Analize

Debati I nxehtë-A duhen kthyer fëmijët në shkolla?

Në mediat sociale u shfaqën disa fotografi disa orë pas fillimit të ditës së parë të shkollës në një zonë afër Atlantës: 80 adoleshentë që qëndrojnë në grupe, pa maska dhe mbase vetëm 15 centimetra larg njëri-tjetrit, duke harruar dy metrat e rekomanduar.
Amanda Seghetti, një nënë nga zona, tha se grupi i prindërve në Facebook filluan diskutimin kur u postuan fotografi të fëmijëve. Disa menduan se fotot ishin të bukura. Të tjerët u shqetësuan. Seghetti i përkiste grupit të dytë.
“Është sikur ata mendojnë se janë imunë për gjithçka” tha Seghetti.
Imazhet e korridoreve të shkollave të mbushura në Gjeorgji dhe lajmet për raste pozitive në ditën e parë të shkollës në Indiana dhe Mississippi në SHBA nisën diskutimet e tensionuara në lidhje me rrezikun e koronavirusit tek fëmijët dhe çfarë humbet duke i mbajtur ato në shtëpi, larg shkollës.
Për muaj të tërë, prindërit dhe mësuesit, epidemiologët dhe politikanët kanë shprehur mendimet e tyre për shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me shkallën në të cilën virusi është një kërcënim për fëmijët dhe shkalla në të cilën mund të nxisë përhapjen e tij.
Një raport nga grupet kryesore të shëndetit zbuloi se më shumë se 97,000 fëmijë amerikanë testuan pozitivë për koronavirus në dy javët e fundit të korrikut, më shumë se një e katërta e numrit të përgjithshëm të fëmijëve të diagnostikuar në shkallë vendi që nga marsi. Që nga 30 korriku, kishte 338.982 raste fëmijësh të raportuara që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave nga Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata e Spitalit për Fëmijë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka pohuar vazhdimisht se virusi paraqet pak rrezik për fëmijët.
“E vërteta është se ata janë praktikisht imun ndaj këtij problemi,” tha Trump më 5 gusht gjatë një interviste.
Nga ana tjetër, një raport që ka dalë më 7 gusht nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), arriti në përfundimin se fëmijët kanë shumë më pak gjasa të shtrohen në spital për COVID-19, sesa të rriturit.
Studimet e para mbi virusin dhe fëmijët ishin të shkurtër dhe kontradiktorë. Megjithatë, akumulimi i provave tregon që koronavirusi mund të prekë fëmijët më të vegjël ndryshe nga fëmijët më të mëdhenj.

Për shembull, mjekët thonë se sindroma inflamatore multisistemike e lidhur me virusin e njohur si MIS-C, e cila është shfaqur në një numër të vogël të fëmijëve disa javë pas infeksionit, është ndryshe në fëmijët e vegjël sesa tek adoleshentët dhe të rritur. Fëmijët e vegjël dhe ata të moshës parashkollore që janë diagnostikuar me sindromën kanë simptoma të ngjashme me Kawasaki, një sëmundje që prek enët e gjakut. Në grupmoshën më të mëdhenj, pasojat duket të jenë më serioze.
Një artikull i botuar në korrik në revistën “JAMA Pediatrics” zbuloi se fëmijët nën moshën pesë vjeç me Covid-19 kishin nivele shumë më të larta të virusit në hundët e tyre sesa fëmijët më të rritur dhe të rriturit, duke treguar që ata mund të kenë më shumë mundësi për të infektuar. Ky studim, i kryer nga mjekë në Spitalin e fëmijëve “Ann & Robert H. Lurie” në Agoikago, përdori të dhëna nga 145 fëmijë që ishin testuar në atë zonë.
Një tjetër studim në Korenë e Jugut duket se arrin në përfundimin e kundërt për transmetimin sesa ai i studiuesve të Agoikagos. Fëmijët nën moshën 10 vjeç nuk u duk se e transmetojnë virusin lehtë, ndërsa ata midis 10 dhe 19 vjeç e transmetuan atë në të njëjtën mënyrë si të rriturit.

Max Lau, një epidemiolog në Universitetin “Emory” në Xheorxhi tha se janë shfaqur dy tendenca. Është vërejtur se nuk ka pasur ndonjë rast të qartë dhe të dokumentuar të një fëmije të vogël që të ishte vatër infeksioni, ndryshe nga rastet e personave midis 15 dhe 25 vjeç ku doli se ata mund të ishin.
“Kur u hoq izolimi, ai grup besoi se ata mund të ktheheshin në jetën e tyre normale dhe kjo është ajo që i bëri vatër infeksioni”, tha Lau.
Në maj, Shkolla e Mesme “Gymnasia Ha’ivrit” në Jeruzalem ishte qendra e një shpërthimi të madh virusi që, sipas autoriteteve të shëndetit publik, përhapte transmetimin në lagje të tjera. Në qershor, një kamp “YMCA” në Xheorxhi u detyrua tu mbyllte pasi 260 nga 597 fëmijë dhe anëtarët e stafit testuan pozitivë për virusin. Ishte një ngjarje që disa ekspertë paralajmëruan si shëmbëlltyrë se çfarë mund të ndodhë kur të rinjtë lejohen të mblidhen së bashku pa i kushtuar vëmendje përdorimit të maskave ose distancimit social. Në atë kamp, personi i parë që shfaqi simptoma dhe u dërgua në shtëpi ishte një adoleshent.
Në New Jersey, një festë e klubit vendas la të paktën 20 adoleshentë të infektuar.
Në Michigan, zyrtarët thanë se më shumë se 100 adoleshentë në tre qarqe kishin testuar pozitive që nga mesi i korrikut, pasi festuan diplomimet e tyre me festë.
Sadiya S. Khan, një profesor i kardiologjisë në Universitetit “Northwestern Feinberg”, tha se praktikat sociale, jo biologjia, janë ato që mund të shpjegojnë pse adoleshentët dhe të rinjtë duket se po përhapin sëmundjen.
“Ata kanë më shumë të ngjarë të ecin nga një vend në tjetrin. Ata kanë më shumë të ngjarë të mos kenë pësuar pasoja. Vëmendja e madhe është përqendruar në faktin se të moshuarit kanë përvojë më të keqe me virusin. Nëse jeni i ri, nuk shikohet aq e rrezikshme, kështu që ata mund të mendojnë:Pse të jesh kaq i kujdesshëm?” tha Khan.

Khan tha se është i shqetësuar që Universitetet që nuk i detyrojnë studentët e tyre të vendosin maska dhe të pajtohen me distancimin social, mund të bëhen vatra infeksioni të cilat përfundojnë duke prekur komunitetin e gjerë.
Historia mjekësore na tregon se roli i fëmijëve në sëmundjet infektive nuk është gjithmonë gjëja e parë që supozojmë. Në vitin 1960, duke iu përgjigjur një rritje dramatike të vdekjeve midis të moshuarve gjatë pandemisë së gripit 1957-1958, kirurgu i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara rekomandoi vaksinat e gripit për njerëzit mbi 65 vjeç. Vetëm disa dekada më vonë, studimet zbuluan se vdekshmëria tek të moshuarit mund të zvogëlohej duke vaksinuar të rinjtë. Në 2002, ai rekomandoi vaksinimin e foshnjave kundër gripit dhe në vitin 2008 ata zgjeruan gamën tek fëmijët e moshës shkollore.
Me pandeminë e koronavirusit, si me çdo epidemi, hetimet kërkojnë kohë dhe ekspertët thonë se në mënyrë të pashmangshme vendimet që merren për rihapjen e shkollave po merren pa perspektivën e plotë të rrezikut që paraqet virusi tek fëmijët.
Për shembull, studimi i kampit “YMCA” në nuk përfshin një raport të detajuar të mënyrës se si u përhap virusi midis grupit.
A e përhapi virusin në një kamp të vetëm një adoleshent? A ka infektuar ai disa fëmijë më të vegjël, të cilët nga ana tjetër kanë infektuar fëmijë të tjerë?
Në mënyrë të ngjashme, studimi nuk dokumentoi se çfarë ndodhi me familjet e të infektuarve kur fëmijët ktheheshin në shtëpi. A e kaluan virusin te familjet e tyre, duke thënë kështu idenë se fëmijët nuk e transmetojnë virusin te të rriturit? Apo, nëse infeksionet u përhapën, a ishte thjesht rezultat i një përhapjeje të lartë virale në Xheorxhi dhe jo si pasojë e kontaktit me një fëmijë që ka qenë në kamp?
Matja e rrezikut me të cilin përballen fëmijët më të vegjël kur kthehen në shkollë mbetet i pasaktë.
Prindërit kanë mbetur me detyrën agonuese dhe shqetësuese për të vlerësuar vetë këtë rrezik të mundshëm. Për më tepër, ata duhet të peshojnë rreziqet e mundshme të virusit kundër pasojave ekonomike, edukative, sociale dhe zhvillimore të largimit të fëmijëve nga shkolla dhe mësimi.
“Në fund të ditës, është familja juaj,” tha Jessop, një punonjëse në një kompani sigurimesh, duke shtuar se beson se mbajtja e fëmijëve në shtëpi ndikon në zhvillimin e tyre, duke justifikuar përvojën e kampit.
“Shumë prej këtyre fëmijëve janë mbyllur në shtëpi që nga muaji Mars dhe nëse keni fëmijë shumë aktivë dhe të shoqërueshëm, ata janë mësuar dhe kanë nevojë për atë ndërveprim.”

Burimi:The Washington Post/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë