Ekonomi

Pr.ligji/ Fermerët e duhanit duhet të regjistrohen, ndryshe gjobiten dhe arat u prishen

Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim publik një projektligj me anë të të cilit synon që të sistemojë tregun e kultivimit, grumbullimit dhe përpunimit të duhanit.

Në projektligj propozohet regjistrimi i të gjithë kultivuesve të duhanit me një kartelë personale.

Mes parashikimeve të draftit të propozuar është edhe ai që i detyron kultivuesit që para se të mbjellin parcelat me duhan të regjistrohen në zyrat përkatëse shtetërore dhe të nënshkruajnë kontratë me një grumbullues/përpunues.

Kontrata duhet të lidhet jo më vonë se data 31 mars e çdo viti për varietet orientale dhe gjysmë orientale të duhanit dhe jo më vonë se 30 prilli për duhanet Virxhinia, Burley dhe Kentaky. Kontrata duhet të përfshijë edhe farën, sipërfaqen e tokës që do të mbyllet dhe detyrimet financiare të palëve.

Fermerët mund të regjistrohen më vete, ose në grup duke zgjedhur një përfaqësues të tyre. Por, gjithmonë para mbjelljes së duhanit, femerët duhet të pajisen me kartelën personale të parashikuar në nenin 10 të këtij projektligji.

Në rastet kur kultivuesi i duhanit vendos ta mbjellë atë pa u pajisur më parë me kartelën personale të konfirmuar për të gjithë ngastrat dhe pa kontratë porosie me kompanitë grumbulluese, apo përpunuese, ndëshkohet me gjobë që 1 milion lek të vjetra dhe prishjen e sipërfaqes së mbjellë me duhan.

Projektligji u ndalon kultivuesve që të mbjellin duhan në fushë para nënshkrimit të kontratës me një grumbullues/përpunues. Kultivuesve u ndalohet gjithashtu edhe nënshkrimi i kontratave me më shumë se një grumbullues/përpunues të duhanit.

Ligji lë në dorë të grumbulluesit dhe përpunuesit që të vlerësojë cilësinë e duhanit dhe në raste mosmarrëveshjeje për cilësinë e produktit, kultivuesi mund t’i drejtohet gjykatës brenda 30 ditëve nga data e shpalljes, ose e marrjes së njoftimit të vlerësimit të cilësisë nga ana e grumbulluesit dhe përpunuesit.

Projektligji synon që të rregullojë marrëdhiënien kontraktore mes fermerëve dhe kompanive grumbulluese dhe përpunuese, duke krijuar garancinë bankare në masën 100 për qind të vlerës për kultivuesit dhe sanksionuar detyrimin e blerësit që të kryejë pagesën brenda 30 ditëve nga blera e produktit.

“Tregu informal, 80 mln euro dëm shtetit”

Ministria e Bujqësisë thotë se për hartimin e këtij projektligji ngriti grupe pune për të analizuar situatën aktuale dhe problematikat që lidhen me kultivimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, si dhe nevojën e krijimit të një sistemit të plotë rregullator nga mbjellja deri në konsumin final të tij.

Në bazë të analizave të këtyre grupeve të punës u gjet se 25 deri në 30 për qind e konsumit të duhanit në Shqipëri është informal, që shitet nga fshatarët në mënyrë ambulante i grirë dhe nuk paguan taksa.

Në përllogaritjen e Ministrisë së Bujqësisë, ky treg informal i shkakton buxhetit të shtetit një humbje vjetore deri në 80 mln euro. Në relacion vihet në dukje gjithashtu edhe ulja e ndjeshme e sipërfaqeve të mbjella me duhan për shkak të mungesës së politikave mbështetëse në këtë sektor të bujqësisë.

“Mungesa e akteve ligjore dhe nënligjore eficente që rregullon marrëdhëniet mes kultivuesve dhe grumbullues–përpunuesve vitet e fundit ka krijuar mjaft probleme për kultivuesit e duhanit veçanarisht ata të zonës së Dumresë në Elbasan, të cilët kanë vite që nuk marrin pagesat respektive për duhanin e grumbulluar nga grumbullues – përpunuesit”, thotë Ministria e Bujqësisë.

Në fakt, pasiguria në shitjen e produktit dhe çmimi i ulët ka orientuar shumë fermerë në zonën e Dumresë që të braktisin duhanin dhe të orientohen më shumë në drejtim të vreshtave dhe ullishteve. Në këtë zonë, para viteve ’90 prodhimi i duhanit shkonte deri në 25 mijë tonë, ndërsa në 2016-ën, regjistroheshin më pak se 2 mijë tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë