Treg

“Qeveria të vendosë çmim tavan për tamponin, ose të jenë falas”

Më herët vaksina e gripit do të konsiderohej si e përqendruar në një kompani të vetme dhe do të akuzohej nga  Autoriteti i Konkurrencës për thyerje të ligjit të Konkurrencës.

Aktualisht Autoriteti po kryen hetim të thelluar në këtë treg. Më herët Autoriteti  hetoi tregun e produkteve paramjekësore për çmimin e shtrenjtë si maska e dezinfektantë duke marrë masat përkatëse sipas ligjit.

Por, aktualisht, edhe pse situata me COVID-19 është agravuar në Shqipëri, shumë syresh nuk arrijnë të bëjnë dot tamponin në shtet, e në privat nuk kanë fuqi financiare sepse kushton 12 mijë lekë, çmim i njëjtë në të gjitha klinikat e licencuara për këtë qëllim. Edhe pse mediet e kanë ngritur si shqetësim duke marrë dëshmitë e njerëzve që e kanë hequr mbi kurriz, që shenjon një indicie sipas ligjit për ngritjen e një hetimi paraprak, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret deri më tani.

Por a ka të drejtë shteti/qeveria që në situata të jashtëzakonshme si kjo e pandemisë që po përjetojmë të vendosë një çmim tavan për produkte me rëndësi si tamponi apo medikamente në lidhje me kurimin e tij?

Eksperti në  fushën e ekonomisë, Zef  Preçi, thotë se është përgjegjësi e qeverisë dhe rregullatorit të ndërhyjë për çmimin.

Zef Preçi, ekspert ekonomie

“Në analogji me rregullimin financiar të medikamenteve mjekësore te të cilat rregullatori përkatës (qeveria nëpërmjet entit përkatës) lejon një normë të caktuar fitimi dhe brenda kësaj norme ofruesit e këtyre medikamenteve mund të konkurrojnë vetëm duke e ulur fitimin e tyre, duhej rregulluar edhe çmimin stratosferik i testeve të COVID-19. Më konkretisht, në kushtet e situatës kur tregu i Shëndetit nuk funksionon, por gjithçka mbulohet nga xhepat e popullsisë, liberalizimi i ofrimit të këtyre testeve nga operatorët ekonomikë privatë tingëllon si favor korruptiv që mundëson zhvatjen e konsumatorit, kuptohet me ndihmën e qeverisë”- thotë për gazetën “Si” Preçi.

Ai thekson se tamponët janë në duart e disa kompanive oligopolistike.

Preçi gjykon se duhet të ketë vullnet qeveria që të vendosë tavan ose ti japë falas tamponët në këtë kohë pandemie, sepse tamponët që janë në grupin e produkteve mjekësore licencsohen nga shteti.

“Thënë këtë ato duhet të kenë standarte, sa të sigurt janë, skadenca dhe çmimi. Edhe sikur të mos kishin çmim tavan dhe të hidheshin në treg me kushtet e tregut, nësë do të ofronin shumë kompani, çmimi do të ishte konkurues i ulët, jo më i lartë se ç’shitet në vendet e tjera. Këtu nuk mbrohet konsumatori. Kemi arritur në një situatë ku mbrojtësi i vetëm i konsumatorit është Ilir Meta me ligjin për metrologjinë”- shprehet eksperti Preçi.

Më herët, doktori epidemiolog, Erion Dasho, do të shprehej se “Çmimi rreth 100 Euro i testit është goxha i lartë. Megjithatë, kompanitë që e ofrojnë në treg duhet të bëjnë transparentë markën e testit”.

Kompanitë private që ofrojnë testin e COVID-19 që janë licencuar më 10 gusht nga Ministria e Shëndetësisë janë Spitali Amerikan dhe Laboratori Itermedica. Të dy kompanitë e licencuara kanë vendosur të njëjtin çmim, 120 mijë lekë, më të lartin në rajon.

Në vendet e rajonit çmimi i tamponit kushton nga 20-70 euro.

Në Europë, në Francë, kostoja e tamponit është 27 Euro dhe rimburoshet 100 % nga shteti.

Ne Itali, tek laboratoret private, kushton 40 Euro.

Në Maqedoni shteti i mbulon të gjitha nevojat për këtë analizë, por kush dëshiron e bën edhe tek privati. Kushton 40-50 Euro dhe përgjigja del për 24 orë.

Në Turqi, medikamentet për mjekimin e virusit janë falas. U dërgohen në shtëpi edhe pacientëve që trajtohen në kushtet e shtëpisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë