Analize

Për çfarë po e përgatit Presidenti veten, fizikisht dhe mendërisht?

Mëngjesin e së premtes, Presidenti Ilir Meta publikoi një video të shkurtër ku në shoqërinë e ish-kreut të Shërbimit Shtetëror Informativ, Bahri Shaqiri, aktualisht këshilltar i Presidentit për çështjet e sigurisë, shfaqej sportiv.

Meta e shoqëronte videon në fjalë më shënimin “mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë”. Por, për çfarë po e përgatit Presidenti veten, fizikisht dhe mendërisht?

Mesazhi i dërguar nuk është krejt pa domethënie. Ai mbërrinte një ditë pasi socialistët ia rrëzuan dekretin që ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që ndryshojnë formulën e koalicioneve dhe hapin pjesërisht listat e kandidatëve për deputetë.

Para këtij vendimi të socialistëve në Kuvend, Meta doli në një konferencë për shtyp. Ishte i drejtpërdrejtë në thirrjen që u dërgoi deputetëve, duke u kërkuar që të reflektojnë, të mos ja rrëzojnë dekretin dhe të presin Komisionin e Venecias.

Thirrjen e shoqëroi duke i kujtuar shumicës se kjo ishte edhe kërkesë e Brukselit. Por, më shumë se e Bashkimit Europian, rezultoi që kërkesa për pritjen e opinionin të Venecias ishte një status personal i Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Të paktën kështu u nënkuptua nga një postim i Presidentit të BE-së, Charles Michel pas një bisede me Kryeministrin Edi Rama.

Michel ndan bindjen që konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian duhet të mbahet sa më shpejt, ndërsa sipas asaj që deklaron publikisht Presidenti i BE çështja e Kodit Zgjedhor nuk është cekur.

Me mbështetje të vakët nga ndërkombëtarët dhe me Lulzim Bashën që duket se nuk e ka parësore çështjen e Kodit Zgjedhor, cilat janë alternativat e Ilir Metës përballë mazhorancës? Kreu i shtetit përsëriti në daljen e fundit para gazetarëve togfjallëshin “Komandant i Forcave të Armatosura”, që në të shkuarën e ka shqiptuar në kulm të përplasjes me socialistët, pas anulimit të 30 qershorit dhe gjatë përplasjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Tani i rikthehet këtij termi, megjithëse në kohë paqeje kompetencat që ka si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura nuk i hyjnë në punë për të zgjidhur “me forcë ushtarake” konfliktin politik me mazhorancën.

Çfarë rrugësh të tjera i mbesin? Përplasja me Kuvendin mund të ashpërsohet në vijim, kur dy institucionet do të duhet të zgjedhin anëtarët përkatës të Gjykatës Kushtetuese. Me ashpërsimin e konfliktit, rruga e parë që Presidenti mund të zgjedhë është…rruga, megjithëse thotë se qëllimi i tij nuk është nxitja e protestave.

“E dëgjoj dhe e ndjej jehonën e protestës. Qëllimi i Presidentit nuk është të nxisë protestat, por në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e qytetarëve për interes të një pakice që bllokon integrimin, zhyt vendin në borxhe kërcënuese dhe vendos mur në rrugën europiane, padyshim që Presidenti e di se çfarë mendon e kërkon populli shqiptar dhe nuk do të presë popullin t’i japë drejtim kësaj çështjeje, por në të njëjtën gjatësi vale do ta zgjidhim këtë çështje. Po ne shpresojmë tek reflektimi”, deklaroi Presidenti kur ktheu për rishqyrtim Kodin Zgjedhor.

Kjo duket edhe alternativa me më shumë gjasa dhe më e thjeshta, përmes të cilës Presidenti mund të tërheqë pas vetes edhe mbështetjen e Lulzim Bashës, ashtu si në fillim të marsit, kur kreu i opozitës e mbështeti në mitingun e mbajtur më 2 mars.

Por cili do të ishte produkti i protestës? Para 2 marsit, Presidenti paralajmëronte se do të nënshkruante në mes të sallës së Kuvendit së bashku me qytetarët shpërndarjen e Parlamentit. A do ta paralajmërojë këtë herë? Derën hapur ja ka lënë edhe këtij skenari. “Unë edhe kur eci në rrugë dëgjoj njerëz që më thonë shpërndaje, pse s’e shpërndan?”, tha Meta në konferencën e fundit për shtyp.

Mes protestës dhe shpërndarjes së Parlamentit ekziston edhe një skenar i tretë; ai i anulimit të 25 prillit si datë zgjedhore, sërish me arsyetimin e bërë më 10 qershor të 2019, kur nxorri dekretin e anulimit të zgjedhjeve vendore se, “nuk ishin kushtet për mbajtjen e tyre dhe se cenonin sigurinë dhe paqen sociale”.

Por, 30 qershori u anulua pas vendimit të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet dhe më vonë për të bojkotuar këto zgjedhje. Për 25 prillin, PD, LSI dhe aleatët e tyre kanë jo vetëm që nuk kanë dhënë asnjë shenjë bojkoti, por shprehen të bindur tek fitorja me Monika Kryemadhin që thotë se edhe me këtë formulë të koalicioneve parazgjedhore opozita merr 100 mandate.

Të treja këto rrugë mund të varen nga qëndrimi i ndërkombëtarëve, se sa të ashpër e të drejtpërdrejtë do të jenë ndaj palëve të përfshira në këtë përplasje, apo se sa fort do t’i tërheqin veshin njërës, apo tjetrës palë. Në të gjitha rastet, vështirë se ata do të pranojnë një “deja vu” të 30 qershorit.

Por, në fund ekziston edhe një rrugë tjetër. Është ajo që Ilir Meta të japë dorëheqjen dhe të marrë frerët e LSI-së, pse jo edhe të opozitës në drejtimin e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit. Dorëheqja, si një akt personal do t’ja kursente kritikat, të paktën ndërkombëtare, por ajo është përjashtuar vazhdimisht nga vetë Presidenti Meta sa herë që flitet për të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë