Politike

Marrëveshja, ekspertët: Garanci për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës

Një pikë kthese në historinë e Republikës së Kosovës. Kështu e sheh historiani Ferit Duka, marrëveshjen e  4 shtatorit, nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

E nisur si një proces i gjatë dhe i lodhshëm i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve në vitin 2011, i udhëhequr nga Bashkimi Europian,  i ngrirë si pasojë e vendimit të marrë nga kryeministri Haradinaj më 2018-n për vendosjen e taksës 100 përqind dhe në rrezik për të mos u realizuar këtë qershor , ndërsa presidenti Hashim Thaçi thirrej në Gjykatën e Hagës rreth akuzës së ngritur nga Prokurori Special për krime lufte, u finalizua në Uashington, megjithëse me natyrën e një marrëveshjeje më së shumti ekonomike.

Një ditë e rëndësishme dhe historike e cilësoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili vulosi atë çka nisi i dërguari i tij special për marrëdhënien mes dy vendeve të Ballkanit, Richard Grenell në shkurt të 2020-s, si marrëveshje mbi linjën hekurudhore, automobilistike dhe ajrore Prishtinë-Beograd.

“Unë e shoh atë si një garanci të fortë për afirmimin ndërkombëtar të  shtetit të  Kosovës, si një shtysë  të  rëndësishme për arritjen e objektivave të  tij për anëtarësim në OKB dhe integrim ne institucionet euro-atlantike”, mendon Prof.Dr.Ferit Duka.Në marrëveshjen e firmosur dje nga Hoti dhe Vuçiç, në prani të shefit të Shtëpisë së Bardhë palët u pajtuan për normalizimin ekonomik mes dy vendeve.

Ata  do të përfshihen në Zonën Mini-Shengen, ndërsa nga Kosova ka pasur kritika ndaj kryeministrit shqiptar, kur  në takimin e Novi Sadit  merrnin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri Rama deklaronte asokohe se nëse Serbia do të vendoste veto ndaj Kosovës, ai nuk do të ishte atje.

Po ashtu, sipas marrëveshjes së lidhur dje, dy vendet do të punojnë me SHBA për “Hekurudhën e Paqes”, për lidhjen mes Prishtinës, Merdarës dhe Nishit. Dy  vendet do të njohin mes tyre diplomat e certifikatat profesionale, një nga kërkesat e ish-kryeministrit Albin Kurti i cili propozoi njohjen reciproke në vend të taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe.

Palët janë dakordësuar mbi identifikimin e  mbetjeve të të zhdukurve dhe në fund  kanë pranuar që Kosova të shtyjë me një vit kërkesat për anëtarësim të ri në Organizatat Ndërkombëtare dhe Serbia për një vit do të ndërpresë fushatën, zyrtare apo jo zyrtare të lobimit  për të mos njohur Kosovën. Si produkt i kësaj marrëveshjeje është edhe njohja reciproke mes  Izraelit dhe Kosovës.

“Marrëveshja e Uashingtonit do të  kontribuojë  fuqishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës si dhe në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, thotë me bindje historiani Duka për Gazeta Si.  

. Presidenti Donald Trump gjatë nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, në Shtëpinë e Bardhë, 4 shtator

Ndërsa politika e brendshme e Kosovës nxitoi të marrë meritat, me kreun e LDK-së, Isa Mustafa që ia atribuon suksesin qeverisë Hoti,  i cili në pak javë arriti ta bëjë Kosovën partner të besueshëm të ShBA-së dhe BE-së.

I akuzuar shpesh veçanërisht nga ish-kryeministri Haradinaj, por edhe opozita shqiptare se ishte pjesë e një plani  së bashku me Vuçiç, Thaçi dhe  shefen e politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini  për ndarjen e Kosovës, Rama ndërsa përgëzonte dje palët për arritjen e marrëveshjes do të shprehej “Asnjë tradhti burra!”

“Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike”, do të shprehej kryeministri Rama, i cili pas deklaratave  për bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë, që shpesh u lexuan si kërcënim ndaj BE-së për zvarritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, si kundërpeshë sillte gjithnjë vizionin e bashkimit brenda familjes europiane.

Presidenti Thaçi, i cili prej vitesh ka udhëhequr procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve bashkë me homologun serb Vuçiç, edhe njëherë do të shprehte besimin tek lidershipi i ShBA-së dhe vizioni i Uashingtonit, “pasi gjatë gjithë historisë së Kosovës kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik”, thotë Thaçi i cili e ka konsideruar gjithnjë procesin drejt marrëveshjes mes dy vendeve si korrigjim të padrejtësive, ndërsa hasej me kritikat e ashpra se ishte pjesë e planit të fshehtë për shkëmbime territori.

Thaçi, Mogherini, Vuçiç

Diplomati Ksenofon Krisafi megjithëse e sheh si optimiste nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë , mendon se përmbajtja duhet analizuar thellësisht.“Ishte një lajm optimist që shkakton shpresa për zhvillime të tjera më të mira në marrëdhëniet e vëllezërve tanë të Kosovës me Serbinë. Për t’u shprehur për përmbajtjen e saj është e nevojshme që të studiohet dhe të mësohet konteksti në të cilin u zhvilluan negociatat dhe u nënshkrua marrëveshja”, thotë Prof.Dr. Krisafi duke e parë entuziast faktin që marrëveshja u arrit  me ndërmjetësimin e mikut të madh të shqiptarëve ShBA dhe u nënshkrua në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar në takimin e 27 qershorit, se presidenti Trump nuk do të qe i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ai vendosi të ishte i pranishëm në atë të 4 shtatorit.

Prof.Dr.Ksenofon Krisafi

“Është garanci e nivelit shumë të lartë, që kërkon nga të dyja palët, shqiptarët dhe serbët seriozitet dhe përgjegjshmëri në përmbushjen e angazhimeve të sanksionuara në tekstin e saj”, thotë Krisafi.

Reagimet nga Bashkimi Europian në qershor ishin me tone të forta, ku Gjermania kërkonte koordinim mes ShBA-së dhe BE-së, ndërsa kritikohej ftesa e munguar për Përfaqësuesin  Special të unionit,  Miroslav Lajçak. Përpjekjet e pezulluara atëkohë, u dukën si përpjekje për t’ia marrë rolin protagonist BE në dialogun mes dy vendeve të Ballkanit, ndërsa të dy liderët si Thaçi ashtu edhe Vuçiç ishin të zhgënjyer për mënyrën sesi u diskutua nga Samitin e Berlinit, prillin e 2019-s, pa konkretizuar asnjë nga pritshmëritë e palëve, ku Kosova shpresonte për një dritë jeshile në liberalizimin e vizave.

Ndonëse as video-samiti i Parisit nuk solli të reja në avancimin e dialogut Prishtinë-Beograd, një raund i ri pas atij të Shtëpisë së Bardhë do të mbahet në Bruksel.Në fillim të vitit, Grenell në përpjekje për të qetësuar ujërat deklaronte se roli i ShBA-së do të jetë në trajtimin e dialogut vetëm në nivelin ekonomik, ndërsa ai politik i mbetej gjithnjë BE-së. Kështu të hënën, 7 shtator, Ministri i Jashtëm i BE-së Josep Borell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të presin presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah  Hoti në një raund të ri të dialogut politik të nivelit të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ashtu siç ishte përfolur  në qarqe të politikës së lartë dhe diplomacisë, ShBA dukej në përpjekje për ta mbyllur sa më shpejt marrëveshjen mes dy vendeve. Kjo bëri që të caktoheshin dy të Dërguar Specialë, si Palmer dhe Grenell, ndërsa arritja e saj shihej si një pikë plus në fushatën e Trump për një mandat të dytë në Shtëpinë  e Bardhë. Ndonëse  arritja është cilësuar historike, pas një dialogu të gjata që ka ecur me hapa të ngadaltë për të mos thënë në stagnacion, ajo prek vetëm anën ekonomike dhe ka ende rrugë drejt asaj politike që do të prekë edhe plagët më delikate e të pashëruara të rajonit, si ajo e kufijve, të cilave i druhet fort kancelarja Merkel.  / S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë