemia ka përshpejtuar trendet ekzistuese të adoptimit teknologjik. Blerja po lëvizte vazhdimisht në internet; pagesat ngadalë po bëheshin dixhitale; të mësuarit në internet ngadalë po bëhej më i përhapur; më shumë njerëz po punonin nga shtëpia, të paktën në disa raste. Tani njerëzit në shumë vende janë shtyrë papritur në një të ardhme ku të gjitha këto sjellje janë shumë më të përhapura.

Kjo zhvendosje e papritur ka qenë e dhimbshme. Shumë shitës me pakicë  në ndërtesa me tulla dhe llaç, tashmë në vështirësi, janë detyruar të falimentojnë, duke përfshirë emra  si J.C. Penney dhe Nieman Marcus. Me degët e bankave të mbyllura, të moshuarit,  të pa njohur me bankat në internet, kanë qenë në shënjestër të mashtruesve. Kalimi në mësimin në internet theksoi pabarazinë në aksesin e gjerë dhe pronësinë e kompjuterit,  midis studentëve.

Por tranzicioni gjithashtu ka shkaktuar transformim të shpejtë në fusha, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim, që janë historikisht rezistente ndaj ndryshimeve. Eksperimenti i zbatuar i izolimeve masive gjithashtu ka destigmatizuar mësimin në internet dhe punën në distancë, duke demonstruar se me pajisjet dhe mbështetjen e duhur, ata me të vërtetë mund të punojnë në shkallë të gjerë. Ky është një lajm i mirë.

Pyetja e madhe për vitin 2021-shin  është: sa do të sprapsen  gjërat? Është e qartë se bota nuk do të kthehet në gjendjen e saj para-pandemike. Shumë dyqane janë mbyllur. Gjyshet italiane kanë zbuluar gëzimin e blerjeve në internet. Punonjësit nga  shtëpia  nuk nxitojnë të udhëtojnë pesë ditë në javë. Por as të gjitha sjelljet e izolimit  të vitit 2020 nuk do të vazhdojnë. Studentët dhe mësuesit janë të etur të kthehen në shkollimin personal. Punëtorëve u mungon shoqëria e zyrës. Kështu që disa sjellje të reja do të qëndrojnë, por jo të gjitha  dhe rezultati do të jetë diku në mes. Saktësisht  ku do të ketë implikime të mëdha: për modelet e transportit, çmimet e pronave dhe paraqitjen e qyteteve, ndër të tjera.

McKinsey raporton se, deri në vitin 2022, 15% e drejtuesve që morën pjesë në një sondazh ndërkombëtar prisnin të lejonin një të dhjetën e punonjësve të tyre të punonin në distancë për dy ose më shumë ditë në javë, dhe 7% ishin të gatshëm ta shtrinin këtë në tre ditë në javë.  Por ato mesatare globale fshehin variacione të gjera. Në Britani dhe Gjermani, 20% e të anketuarve ishin të lumtur që të paktën një në dhjetë punëtorë të punonin në distancë, dy ose më shumë ditë në javë; në Kinë, shifra ishte vetëm 4%. Dhe midis drejtuesve të teknologjisë përqindja qëndronte në 34%, nga 22% para pandemisë. Kompanitë në teknologji dhe shërbime financiare mund të funksionojnë më lehtë pa punëtorë në vend. Por edhe në industritë ku puna plotësisht e largët është e mundur, rezultati më i mundshëm është një e ardhme hibride që përzien punën në distancë dhe atë në vend.

E ardhmja është tani

Disa firma – si ato që ofrojnë shërbime në cloud, ose pajisje që mbështesin punën në distancë – do të forcohen. Të tjerët, si shitësit fizikë, do të vuajnë. Shumë do të dështojnë fare. Por edhe një herë ka një fill  argjendi, pasi këto ndryshime hapin arena të reja për inovacione. Tashmë ndërmarrjet e mëdha dhe të vogla po krijojnë mjete të reja për të përmirësuar përvojën e punës në distancë, bashkëpunimit dhe mësimit; për të mbështetur lloje të reja të shitjes me pakicë pa kontakt dhe të bazuar në takime; dhe për të siguruar lloje të reja të përvojave sociale në internet, nga konferencat virtuale te turizmi virtual. Nuk ka kthim prapa në të kaluarën që ekzistonte para pandemisë. Covid-19 e ka shtyrë botën në një të ardhme krejt tjetër./ Tom Standage, The Economist.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë