Në Bruksel mbahet sot një takim i nivelit të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, me Bashkimin Europian që duket më i etur së kurrë për rezultate konkrete.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic pritet të mbajnë një takim me Përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ku pritet të arrihet një dakordësim për çështjen e pagjeturve dhe çështja e të zhvendosurve.
Kjo nuk është hera e parë që dy liderët takohen në Bruksel, por ky është takimi i parë pas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhe dhe BE-ja është e dëshpëruar për të treguar se paktet e mëdha duhet te vulosen nga ajo.
Pas një sërë pengesash, presidenti Donald Trump ka arritur me sukses të afrojë armiqtë e betuar të Ballkanit Perëndimor, pasi Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord për normalizimin e marrëdhënieve ekonomisë falë një pakti pakt të hartuar nga Shtëpia e Bardhë. Me këtë lëvizje, Trump duket se i ka dëshmuar BE-së se Shtetet e Bashkuara janë një ndërmjetësues më i aftë.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë po eksploronte mënyra se si të arrihej një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës, BE u përpoq të sabotonte iniciativën amerikane. Këtë korrik, takimi në Shtëpinë e Bardhë midis udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës u anulua pas akuzave ndaj presidentit Hashim Thaci, dhe dy palët u takuan me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Por vetë BE nuk arriti të ofrojë asgjë për asnjë nga dy palët.

Për një kohë të gjatë, BE-ja nuk po e zgjidhte vetë çështjen, por as po e lejonte SHBA-në. BE po mbronte interesat e saj, sepse nëse ndërmjetësit amerikanë ofrojnë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, atëherë Uashingtoni do të bëhej fuqia me ndikimin më të madh si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
Pasi SHBA e bëri të qartë se kërkon shansin të luajë një rol kryesor në Ballkanin Perëndimor, Brukseli duket se u “zgjua pas dy dekadash nga gjumi”. Pas emërimit të diplomatit Matthew Palmer si Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe emërimit të Ambasadorit Grenell si të dërguar special për Serbinë dhe Kosovën, unioni iu kundërpërgjigj SHBA-së, duke emëruar po ashtu një të dërguar për rajonin. Kjo krisje në aleancën trans-atlantike, nuk filloi nga Ballkani, por u bë një formë gjithnjë e më agresive në rajon.
Viktima e parë ishte Thaçi, i cili jo vetëm që është përjashtuar nga dialogu, por edhe ka dëshmuar për ditë të tëra për krime luftë në Hagë. Ndërkohë që SHBA po angazhohet jo vetëm në Ballkan, por edhe në Europën Juglindore, BE po përpiqet ta bëjë të qartë se nuk do të lejojë SHBA-në të sundojë në oborrin të saj.
Javët e fundit BE dhe SHBA nuk e kanë fshehur përplasjen: Ditën që lidërët e Kosovës dhe Serbisë do të takoheshin në Shtëpinë e Bardhë, BE-ja njoftoi prapritur takimin e sotëm në Bruksel.
Është e qartë se në këto momente, si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja duket se duan të thonë fjalën e fundit në Ballkan, edhe pse ekspertët janë të ndarë nëse kjo përplasje është një lajm i mirë apo i keq për rajnin. Nga njëra anë, përçarja e aleancës trans-atlantike mund ta vendosë rajonin përpara dy zgjedhjeve, por nga ana tjetër përkthehet në vëmendje dhe investim diplomatik dhe ekonomik në rastin më të mirë për Ballkanin, ashtu sic tregoi edhe marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Problemi megjithatë qëndron tek fakti se në Ballkanin Perëndimor, ka shumë fuqi të përfshira duke futir Rusinë dhe Kinën, edhe pse për momentin Trump ka arritur t’i anashkalojë të gjitha, duke u ulur në krye të dialogut Beograd-Prishtinë.

Eskpertet amerikanë e kishin paralajmëruar Trump se mosmarrëveshja Serbi-Kosovë është një nga çështjet më të komplikuara në të gjithë botën sot, pasi është e rrënjosur në tensionet historike midis komuniteteve shqiptare dhe serbe.
Për më tepër, fuqitë e shumta të përfshira në Ballkan kanë interesa që nuk papajtohen me njëra-tjetrën. Rusia, për shembull ka mbetur shtylla kryesore e Beogradit mbi çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Si i tillë, ndikimi rus në Serbi mund ta pengojë Beogradin të firmojë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën. Nga ana tjetër pastaj, udhëheqësja de facto e Bashkimit Europian, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Kina gjithashtu kishin krijuar një sfidë unike.
Kina, e cila po zgjeron ndikimin e saj global dhe është ulur këmbëkryq në atë që dikur konsiderohej si sfera ekskluzive e ndikimit të Moskës, po përhap edhe tentakulat e saj në Serbi. Ambiciet e gjëra të në Serbi natyrisht e bënë të vështirë për Uashingtonin të ushtrojë presion mbi presidentin Vuçic për ta sjellë atë në tryezën e negociatave. Politika jo koherente e BE mbi Serbinë ndërkohë vetëm e ka ndihmuar Kinën që të zgjeronte ndikimin e saj në vendin e Ballkanit Perëndimor.
Sidoqoftë, Trump duket se i ka mposhtur të gjithë, përfshirë Presidentin Kinez Xi Jinping dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të paktën tani për tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




