Marrëveshjen e 4 shtatorit, historiani e sheh si një hap të mirë, të ndërmjetëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, Prof.Dr.Romeo Gurakuqi sheh përtej lajmit entuziast të marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se Presidenti i Serbisë Vuçiç ia arriti në një pjesë të mirë të tekstit të marrëveshjes të shmangë referimin shtetëror të Kosovës.Në një analizë për Gazeta Si, Gurakuqi thotë se arriti të fshihej bukur edhe përgjegjësia e Serbisë për gjenocidin në Kosovë dhe zhdukjen e mijëra qytetarëve të Kosovës.Kosova u gjend në tavoline pa diplomatë të aftë për t’u imponuar në termat konceptualë së kësaj Letter of Intent të nënshkruar në Washington, është i mendimit profesor Gurakuqi, ndërsa Serbia mbeti aty ku ishte me Kosovën, madje tani ndërtoi rrugët legale për daljen ekonomike, të projektuar 107 vjet më parë.
Marrëveshja ekonomike, e arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë mes Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësinë e Presidentit Trump, përben një hap të mirë të ndërmjetëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës. Para intransigjencës së Serbisë zyrtare për të pranuar pavarësinë, integritetin dhe njohjen e pakushtëzuar të shtetësisë së Kosovës, administrata e Presidentit Trump, në kulmin e fushatës elektorale, ka dashtë të përmbyllë me një fazë të parë arritjeje, një marrëveshje të negociuar prej disa kohësh prej të dërguarit të posaçëm të saj, Grenell.

Nën kundërshtinë e patundur të Serbisë, u hoq dorë nga projekti maksimal i një marrëveshjeje përfundimtare të njohjes reciproke mes dy shteteve të pavarura dhe bisedimet u zhvendosën për hartimin e një Letter of Intent mes palëve që merreshin vesh për krijimin e një detante së paku njëvjeçare, d.m.th. një periudhe lehtësimi të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, duke i përqendruar arritjet ndërmjetësuese, në fushën ekonomike dhe të transportit, ku Serbia më shumë se Kosova është e interesuar të ketë liri dhe të drejta hyrjeje, lëvizjeje dhe komunikimi. Zhvillimi ekonomik dhe i transportit mes dy vendeve do të ketë një garanci politike dhe financiare amerikane, të cilët njëlloj sikurse europianët, kanë gjetur vështirësi të mëdha me Serbinë e mvarun ende politikisht mbi teoremat e të kaluarës dhe nga përkrahja e Rusisë.
E lexuar nga Beogradi zyrtar, Presidenti i Serbisë Vuçiç ia arriti në një pjesë të mirë të tekstit të marrëveshjes të shmangë referimin shtetëror të Kosovës. Pavarësisht paritetit në dukje në mes dy entiteteve në emërtim, Kosova, shteti që ka nevojë për t’u afirmuar dhe legjitimuar gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht, nuk u thirr në asnjë pjesë të marrëveshjes me emrin e vet kushtetues. Asterisku i famshëm mbeti ashtu në heshtje edhe më tutje, si një gur i varun mbi kokën e shtetit të dobët Kosovës. Po ashtu, përfshirja në marrëveshje e projekteve në fushën e komunikacionit përbën në Beogradin tradicional veç një lavdërim, për shkak se jo vetëm është e leverdishme dhe normale për kohën e sotme të botës pa kufij, por përbën edhe një afirmim të kërkesës shekullore të Serbisë për lirinë e lëvizjes pa kusht të mallrave me portet e Adriatikut, në një hekurudhë dhe autostradë të financuar dhe garantuar ndërkombëtarisht.
107 vite pas propozimit të parë të Rusisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në një kohë të re dobësie e çorientimi strategjik të botës shqiptare nga korrupsionistët e dyanshëm, në mënyrë krejt të çuditshme, rikthehet në një tavolinë ndërkombëtare bisedimesh, çështja e lirisë për transit të Serbisë nëpër tokat e banuara nga shqiptarët. Ndaj, Vuçiç kthehet formalisht në Beograd me diçka më shumë se sa me një ruajtje të status quo-së mosnjohëse, pavarësisht se ombrella e garancisë amerikane në thelb është një kornizim i papëlqyeshëm për politikanët nacionalistë të Serbisë. Po ashtu, edhe përgjegjësia e Serbisë për gjenocidin në Kosovë dhe zhdukjen e mijëra qytetarëve të Kosovës, u fsheh bukur mirë mes frazave të përgjithshme, që lënë në harrese konceptin e humbjes definitive të legjitimitetit moral të shtetit agresor për respekt të ndërsjellë në hapësirat ku ka bërë krime lufte.

A u çlirua Kosova nga vargonjtë pengues të plotësimit të legjitimitetit ndërkombëtar në Europë dhe a është ajo më afër proceseve integruese në kontinentin e vjetër, njëlloj si vendet e tjera fqinje?
Unë mendoj se kjo marrëveshje ka krijuar veç një periudhë të ndërmjetme qetësie për zhvillim dhe për shtensionim të marrëdhënieve të papajtueshme në mes dy vendeve të ndara nga një shekull ngatërresash dhe padrejtësinash në dëm të popullit shqiptar në ato anë. Por, fakti që Shtëpia e Bardhë është angazhuar tërësisht në firmosjen e këtij dokumenti mirëkuptimi dhe mbështetjen financiare të pikave të hedhura në këtë letër, është një shenjë shumë e mirë për të ardhmen. Ne kena anderrue përherë bri radios ditën kur SHBA të interesohej dhe angazhohej për ne arbërit e harruem. Dhe kjo ndodh sërish këto dite, ndonëse me përkufizime jo aq të arrira.

Kishim veç kukulla me letra para, që nuk arrinin te ndjekin në thellësi kuptimin e termave dhe ishin të gatshëm të firmosnin edhe letra jo të arrira në pikëpamje të terminologjisë.
Me sa kuptohet, BE ka qenë jashtë negocimit të finalizuar në Washington DC. Përparimi i mëtejshëm integrues i Kosovës në Europë, po pengohet padrejtësisht edhe më tutje nga mosnjohja e saj prej Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Spanjës, shtete anëtare të BE. Vendosmëria mohuese dhe mungesa e dashamirësisë dhe e realizmit e këtyre shteteve që kanë qëndruar spontanisht në krah të Serbisë në këtë çështje jetike për stabilitetin e shtetit te ri, po pengon Kosovën të ecë me ritmet e vendeve të Ballkanit Perëndimorë në procesin integrues në kontinentin e vjetër, të cilit Dardania i përket. Për shkak të kësaj mungese njësueshmërie të politikën e jashtme europiane, i gjithë procesi europianizues në Kosovë është i ngrirë, qëndrueshmëria politike e rajonit ende e pasigurt, ndërhyrjet ç’orientuese të Rusisë në Ballkan dhe Turqisë në Kosovë e Shqipëri, po e vështirësojnë edhe më tutje afrimin e zgjidhjeve definitive dhe natyrale për shtetin e dytë të shqiptarëve dhe stabilitetin demokratik në anët tona.

Kosova, shteti që ka nevojë për t’u afirmuar dhe legjitimuar gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht, nuk u thirr në asnjë pjesë të marrëveshjes me emrin e vet kushtetues. Asterisku i famshëm mbeti ashtu në heshtje edhe më tutje, si një gur i varun mbi kokën e shtetit të dobët Kosovës.
Por Kosovën po e pengon më së shumti mungesa e një klase politike të kualifikuar dhe e një lideri me fuqi të plota dhe formatim të Shkollës Rugoviane, që do ta kishte udhëhequr në rrugën e vështirë dhe të mundimshme të kthimit në një subjekt i pakontestueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo u pa edhe këto ditë në Washington.
Ne nuk kishim korrektues në fazën përgatitore të bisedimeve, të frazave dhe gabimeve të diplomatëve ndërkombëtarë. Kishim veç kukulla me letra para, që nuk arrinin te ndjekin në thellësi kuptimin e termave dhe ishin të gatshëm të firmosnin edhe letra jo të arrira në pikëpamje të terminologjisë. Ata ngjanin se harronin rregullin bazor, se në bazë të Kushtetutës, Kosova është vend dhe shtet laik, europian, me ndërlidhje themelore kulturore të popullit te saj Albanianism-in. Teza serbe për impostimin strategjik të Kosovës dhe Shqipnisë përtej Europës, u dëgjua për fat të keq dhimbshëm edhe në disa interpretime dhe lexime që iu bënë njohjes reciproke të Kosovës me Shtetin e Izraelit. Nuk besoj se ishte lapsus, por rrjedhojë e mosnjohje faktike dhe se nga pala negociatore shqiptare nuk ishin korrigjuar në kohë përdorimet e pasakta të termave nga diplomatët ndërmjetësues. Kosova u gjend në tavolinë pa diplomatë të aftë për t’u imponuar në termat konceptualë së kësaj Letter of Intent të nënshkruar në Washington. Serbia mbeti aty ku ishte me Kosovën, madje tani ndërtoi rrugët legale për daljen ekonomike, të projektuar 107 vjet ma parë.
Përfitimi më i madh ishte njohja nga Izraeli, por që na u ofrua mbrapsht në interpretim. Vuajtje e madhe e dy shteteve shqiptare është kapja e hapësirës politike dhe publike nga gjysmaket e pasuruar dhe “armatosur” me armën e “vrasjes” dhe fshirjes së njerëzve të ekspertizës dhe atdhetarëve europianiste, qe mund ta përfaqësojnë Arbninë dhe Dardaninë, ndryshe në Washington DC dhe në Bruksel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




